Ylljet Aliçkaj boton romanin e ri “Metamorfoza e një kryeqyteti”

Ylljet Aliçkaj boton romanin e ri “Metamorfoza e një kryeqyteti”

Me objekt evolucionin shpirtëror, politik e shoqëror të intelektualëve të Tiranës nga vitet ‘70 deri më sot, shkrimtari i njohur Ylljet Aliçkaj ka botuar romanin më të ri Metamorfoza e një kryeqyteti”. Ky roman sapo ka dalë në dritën e botimit nga “Onufri”.

Në një promovim të librit, gazetarja Arta Marku organizoi edhe një debat mbi romanin e ri, ku shkrimtari i njohur Visar Zhiti i bëri një vlerësim të veçantë. Ai e konsideroi veprën e fundit të Ylljet Aliçkës si një nga romanet më të mira në botimet e letërsisë së 3 dekadave të fundit. Në një shënim rreth këtij libri Zhiti shkruan: 

“Romani më i ri i shkrimtarit Ylljet Aliçka, “Metamorfoza e një kryeqyteti”, është me të vërtetë i ri për prurjet dhe të shkruarin, ku ngërthehen ndryshimet e befta sociale me humorin gri, ngjarjet që duket sikur mbërrijnë deri në çastin që po lexojmë, me personazhe që na ngjajnë se i njohim, aq sa mëdyshemi se mos janë vetvetet tona të maskuara. Çështjet që shpalos, realizmi çehovian, ironia e pamëshirshme ndaj alienimeve dhe shtirjeve, stili i veçantë e shpotitës etj., e çojnë këtë roman mes arritjeve më të mira të të gjitha botimeve në letërsinë e postdiktaturës, kohë e cila bën antiheronj dhe që ata me groteskun e tyre e zhbëjnë. Po, po, dëshmohet këtu me një buzagaz të dëshpëruar.”

Vetë shkrimtari Ylljet Aliçka e nis romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti” me një ironi të drejtpërdrejtë, ai shprehte se: “Një kryeqytet në diktaturë ka vlerat dhe antivlerat përkatëse, që e dallojnë atë nga po ky kryeqytet në mungesë diktature, …mbart shenjat përkatëse në përditshmërinë, mendimet, sjelljet, referencat e saj intelektuale, kulturore dhe mënyrën e jetesës së kryeqytetasve, duke kushtëzuar  frymën dhe shpirtin e qytetarëve të saj.”

“Metamorfoza e një kryeqyteti” dhe personazhet e postdiktaturës

“Metamorfoza e një kryeqyteti” shtjellon evolucionit e jetës së një galerie personazhesh, në situata të ndryshme të jetës së tyre, kryesisht nga një familje e njohur tiranase (poet, veteran, diplomat, i ri eurosocialist, biznesmen) dhe më gjerë (Udhëheqësi komunist, shefi i shërbimeve sekrete, skulptori, i burgosuri politik), nga jeta e tyre në komunizëm deri në realitetet e reja postdikatatoriale, bazuar kryesisht në dukuritë shpirtërore e ato të personalitetit, si fenomenet e nënshtrimit, mbizotërimit, poshtërimit, deformimit, parë këto nën një këndvështrim ironik, deri në nivelin e sarkazmit (incidenti politik i një poeti dhe ndryshimi i metaforave artistike me natyrë politike, rituali i falënderimit ndaj Udhëheqësit komunist nga ana e të dënuarve me vdekje para pushkatimit, jeta shpirtërore e një diplomati dhe shndërrimi i tij në një biznesmen, incidenti me fytyrën e Udhëheqësit të vdekur gjatë përgatitjes së maskës prej allçie, shndërrimi i komunistëve në eurosocialistë…).

Romani “Metamorfoza e një kryeqyteti” është vleërsuar edhe nga shkrimtari i njohur kosovar Mehmet Kraja.

“Përmes një parodie të drejtpërdrejtë, e cila merr trajtë me anë të një përpunimi të mjaftueshëm artistik, janë përmbledhur në një vend rrëfimet “popullore” për periudhën e vonë të diktaturës dhe “rrëshqitjen” e saj graduale në demokracinë kaotike. Ndonëse ndonjëherë ngjan sipërfaqësor, autori arrin t’i shmanget trajtimit publicistik dhe humorit të përciptë, duke sjellë për lexuesin një vepër të qëndrueshme artistike, me angazhime dhe reflekse aktuale dhe bashkëkohore.”, ka thënë Kraja.

Romani ka si personazh poetin e njohur Beniamin Bendo, që nisi një periudhë të re krijimtarie në jetën e tij, atë të disidencës së hapur kundër regjimit. Dhe kjo ndodhte kur vetë regjimi komunist po përjetonte grahmat e fundit.  “Pa e ditur as vetë se po bënte trimëri, atë natë kur studentët e revoltuar hynë në grevë urie, Beniamini shkroi një poezi disidente me metafora të natyrës gjeografike. Pranohet, jeta e poetëve është plot të papritura. Dikush mund të hedhë dyshimin se ndoshta kjo kthesë poetike iu imponua nga rrethanat. Jo, kjo ndodhi ngaqë ato kohë poeti po kalonte një fazë trimërie, sado që, pse të mos e themi, trimëri me hope. Thënë ndryshe, po qe se nuk i dilnin përpara pengesa të pakapërcyeshme, ai burrë hidhej aty ku ndodhej rreziku.” Kështu e përshkruan personazhin shkrimtari.
Po çfarë do të ndodhë me Beniamin Bendon, poetin e njohur që shndërron papritur muzën në çastet e fundit të rënies së komunizmit me fatin e kryeqytetit të “përmbysur”…

Objekt i këtij romani janë përditshmëritë e jetës rutinë të një kryeqyteti nën diktaturë dhe postdiktaturë: si një laborator i natyrës njerëzore.

Përditshmëria dhe evolucioni i personazheve të këtij romani “zbulon” se deri ku shkon nënshtrimi, kuraja dhe dhunimi i njeriut, ndjekur nga çorientimi shpirtëror që pasoi rënien e komunizmit, me boshllëkun përkatës të vlerave, duke u bërë shkak i shfaqjeve të identiteteve fiktive të improvizuara te shumë njerëz.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat