Ylli Pata: ‘Përmbysje për Drejtësi’! Motoja elektorale e ‘sovranistëve’ shqiptarë

Ylli Pata: ‘Përmbysje për Drejtësi’! Motoja elektorale e ‘sovranistëve’ shqiptarë

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Për herë të parë në këto 30 vjet, po vjen një sinjal i brendshëm nga ajo që quhet klasë politike e postkomunizmit në Shqipëri për të hapur rrugën. Megjithëse personazhet që e kanë sjellë këtë zë, kishin kohë shumë kohë që kishin hapur rrugën.

Bëhet fjalë për Namik Doklen dhe Et’hem Rukën, dy nga protagonistët e politikës së re shqiptare në vitet 90, të cilët vinin nga pjesa intelektuale e shoqërisë.

Në emisionin e Luan Ramës, si Dokle, ashtu edhe prof.Ruka, kanë lëshuar sinjalin apo alarmin më mirë, se nuk ka asnjë logjikë që kasta e vjetër të ngjitet pas karrikes, por t’ja lërë vendin të rinjve.

Në Shqipëri ka mjaft politikanë të tërhequr ose që nuk janë në radhën e parë si dikur, por vihet re që sa herë sillen në publik mbrojnë apo përkrahin përfaqësuesit më autentik të asaj që quhet “kastë e ndryshkur politike në vend”.

Qëndrimet e profesor Rukës dhe Namik Dokles, janë shumë të rralla në këto vite prej njerëzve të sërës së tyre. Pra ish-drejtues shteti të rëndësishëm, të cilëve fjala u peshon. Në këtë situatë natyrisht ka mjaft arsye nuk kanë lidhje me bindjet, por edhe me prioritetin se kush duhet ta ndryshojë rrëznjësisht këtë mentalitet politik në vend.

Ku rikthimi i Sali Berishës në krye të partisë që drejtoi për 30 vjet quhet risi e “rithemelim” e rimarrja e partisë që drejtohej nga gruaja e tij prej Ilir Metës , konsiderohet një risi politike.

“Nuk kanë çfarë japin më”, tha profesor Ruka, e që përbën “A”-në e të gjithë kësaj ngjarje që mban peng jo vetëm ndryshimin, por të gjithë mjedisin publik në vend, i cili është i intoksikuar nga mllefi, e ku teatri i personazheve të mllefosur është kthyer si një torturë që vres ngadalë çdo njësi e risi në vend.

Pasi kanë ngrënë livadhin e tyre e të të gjithëve që kanë gjetur përpara, fantazia e propozimeve të kësaj kaste është zero, megjithëse mundësia për të financuar çdo mendje pjellore nuk mungon.

Mund të mbështesin talente për t’I futur në ugarin politik, ani se i kanë nën sqetull. Kanë një ide fikse, e janë kthyer në filozofët e “rinj” që kërkojnë “Përmbysje për drejtësi”. Një utopi reale në një sistem që tashmë po funksionon, edhe pse është e ngadalshme, jo perfekte, që nuk po përmbush pritshmëritë e njerëzve, gjithsesi është një sistem i ri. Ku janë larguar gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve të vjetër, e po zëvendësohet me njerëz të rinj.

Sot një process në Gjykatën e Strasburgut, u përjetua si një fitore e madhe, edhe pse fitorja qëndron diku tjetër, e jo në anën e tyre që bërtitën që “vettingu u rrëzua”.

Vettingu është një process që kalon në sitë çdo prokuror e gjyqtar, të cilëve nuk i është mohuar asnjë e drejtë kushtetuese për ta përballur vendimin ndaj tyre në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Madje deri në Strazburg, e cila është një gjykatë që është bazike e drejtësisë shqiptare. Do të ketë shumë vendime të tilla, pasi jo çdo herë janë të drejta vendimet e dy shkallëve të institucioneve të vettingut. 

E sa më shumë vendime, aq më shumë ata kthehen në legjislacion për të bërë edhe më mirë, dhe jo në mënyrë sipërfaqësore sitën ndaj njerëzve të drejtësisë. Kush bërtet për “drejtësi popullore”, natyrisht që vendimi i Strasburgut përgënjeshtron me hyrjen në sistem në një pushteti që po tenton të jetë i pavarur. E që ka mbështetje shumë të fortë nga SHBA, e cila nuk po kursen as mazhorancën, e cila ka qenë forca politike që e ka mbështetur politikisht e me kosto reformën në drejtësi.

Megjithatë, si nga Berisha, ashtu edhe nga Meta, që duken gjithnjë e më larg çdo perceptimi publik, i bihet “pykës” së përmbysjes për të zhbërë drejtësinë. Një utopi që sa herë hidhet në publik, aq anakronike ngjan e nuk ngjit, por gjithsesi nuk i ndahet. Sepse realisht përmbysja nuk ka të bëjë me rikthimin, por me një ortek të madh politik që i merr të gjithë me vete.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Bulqizë! Policia gjen një motor të djegur

Të shtëna me armë zjarri në Bulqizë! Policia gjen një motor të djegur