Ylli Pata: Pse ngrihen në karrierë ambasadorët e SHBA në Shqipëri?!

Ylli Pata: Pse ngrihen në karrierë ambasadorët e SHBA në Shqipëri?!

Ambasadorët e SHBA në Shqipëri ndër vite

Parë në logjikën e analizës tallava që bëhet çdo natë në panelet televizive prej vitesh, ngritja në detyrë e ambasadorëve amerikanë që janë armiq të Sali Berishës dhe Ilir Metës, mund të duket punë inati. Kur Berisha u prish me Alexandër Arvizu-n, menjëherë pas zgjedhjeve të 2013-s, mediat pranë tij përhapën lajmin se Arvizu do të largohet nga Shqipëria.

E shkruan që në Shqipëri do të vijë një diplomat si Donald Lu, i cili ka punuar me Frank Wisnerin, i cili ishte pajtuar si lobist nga Berisha për një farë kohe. E kështu u hap ideja se Lu do të ishte një dashamir i PD-së dhe liderit të saj.

Por Arvizu qëndroi edhe një vit më shumë, e para se të pensionohet shkoi në një post të lartë në DASH, përkatësisht në drejtorinë kundër narkotikëve.

Të njëjtën gjë thanë për Donald Lu-në, mediat e Berishës i ndollën shkarkimin sapo fitoi Donald Trump. Donald Lu jo vetëm që nuk u shkarkuar, por u dërgua me mision si ambassador në një vend satelit të Moskës, Kirgistan ku ndodhën shumë trazira. Për të cilat Meta president, përkrahu trazirat që u financuan, mbështetën dhe inskenuan prej Rusisë. Pas Kirgistanit, Donald Lu, u emërua në një post shumë të lartë në Departamentin e Shtetit, përkatësisht numri 3 i tij.

Sa për zonjan Yuri Kim, ç’nuk kanë thënë e shkruar, s’ka pse të ketë nevojë për koment. Është e blerë, e kapur, e lidhur, ka qëndrimin e saj e të sorosit jo SHBA etj si këto.

Ambasadorja Kim, e cila vjen nga një post i lartë në DASH si shefe kabineti e sekretarit aktual Antony Blinken, kur ky i fundit ka qenë numri tre i diplomacisë amerikane do të drejtojë zyrën apo Byronë siç quhet, më të rëndësishme; atë për Europën.

Në fakt, përveç ambasadorit  të parë të SHBA pas rrëzimit të komunizmit, William Ryerson, si dhe ambasadorit John Withers që u pensionuan pas mbarimit të mandatit në Tiranë,(pranuan vetë për faktorin e moshës), të gjithë diplomatët e lartë të Uashingtonit në Shqipëri janë ngritur në detyrë. James Jeffrey, një diplomat që vinte nga spaletat e ushtrisë, u emërua numri një i ambasadës amerikane në Irak, pikërisht pas rrëzimit të Sadam Huseinit.

Marcie Ries, gjithashtu pati një ngritje të rëndësishme në karrierë. i ndjeri Joseph Limpreht, në fund të mandatit të tij në Shqipëri, humbi jetën nga një atak zemre gjatë një vizite në Lurë me gruan e tij. Edhe të ndjerin Limpreht e sulmuan me bataretë e turpit dhe të baltës, edhe pse ai ishte një nga pionierët e rritjes së imazhit të Shqipërisë. Chris Hill, i cili ka qenë njeriu që ka hapur ambasadën e Tiranës në 1990, doli në pension dhe Blinken e thirri ta dërgojë në Beograd me mision special, pikërisht për ta shkëputur Serbinë nga Rusia.

Po si ka mundësi që të gjithë të dërguarit në Tiranë marrin promocion? Logjikisht vetë fakti nuk ka nevojë fare për koment. E tregon zhvillimi. SHBA e konsideron Tiranën një kancelari diplomatike me rëndësi strategjike për diplomacinë amerikane, ndaj sjell ambasadorë të kapaciteteve të larta. E detyra këtu ka një rëndësi të dorës së parë. Përgjithësisht në Tiranë zhvillohen mjaft takime të ambasadorëve amerikanë të rajonit, për breefing, diskutime, shtrim idesh, shoshitje qëndrimesh e mendimesh.

John Withers, para se të vinte në Tiranë, ishte Drejtori i Operacioneve të Departamentit të Shtetit. Një rol që konsiderohet si pjesë e korridorëve të butonëve, pra ku merren vendimet. Ardhja në Tiranë nuk ishte ulje në karrierë, por një mbyllje që në DASH ka peshën e tij. Departamenti i Shtetit është institucion që ka natyrisht drejtim politik, por pjesa më e madhe e pasurisë së burimeve njerëzore janë diplomatët, që janë jetikë jo vetëm për operimet, por në radhë të parë për idetë e qasjet që furnizojnë politikanët, qoftë në Kongres, Shtëpinë e Bardhë, CIA, Pentagon apo edhe vetë DASH.

Diplomacia e një shteti, sidomos një fuqie të madhe është resurs bazik i funksionimit të objektivave strategjikë që ai ka. E ky zhvillim jo i rastësishëm me ambasadorët e SHBA në Tiranë, është pikërisht shenja e një politike tashmë të betonuar të Amerikës me Shqipërinë e shqiptarët në Ballkan./TemA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • joni: 15/06/2023 19:12

    Po limprefti pse nuk esht aty ke foto?

    Përgjigju
    • cash: 17/06/2023 13:25

      Eshte ne parajse pas parajses fizike buze liqenit me Gjonin.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar