Ylli Pata: Pse nuk ngjisin kërcënimet fashiste ndaj prokurorëve të SPAK?!

Ylli Pata: Pse nuk ngjisin kërcënimet fashiste ndaj prokurorëve të SPAK?!

Altin Dumani

Të nesërmen e shpalljes së pandehur të Sali Berishës, vajza e Remzi Hoxhës, Qëndresa, përkujtonte si çdo vit përvjetorin e zhdukjes së babait të saj. Qëndresa, në mesazhin e saj i drejtohej dashurisë atërore, mallit të pashuar e natyrisht asaj ndjenje që ja ka tharë shpirtin siç çdo qënie njerëzore që nuk ka një nam e nishan të prindit që i mungon prej 30 viteve.

“Më ka marrë malli shumë për ty. Dhimbja e pazëvendësueshme dhe zbrazëtira që kemi në shpirtë nga malli për ty është si një oqean i pashterrshëm. Padrejtësia për rastin tënd makabër ska kufi. Ti meriton shumë, si një njeri bujar që ishe dhe drejtësia herët a vonë ka për të dalur në shesh”, shkruanta bija për babain për të cilin tashmë dihet çdo gjë se si ndodhi, pse dhe kush e bëri. Pasi janë bërë edhe procese, janë dhënë edhe dënime, të cilat më pas nuk u zbatuan, pasi u rrëzuan.

Megjithatë, familja e Remzi Hoxhës nuk kërkoi asnjëherë, e natyrisht nuk tentoi që të merret personalisht me personat që ja bënë atë mënxyrë babait të saj. Këtë e kanë thënë publikisht jo vetëm njëherë, megjithëse janë tërhequr nga një pjesëmarrje aktive në public në lidhje me çështjen,

Ky është një rast i rëndë, por sinjifikativ. E megjithatë nuk është i vetmi. Familja e Remzi Hoxhës çdo vit, e ka thënë fjalën e saj për fajtorët për zhdukjen e babait, madje kanë bërë edhe një ofertë të rëndë, por të rëndësishme për ta që ta dinë ku ndodhen eshtrat e tij që ata të kenë një vnd ku të prehet.

Ata, pra familja Hoxha e ka drejtuar gjithmonë gishtin te Sali Berisha, por këtë e kanë bërë kur Berisha ishte i fuqishëm. Kur ra nga kali, me një fisnikëri të nivelit të lartë nuk u morën më me të. Kjo shihet qartë në statusin e së bijës së të ndjerit, e cila kishte shumë mundësi të shkruante se ndjekja penale e njeriut që ata akuzojnë qëlloi pikërisht në ditën e kobshme, që edhe mund të ishte lidhur logjikisht me drejtësinë Hyjnore me atë që populli thotë se “në këtë botë lahen gjynahet”.

E ky frangment nuk është rast, por është fenomen i pastër shqiptar. Ka disa ditë, që kur Sali Berisha është shpallur i pandehur, që disa brigadistë këmishzinj në ekranet e darkës bëjnë thirrje për vrasje të prokurorëve dhe gjykatësve që kanë shpallur doktorin të pandehur. Por këto thirrje bien në vesh të shurdhër, sërish i përsërisin e sërish nuk ngjisin.

Edhe pse e tjerrin muhabetin duke sjellë mesele nga “Italia e Greqia” ku njerëz nën hetim për korrupsion janë hakmarrë ndaj prokurorëve e gjykatësve. Gënjeshtra! Asnjë prokuror apo gjykatës që ka hetuar për korrupsion, lidhje me mafian, evasion fiskal, marrëdhënie seksuale me minorene etj, ndaj të ndjerit Silvio Berlusconi nuk i është prekur asnjë fije floku. Asnjë prokuror, gjykatës, që ka dënuar për korrupsion të ndjerin Bettino Craxi nuk ka pësuar asgjë.

Madje këtu mund të shtohet se djali e sidomos vajza e Craxit, luftuan fort për të vërtetën e tyre për babanë. Ditë për ditë. Stefania, vajza që u kujdes deri në momentin e fundit për babanë, jo vetëm fizikisht, por që shkroi e redaktoi të gjithë mendimet dhe shkrimet e tij, sot është Senatore e Republikës Italiane. 

Madje ka vizituar edhe Shqipërinë si drejtuese zyrtare e një delegacioni. Flet për babanë e saj me krenari, edhe pse një pjesë nuk është dakord me ato që thotë. Por as Stefania, e aq më pak i ndjeri Bettino, kryeministër e ministër i Jashtëm i Italisë, që bëri epokë, edhe pse qëndroi pak në pushtet. Megjithatë, kishte hije e probleme në pushtetin e tij, dhe e pagoi këtë njollë me një vetsakrifikim spartan.

Të njëjtën gjë bëri edhe kryeministri mitik italian, Gulio Andreoti, apo edhe Silvio Berlusconi, i cili e kaloi jetën e tij me procese pa fund. Madje me humorin e pashtershëm furnizoi edhe emisionet satirike. “Java ime është shumë e ngjeshur: Të hënën kam mafia-paradite e pasdite, të partën, evasion fiscal vetëm paradite, të mërkurën kam Ruby, të enjten sërish mafia, të premten korrupsion, të shtunë e të djelë sërish mafia e korrupsion”. 

Silvio Berlusconi nuk u ndal në asnjë ditë në betejën gjyqësore, edhe pse ishte një kalvar i frikshëm. Madje mori një dënim që e shleu si shërbim social në një azil. Ku u hoqi edhe të drejtën për të qenë në Parlament. Më pas e apeloi dhe e çoi në Strasburg, kur mori jo pafajsi por të drejtën për tu zgjedhur. Vdiq me shumë procese e madje edhe dënime në shpinë, por qanë dhe e respektuan shumë miq dhe armiq.

Ku është pra shembulli që thonë këmishzinjtë që në Itali e Greqi, janë marrë personalisht me prokurorët? A, ka një precedent, e ai është themeluesi i fashizmit, Benito Musolini. Një nga politikanët dhe shtetarët që sot historia e konsideron ndër më të shkathtit e inteligjentët. Por përfundoi keq, jo vetëm i vrarë, por edhe i varur kokëposhtë. Pasi ai, Musolini shpiku atë që konsiderohet si “drejtësia popullore”, ku ndëshkon atë që ti mendon se gabon pa i bërë një gjyq.

Brigatizmi, siç quhet fashizmi në gjuhën politike, pra kur militantët janë paramilitarë nuk ka qenë i njohur vetën në Italinë e Musolinit, Gjermaninë e Adolf Hitlerit apo Spanjën e Frankos. Edhe këtu në Ballkan i kemi me shumicë.

Serbët, politikën e tyre e kanë të ngjizur me paramilitarë. Të gjitha partitë e rëndësishme serbe kanë pasur struktura paramilitare ku kanë luftuar e vrarë kundërshtarët e tyre. Shqiptarët jo! Kur u rrëzua komunizmi, pavarësisht se përhapin fake nevvs-e, viktimat më të tmerrshme të atij regjimi gjakatar nuk kërkuan hakmarrje, por drejtësi.

I kemi sot aktorë aktive të jetës publike: Visar Zhitin, Spartak Ngjelën e Fatos Lubonjën! i njohin të tre personat që ju nxinë jetën, madje i njohin mirë sepse i kanë përshkruar në perlat e tyre memoristike që janë xhevahire të historisë së kombit shqiptar.

Kurse ata që për hir të interesit të peshkaqenëve që sot mendojnë se po i gjykojnë pa prova, edhe pse në gjendje të lirë, thjesht se i kanë ngrirë apartamente, vila, llogari bankare, e quajnë një krim. Në fakt ka njerëz që kanë përjetuar krim, madje të rëndë si Qëndresa Hoxha, e cila së bashku me vëllezërit e saj nuk ka bërë atë që thojnë këmishëzinjtë, por pret drejtësinë. E ky, quhet thjesht: civilizim. E kanë bërë edhe Roma e Lashtë dhe Athina, jo vetëm Italia e Greqia…

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë