Ylli Pata: Shkaqet e një guguleje të panevojshme në Kuvend

Ylli Pata: Shkaqet e një guguleje të panevojshme në Kuvend

Gjithë ai tension që u zhvillua sot në Parlamentin e Shqipërisë, u mbyll me një kërkesë të Taulant Ballës, mbledhjes së Këshillit të Mandateve, që vendosi seancën për Arben Ahmetajn nesër.

Pyetja është, a do të zbutej situata nëse Këshilli nuk do të linte të hënën si ditë për të miratuar kërkesën e SPAK, por siç ndodhi sot, ta linte për nesër? Më shumë ka gjasa që jo, por mazhoranca do të duhet që në fillim të kishte bërë gjithçka që të merrte konsensusin e opozitës për seancën.

Gjithsesi debati politik për këtë çështje, që në fakt nuk po bëhet thjesht për çështjen do të vazhdohet edhe nesër ndoshta me të njëjtat tensione e temp të debatit politik, ndoshta edhe më shumë.

Megjithatë, e rëndësishme është gjykimi i ftohtë i situatës apo çështjes bazë që ka sjellë përplasje e tension, sesa gossip-et që vijnë e do të vijnë e përhapen ditë pas dite, për nevojat e politikës së ditës.

SPAK ka sjellë në Parlamentin e Shqipërisë, një kërkesë për të marrë leje që të arrestojë deputetin Arben Ahmetaj, gjithashtu të kontrollojë banesat e tij, pasi sipas Kushtetutës nuk mund ta ndalojë e kontrollojë pa këtë leje.

Kërkesa e SPAK nuk përbën një flagrancë, e as një kërkesë ndalimi për të parandaluar një prishje apo fshehje të provave. Prokuroria Speciale, ka thuajse një vit që heton Arben Ahmetajn, mbi të cilin ka disa denoncime të bërë prej kohësh. Si nga koha kur ai ka qenë pjesë e qeverisë, e si kur Ahmetaj nuk ishte më pjesë e kabinetit qeveritar.

Siç është bërë publike, SPAK thuajse e ka qepur dosjen në mënyrë të bollshme, dhe e akuzon Arben Ahmetajn për tre vepra penale, që nga fshehja e pasurisë, korrupsioni pasiv e pastrimi i produkteve.

Kjo akuzë, është një formulim penal i rëndë, e pikërisht duke qenë se SPAK ka arritur në përfundimin se jemi në kushtet e një vepre penale, që nëse bashkohet ka një dënim me dy shifra, atëherë ka kërkuar masën e arrestit me burg.

Pra, arresti nuk është kërkuar si parandalim, por si rrjedhojë, si ilustrim i tre veprave të rënda për të cilën Prokuroria Speciale akuzon deputetin Arben Ahmetajn.

Pavarësisht goss-ipit që del nga një mundësi largimi e ish-zv.kryeminisrtit, fakti bazë është se nëse ai nuk përballet me akuzën, pra largohet edhe pasi Parlamenti jep lejen për arrest, e GJKKO e konfirmon, ai rëndon pozitën e tij, duke shtuar edhe një akuzë të katërt ndaj tij, duke shkuar kështu në një mundësi dënimi që i afrohet atyre personave që kanë konsumuar krim flagrant e të rëndë si vrasja. Me fjalë të tjera, nëse deri më sot, parashimi penal ndaj Ahmetajt sipas akuzës shkon në 12 vjet, në mosparaqitjen e tij, ai mund të shkojë në 20.

E me këto parashikime penale, nuk ka asnjë mundësi as azili e as fshehje, e do të kthehej në një nga personat më të kërkuar nga Interpol, duke u vendosur në krye të listës, gati pranë kryetrafikantëve të drogës e armëve, apo vrasësve serialë.

Përtej zhurmës, apo histerisë që shoqërohet në raste të tilla, Arben Ahmetajt i leverdis vetëm version i përballjes së akuzës, për ta bërë të mundur që të rrëzojë ç’ështe e mundur për të ulur peshën penale që i ka vendosur në shpinë SPAK.

Betino Craxi, ish-kryeministër i Italisë, me një njohje personale me shumë nga lider vendesh autoritare jo demokratike, arriti të marrë azil vetëm në Tunizi, liderin e të cilës, e kishte mik të ngushtë. Pikërisht mos paraqitja në gjyq e rëndoi edhe më shumë pozitën e tij gjyqësore, ku u dënua më shumë nga largimi, sesa nga bërthama e akuzës, e cila u çmontua nga ekipi i mbrojtjes. Sot, figura e Craxit është thuajse e reabilituar, e këtë reabilitim po e përfitojnë fëmijët e tij. Djali është deputet e politikan në partinë e Berlusconit prej vitesh, siç dhe e bija-senatore e njohur. E cila para pak kohësh ishte në Tiranë si kreu i delegacionit i Senatit të Italisë, ku ju bënë natyrisht nderimet më të larta.

Pra, përtej zhurmës, si nesër, si të hënën, Arben Ahmetaj por as mazhoranca nuk përfiton asgjë nga e shtuna dhe e djela. Vendimi do të merret sërish.

Po përse ndodhi kjo gugule që pamë? Zhurma u shkaktua kryesisht nga Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku, Dashnor Sula, Saimir Korreshi e Dhurata Çupi. Deputetë të Partisë Demokratike, të cilët kanë bojkotuar dhe e kundërshtojnë procesin zgjedhor të kryetarit të PD-së më 29 korrik, e kështu ata po negocojnë me Lulzim Bashën në distancë për të mos i lënë jashtë PD-së që ai do të formësojë pas zgjedhjeve.

Ndërkaq, gjasat që proceset gjyqësore të prodhojnë procese politike përmbysëse, shkurt që kjo mazhorancë të bjerë, duke provokuar procese politike drejt zgjedhjeve të parakohshme, mund të shtohen madje shumë nëse opozita do të rindërtojë modelin, dhe lidershipin e saj. Pavarësisht zhurmës, aktualisht Shqipëria, nëpërmjet SPAK, po përjeton një proces që është ngritur e mbështetur, madje edhe mbrojtur fort nga Partia Socialiste. E cila është kumbara e Prokurorisë Speciale. Berisha, Meta, e mbështetësit e tyre, e quajnë SKAP dhe e konsiderojnë armik aq të ashpër sa Edi Rama.

Një ekip politik që të jetë antimodeli i mazhorancës jo vetëm me fjalë, por edhe me ide e kapacitete reale mund të prodhojë me shumë gjasa një process politik real edhe para 2025-s. Por nuk do as mend e as kalem, se çdo grupi politik të ri, do t’i duhet një kohë për të arritur të njihet, e pala tjetër të demaskohet gjithnjë e më shumë që të shkojnë në zgjedhje si të favorizuar. Por e gjitha kjo është politikë e do të duhet të analizohet në vijim e sipër. 

Tani për tani ja vlen të komentohen dosjet e rëndësishme të SPAK ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. E dosja aktuale që diskutohet nesër, hap precedentin e fshehjes së pasurisë, ku si pasojë direkte ka sekuestrimin e pasurisë që sipas SPAK është marrë në mënyrë të paligjshme. E këtu, duket se jemi në fillim fare. Ka kohë për më shumë koment…

 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT