Ypi: Dy Nëna

Ypi: Dy Nëna

Na ishin dy Nëna shqiptare. Njëra nga Jugu, tjetra nga Veriu. Të dyja fshatarka. Të dyja të ëmbla. Të dyja të urta. Të dyja të buta. Të dyja të bukura. Por edhe të vrënjtura dhe të hidhura dhe me rrudha, sepse të gjalla. Ajo nga jugu ishte e zakonëshme nga jashtë, e jashtëzakonëshme nga brenda. Tjetra nga veriu, e jashtëzakonëshme nga jashtë, normale nga brenda.

Të dyja këto Nëna lindën secila në katundin e vet. Ku, pa kërthiza përjashta, pa rroba të shtrenjta, pa parukerira, dëgjuan përralla me perrira që krihen mbi ujëra si pasqyra, zana të zbehta që dalldisin trima, princesha të bardha që presin princin e kaltër në dritare të kthehet nga lufta, kuçedra që thajnë çezmat, vampirë që vijnë natën fikin kandilin, magjistarë që në çast të shndrrojnë në gur, e të tjera e të tjera.

Kur u rritën, të dy Nënat, i lanë ëndërrat, nisën punërat. Nuk ngritën Ato biznese dhe grataçiela. Bënë punë më të vështira. Uruan, bekuan, zbutën, edukuan. Nga gojët e tyre s’dolën kurrë broçkulla, por vetëm mjaltra dhe melhemra që shërojnë shpirtëra. Dy nënat edhe udhëtuan. Pa u ndalur e pa u lodhur; E para, Ajo nga jugu, udhëtoi sa më thellë brënda vetes. E dyta, Ajo nga veriu, udhëtoi sa më larg jashtë vetes. Jo për vete. Për të mirën e të tjerëve.

E para u martua dhe bëri katër fëmijë; dy djem dy vajza në Shqipëri.
E dyta, nuk u martua. Por fëmijë pati shumë, miliona bij e bija në të gjithë botën.
Preokupimet e së parës ishin; Familja, Edukata, Krenaria, serioziteti, dinjiteti.
Hallet e së dytës qenë; Mbijetesa, Mëshira, Lutja, Nënështrimi, Lëmosha.
E para ishte Nëna ime, Hasia.
E dyta Shën Tereza.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë