Ylli Pata: PD zhbën brenda 24 orësh Kryefoltoren e Berishës

Ylli Pata: PD zhbën brenda 24 orësh Kryefoltoren e Berishës

Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Është realisht kështu, edhe pse mund të ketë mjaft njerëz që e kundërshtojnë këtë logjikë. Partia Demokratike, do të thotë ajo që drejtohet nga Lulzim Basha, ka ardhur nga Kuvendi i muajit korrik, apo i zgjedhjeve për kryetarin i muajit qershor.

Kuvendi i Sali Berishës, pati dy problem të mëdha: nuk pati as kauzë, por as legjitimitet.

Tek kauza, narracioni kryesor i Kryefoltores në Air Albania, edhe pse me zhurmë e me mjaft lajle lule publicitare, ngeci pikërisht tek shtylla që e mban një lëvizje politike.

Mjafton të shikosh vendimin “blic” të “Kuvendit të Berishës” për të parë që më shumë se kauzë, është një inat apo axhendë.

Kryefoltorja e Berishës shkarkoi urgjent Lulzim Bashën, me një motivacion të qartë: ka shkelur statutin e PD-së dhe ka marrë vendime kundër PD. Po mirë çfarë vendimi ka marrë Lulzim Basha, i cili paska shkelur statutin e PD-së? I vetmi vendim që ka marrë Lulzim Basha, që në fakt më shumë se një vendim statutor, është formalisht një ngrirje; është largimi i Sali Berishës nga anëtar i grupit parlamentar të PD-së. Siç e tha Basha në shtator, edhe ky vendim është provizor, e juridikisht është pezullim.

Tjetër vendim Lulzim Basha nuk ka marrë, që të sjellë bërjen nul të të gjitha strukturave drejtuese të PD. A është ngrirja e Belind Këlliçit si kreu i FRPD apo Albana Vokshit si kryetare e gruas? OK, por sërish nuk përbën kauzë. Pra e gjithë kjo zhurmë tremujore që çoi në mitingun e stadiumit të Federatës së Armando Dukës, ka vetëm një kauzë. Vetëm një! Se s’ka tjetër. Thesht që Lulzim Basha ka ngrirë Berishën.

“Ngrirja” si proces politik nuk parashikon një “shkrirje” blic siç ndodhi në Foltore, pasi nuk ndodh, se produkti kalbet.

Në fakt edhe vetë Berisha, në rastin e shpalljes së tij Non Grata, e konsideron si “ngrirje”, që në një kohë të dytë, një administratë e re do ta “shkrijë” atë së bashku me familjen.

Është interesante, se askush nuk e ka komentuar që prej ditës së djeshme, por kryetari i PD, Kryesia, Këshilli Kombëtar e të gjitha strukturat e saj, janë shkarkuar në Kryefoltore, thjesht sepse kanë ngrirë Sali Berishën nga grupi parlamentar.

Një logjikë krejt e paqenë, pasi Sali Berisha, nëse e quan veten “luan politik” mund të ecë në xhungël e të mbijetojë, siç kanë bërë gjithë të tjerët që ai i ka ngrënë për 30 vjet me radhë. Në fund të fundit, përjashtimi i Berishës, nuk përbën aspak një kauzë.

A nëse është kauzë, kundërshtimi politik i vendimit të SHBA-së për shpalljen Non Grata të Berishës e familjes së tij, siç në fakt është elaboruar nga disa mbështetës mediatikë t ë ish-kreut të PD-së, do të duhet të ishte elaboruar sinqerisht e hapur. Por edhe pse Sali Berisha e ka lineuar si betejë kundër SHBA lëvizjen e tij politike, atë për të rimarrë PD-në e fsheh në skuta statutore. E këtu, siç e ka zakon thjesht kryen një puç, por krejt të paqepur mirë.

Njerëz që mbështesin Foltoren premtuan transparencë për listat e formularëve që kërkonin mbledhjen e 11 dhjetorit. Nuk ë bënë kurrë. Nuk pati asnjë publikim të të gjithë emrave, ndërkohë të shtunën, nuk u lanë kamerat në Air Albania, si dhe nuk erdhi kurrë ajo transparencë e çdo delegati. Gazmend Bardhi nga ana e tij, i rrëzoi argumentet e Berishës duke përmendur një listë të gjatë të Kuvendit të 18 dhjetorit. Të cilët, janë realisht anëtarë të këtij organi, ndryshe do të kontestoheshin nga Berishjanët. Argumenti i vetëm ishte se janë shkarkuar drejtuesit e degëve apo seksioneve që hyjnë në Kuvend automatikisht. Por ishin vetëm 11 kryetarët që shkuan me Berishën.

Pra, edhe politikisht edhe juridikisht “Kuvendi” i Berishës pati bujë por jo një legjitimitet. Ndryshe, do të sillte pasoja gjithë ajo zallamahi.

Por nga ana tjetër. Lulzim Basha, në ditën e themelimit të PD-së, vuri në oporrin e selisë së saj gjurmët e firmëtarëve të parë të Partisë Demokratike, duke zbuar Sali Berishën nga froni, edhe pse ndoshta jo në “hollin e famës”. E ky ishte një veprim i fortë politik që është një kauzë, edhe pse Basha është një personazh politik i brishtë e i përshtatshëm për meme.

Por meme, pa meme, Sali Berisha është larguar nga oborri i PD-së, ai oborr, kur deri dje të flisje për doktorin të prishnin edhe depozitën e ujit në tarracë siç i ka ndodhur professor Ylli Vejsiut vite më parë. E kjo nuk është fare pak, që Sali Berisha e di mirë.

Përveç logjikës politike, Lulzim Basha ka thirrur të gjitha organet partiake që ka statute; kryesi, këshill Kombëtar e kolegjin e kryetarëve të degëve, ku ka pasur shumicën e ka marrë mbështetjen. Mbetet vetëm Kuvendi i 18 dhjetorit për të parë realisht si është situate, kohë kur edhe Berisha ka shpallur votimin për “referendumin e shkarkimit të Bashës”. Por deri atëherë ka edhe një javë kohë. Sot, mund të thuhet se PD ka zhbërë vendimet e Kryefoltores së Sali Berishës që e quajti Kuvend, ku edhe ngriti një “regjencë” me Belind Këlliçin në krye…/ Gazeta "Tema" 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë