Ylli Pata: Tensioni politik me shiringë që daravit çdo re opozitare

Ylli Pata: Tensioni politik me shiringë që daravit çdo re opozitare

Sali Berisha

Nervat e ngritura dhe shfryrja e qarqeve pranë Sali Berishës, ndaj ironisë dhe kritikave që vijnë nga ambjente antiqeveritare për protestat e tij, duket se ka një synim të caktuar. Si për tu thënë se nuk keni nga shkoni, pasi i vetmi që mund të mbledhë njerëz në bulevard është doktori, e ju nuk e bëni dot. Fiks siç ju tha kur shpalli se do të kthente konkurrimin e lirë në PD duke rrëzuar Lulzim Bashën, e u vu vetë në krye, së bashku me skifterët e tij, duke mos afruar asnjë segment opozitar, qoftë edhe ky i ashpër ndaj Ramës, që nga Evi Kokalari e të tjerë, të cilët siç dihet u zhgënjyen dhe ju kthyen kundër.

E gjithë kjo panoramë ishte e parashikueshmë që kur nisi aksioni i Sali Berishës, të cilit më pas ju bashkua edhe Ilir Meta. Ata duan thjesht të marrin në dorë opozitarizmin, të cilët e identifikojnë vetëm me veten e tyre.

Opozita nuk mund të jetë as Sali Berisha, as Ilir Meta, as deputetët që janë pjesë e botës antiqeveritare në parlament dhe shoqëri. Opozita është frymë, ide, artikulim, e natyrisht një aksion politik. i cili së paku përfaqëson një pjesë të madhe të opinionit publik.

Ndërkaq, Sali Berisha dhe Ilir Meta, përfaqësojnë një pjesë të vogël të këtij opinion publik, që sipas çdo sondazhi shkon të 20% e votuesve opozitarë. Ndërkaq, mbi 70% të njerëzve kërkon të mos i shohë më sy jo vetëm në politikë, por edhe në ekran.

Realisht kjo është revolta politike në Shqipëri, që tregohet me kundërshtinë masive ndaj dy dinosaurve të tranzicionit shqiptar. Revoltë që është përkthyer në votën që ka marrë Edi Rama për tre mandate.

Ndërkaq, tensionimi politik me shiringa, që po tentojnë të bëjnë për të mbajtur protagonizmin e zhvillimeve, nuk është gjë tjetër, veçse një taktikë alla Big Brother, ku njeriu që tenton të fitojë sulmon e shan sa më shumë më të fortin brenda shtëpisë.

E njëjtë është edhe loja me Bild online gjerman, të cilin e tentuan edhe në vitin 2019, duke i dërguar një pjesë të dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pra përgjimet që një prej prokurorëve kishte urdhëruar ndaj zyrtarëve të shtetit, por që nuk i përdori kurrë për të hetuar problemet e artikuluara të zgjedhjeve lokale në Dibër, por ua dorëzoi si trofe Sali Berishës e Lulzim Bashës. Një vepër penale e dorës së parë, që po të ketë realisht shtet tek ne, jo vetëm prokurori, por edhe ai që e shpërndau do të penalizohej shumë fort.

Bild është një tabloid në Gjermani, e ndryshe nga çfarë shitet tek ne nuk është gazeta politike më e rëndësishme, por një media përgjithësisht bulevardeske që i ngjan The Sun-it britanik.

Po gjithsesi, nuk është Bild ajo që mund të shtyjë opozitën apo politikën shqiptare, por janë faktet që janë publike dhe të vulosura në të thatë. Për një javë me radhë para protestës, shumica e paneleve janë rrekur të thonë se MCgonighal ka bërë Sali Berishën Non Grata në SHBA. Një mufkë totalisht jashtë realitetit, pasi atë e ka bërë qeveria e SHBA, që është institucioni më i rëndësishëm në tërë globin sot. Shto këtu edhe qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, e cila gjithashtu është një nga institucionet më të rëndësishme në botë.

Janë të dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së meqë ra fjala. Vjet ja vunë Sorosit, më pas ambasadores Yuri Kim, e sot është gjetur Mcgonighal. Kur të mbyllet gjyqi i tij, me siguri do të gjendet një tjetër yçkël apo kleçkë, për tu mbajtur, për të kavërdisur revolucionin, duke i shtuar sa më shumë ujë që të mos digjet. Se në fakt kështu ka ndodhur, pasi kauza është marrë rrugës, duke rrotulluar si qerthull rrëzimin e Ramës.

Një shtet, anëtar i NATO-s nuk rrëzon dot një qeveri që vjen me votë me revoltë pakice, thjesht duhet të fitosh në zgjedhje. Zgjedhje që Sali Berisha, por edhe Ilir Meta, thonë gjithmonë se do marrin pjesë, por në fund i braktisin, siç e kanë bërë të gjithë këto vite.

Një qeveri, një mazhorancë, rrëzohet nëse ke një alternativë por jo kauza të fryra me sponsorizime online. Revolucioni vërtet është proces, por do Maratë apo Roberspierë, e jo figura të oborrit të Luigjit të IV, që nuk ndërtuan as një Versajë…

 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE