Ylli Pata: Zgjedhjet e pjesshme, fati që i ka ardhur në derë Lulzim Bashës

Ylli Pata: Zgjedhjet e pjesshme, fati që i ka ardhur në derë Lulzim Bashës

Mbështetës mediatikë të Ilir Metës po rreken këto ditë të argumentojnë, se dekretimi i zgjedhjeve të pjesshme lokale janë realisht mekanizmi më i fortë kundër Lulzim Bashës.

E për këtë argument i referohen klishesë se Basha ka zët votën thuajsë njëjtë si ai që ka inat sapunin.

Por, po të shikosh situatën në terren, ata që kanë frikë dhe po tentojnë të pengojnë zgjedhjet e pjesshme lokale janë Sali Berisha e Ilir Meta, e natyrisht kanë arsye.

Të cilat janë të natyrës si politike ashtu edhe organizative. Politike, ngaqë për të dalë direkt në zgjedhje, si Berisha ashtu edhe Meta nuk kanë imazh adapt, ndaj janë fshehur prej vitesh pas kostumeve, fytyrave, fustaneve të njerëzve të tjerë që përfaqësojnë në një apo shumë mënyra këto dy personazhe që janë realisht “të paprezantueshëm” politikisht.

Edhe pse përbetohen për “shenjtërinë e votës” apo dëshirën për të dalë para njerëzve për tu votuar, Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk duket se kanë dëshirë për ta bërë këtë, ngaqë e dijnë peshën reale, ose më mirë reaksionet negative që ngjallin tek qytetarët shqiptarë.

Megjithatë, kjo është në fund të fundit një perceptim, e në fund kërkon që peshën e tyre reale ta masin direkt me emrat e tyre përpara votuesve.

Por thelbi i kësaj manovre deri tani, të kryer nga Ilir Meta me mbështetjen e Berishës është proceduriale, ngaqë vonesa e dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme ka vetëm qëllimin për ta ushqyer gjendjen evazive brenda opozitës.

“Dorëzimi” i Ilir Metës dhe vendimi për të hapur procesin e zgjedhjeve në 6 bashki ishte thjesht një veprim i detyruar, e mbajtja e mëtejshme peng, thjesht do ta agravonte pozitën e kreut të shtetit edhe në procesin që pritet të nisë ndaj tij për shkarkimin nga funksioni, vendim i cili është marrë tashmë nga Parlamenti i Republikës.

Nga ana tjetër, dekretimi i zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki të vendit është një shans shumë i rëndësishëm politik për Lulzim Bashën. E ky shans konsiston pikërisht tek mënyra sesi kreu i PD-së do ta udhëheqë këtë proces politik në përzgjedhjen e kandidaturave, mënyrës të të bërit fushatë, por mbi të gjitha projektet politike dhe modelet qeverisëse që do të nxjerrë opozita në këto beteja të rëndësishme politike në vend.

Ndërkaq, fakti që Lulzim Basha do të ketë përballë grupin e Sali Berishës, por edhe LSI-në e Ilir Metës në: Shkodër, Durrës, Dibër, Lushnjë, Vorë dhe Rrogozhinë, nuk është vetëm një e keqe.

Berisha e Meta, nëse do të bëjnë thirrje për të mos votuar kandidatët zyrtarë të Partisë Demokratike në 6 bashkitë, do të bëjnë një autogol të madh në portën e tyre. Nëse vendosin që të luftojnë fshehurazi për të futur stërkëmbësha, sërish do të zbulohen e ai aksion politik sërish do të dëmtojë ata vetë.

Mundësia më normale për ta shfaqur sfidën me Bashën dhe me Ramën, është që LSI dhe mbështetësit e Sali Berishës të dalin me kandidatët e tyre në këto bashki ku do të votohet.

Nëse ndodh kjo, jemi para një zhvillimi të rëndësishëm, pasi do të kemi rastin e parë publik të matjes së mbështetjes që kanë në publik dy politikanët më të vjetër të politikës shqiptare, që prej kohësh janë në një betejë politike, por që nuk kanë dalë vetë, ngaqë kanë qëndruar në prapaskenë.

Rast më të mirë për Lulzim Bashën për tu përballur e për ta lëvruar aksionin e tij politik kundër “trekëndshit të Bermudës” nuk ka. Natyrisht beteja mund të jetë e ashpër e mund të mos korrë ndoshta fitore të menjëhershme, por do të kuptojë realisht se cila pjesë e Partisë Demokratike është me të, e kush me Sali Berishën.

Por që të ndodhë kjo, i duhet që si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja, propozimet elektorale të Partisë Demokratike në këto 6 bashki të jenë krejt ndryshe nga berishizmi, krejt ndryshe nga mënyra që është vepruar deri më sot, por edhe duke konkretizuar atë që shpall për ditë “aleancën me shoqërinë dhe shqiptarët”.

E këtu ka rëndësi natyrisht forma sesi do të vijë deri tek selektimi e më pas miratimi i kandidaturave, por në fund thelbi e rëndësia është tek cilësia e njerëzve që Lulzim Basha do të propozojë për kryetarë të 6 bashkive që do të votohet së shpejti.

Ata do të kenë realisht idenë dhe konceptin që Lulzim Basha ka për politikën dhe qeverisjen, i pa ndikuar nga Sali Berisha.

Është një shans i rëndësishëm, që të tjerëve u ka ardhur vetëm një herë, kurse Basha duket se ka lindur me këmishë dhe fati i ka trokitur vazhdimisht por që e ka hedhur tutje rast pas rasti.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • fori: 19/01/2022 20:06

    ky asgjeberesi i suksesshem ska asnje shans ne aanje lloj zgjedhjeje ...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Trafiku i çmendur në Tiranë? Eksperti: Këta rrugë kemi, të disiplinojmë shoferët, gjobat i kemi shumë të lira! Këta ndalojnë për të pirë kafe

Trafiku i çmendur në Tiranë? Eksperti: Këta rrugë kemi, të disiplinojmë shoferët, gjobat i kemi shumë të lira! Këta ndalojnë për të pirë kafe