Ylli Pata: Pse shpërtheu bomba në PD pas vendimit të Kushtetueses

Ylli Pata: Pse shpërtheu bomba në PD pas vendimit të Kushtetueses

Sali Berisha dhe SPAK

Shpërthimi “I papritur” i inatit ndërmjet njerëzve brenda PD-së pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Sali Berishën nuk është i rastësishëm.

Në atë mjedis politik ka një marrëdhënie të ngurtë dhe jo aq normale mes komunitetit. Pasi thuajse të gjithë, kush më shumë e kush më pak, kush me shpirt e kush me interes, kush me të vërtetë e kush me aktrim, janë ngërthyer në problemin juridik e penal të Sali Berishës.

Një boomerang politik që nuk ndodh në asnjë vend të botës, kur një politikan është thirrur për tu përgjigjur në drejtësi. Republikanët francezë apo neogolistët siç quheshin më parë, nuk janë marrë fare më çështjet penale të presidentëve të tyre: Jacques Chirac apo Nicolas Sarkozy, edhe pse partitë e tyre patën probleme elektorale. Socialistët italianë, nuk u morën me gjyqin ndaj Betino Craxit, apo as njerëzit e Forza Italia-s me ato të Berlusconit, edhe pse kjo forcë politike ishte më shumë një ndërmarrje. Kishte Berlusconi ekipin e avokatëve që ndiqnin gjithçka, kurse në public politikanët bënin thirrje që respektoni drejtësinë, edhe pse kritikonin pafund prokurorët.

Asnjë problem nuk ka nëse kjo opozitë kritikon SPAK dhe e arrin ta bëjë çështje politike këtë gjë. Ta bëjë kauzë sesi synon ajo ta ndryshojë këtë drejtësi që e quan të njëanshme. Por deri tani kemi vetëm një qëndrim, atë të Berishës, i cili thekson se do ta prishë e shkatërrojë SPAK nëse vjen në pushtet. Një pamundësi totale sepse Prokuroria Speciale është institucion kushtetues, ndaj edhe nëse fiton doktori, nuk do të ketë kurrë numrat për të ndryshuar Kushtetutën.

Në PD, kur duan të sulmojnë mazhorancën i dërgojnë kallëzimet e tyre në SPAK, madje thonë që së shpejti do të ndodhë kjo e do të ndodhë kjo, duke u kthyer në Kasandra politike. Megjithatë duket qartë se çështja penale politike është kthyer jo vetëm barrë për PD-në dhe opozitën, por edhe një boomerang politik që i është kthyer faqeve, në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ku nuk ka asnjë organizim normal të bazës apo motivim të njerëzve që përbënë komunitetin e demokratëve për tu zgjedhur e angazhuar në fushatë. Duket se e gjitha kjo situatë nuk është problem për Sali Berishën, madje duhet thënë se ai e mban pezull, pikërisht për të mos krijuar motivim dhe shpresë që aktivistët të mund të presin ndonjë angazhim politik.

Doktori, siç e tha edhe në intervistën e fundit ku sulmoi Ivi Kason, se nuk ka qëndrim ndryshe përveç atij që japin avokatët e tij. Ndërkaq, ka një situatë të qartë zhgënjimi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga njerëzit pranë Berishës pore dhe mbështetësit.

Nga ana logjike ata duhet ta prisnin këtë vendim, pasi është normale që të ndodhte. Berisha nuk është në arrest shtëpie sepse kjo ishte kërkesa e parë e SPAK, por sepse kreu i PD nuk e pranoi të paraqitej në prokurori, siç kërkonte vendimi i Gjykatës Speciale. Sot Berisha ka dy shembuj analogë, ku deputetë të tjerë si Fatmir Mediu dhe Monika Kryemadhi, janë nën hetim, e vijojnë normalisht të paraqiten në SPAK, duke mos u penguar nga veprimtaria politike.

Por duket se pritshmëria nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese vinte nga ndonjë iluzion se do të ndërhyjë mazhoranca pas pakteve që bënë së bashku më shumë se një herë. Kjo frymë ishte edhe në mjediset afër lidershipit të PD-së. Jo më kot ishte paraqitur edhe kërkesa që të kemi një vendim pas zgjedhjeve në SHBA, ku mendohej se do të hiqej vëmendja nga reforma në drejtësi.

Vendimi kundër Berishës nga Kushtetuesja, është marrë nga njerëzit pranë Berishës si një sinjal që vjen nga përtej oqeanit, ku u shpresua se do të ketë ndonjë lëvizje.  Shpresë që vjen jo kot, por nga lobimi që është bërë, i cili kushton. E që sipas gjasave do të jetë bumerangu numër dy pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. /TEMA/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papa Françesku hap Portën e Shenjtë të  Bazilikës së Shën Pjetrit dhe nis Jubileun: Krishtlindjet, porta e shpresës është hapur për botën

Papa Françesku hap Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit dhe nis Jubileun: Krishtlindjet, porta e shpresës është hapur për botën