Ypi: Tuç Zyma

Ypi: Tuç Zyma

Tuç Zyma jetonte në ishull. Ishulli i Tuçit kishte 1 banor. Banori i vetëm i ishullit të Tuçit ishte vetë Tuçi.
Ishulli i Tuçit ishte garazhi i shtëpisë së tij. Nga garazhi i Tuçit ku të kënaqte Xhazi, deri te trotuari i Rrugës Fortuzi ku të tmerronte çizmja e ushtarit, as 10 metra, ishte oqeani që ndante ishullin muzikor të Tuçit me çmenduritë e kurvit.

Një nga vizitorët e rrallë që pasi çanin dallgët e këtij oqeani dhe arrinin te ishulli i Tuçit, isha unë.
Me Tuç Zymën u njoha kur në ofiçinën ku punoja i bëra një ingranazh gize sipas parimit shpëtimtar "Kam te puna".
Si ishullar që isha, më mjaftonte trokitja, lehja e qenit, mirseardhja, dhe garazhi. Lart, rrallë u ngjita.

Ishulli i Tuçit, ose garazhi i Tuçit, ishte pakashumë si truri i Tuçit. Plot me vegla, rripa, llamarina, instrumenta, disqe gramafoni 45 dhe 33 rrotullime në minutë, shirita magnetikë nëpër bobina dhe kaseta, manjetofon me zorrët përjashta dhe plot circonvoluzione cerebrale të tjera. Në garazh ishte dhe një motocikletë Guzzi e kohës së luftës me probleme të pafundme që më tepër ngecte se ecte. Dhe diçka tjetër fort e rrallë ndodhej në atë garazh; një Moskviç rrangallë të cilin Tuçi, ndoshta me shpresën e mjegullt se një ditë do ta përdorte, as e hodhi as e nxorri kurrë nga garazhi. Sa qeshte Tuçi kur i thoja; Tuço, ndoshta do vijë një ditë kur këtë Moskviç do mund ta përdorësh, por kam frikë se kjo do ndodhi kur të jetë mbaruar nafta e botës.
Doktor Zyma, babai i Tuçit ishte ishte mjek otorino-laringolog me shkollim dhe kulturë gjermanike. Kishte nam të mirë. Mbahej ment për disa hebrej që i strehoi në shtëpinë e vet gjatë luftës. Në vitet e para, kurvi u dha nga një Moskviç disa mjekëve të njohur, mes tyre edhe babait të Tuçit, dhe ose harroi tua merrte, ose kushedi si i tha mendja e çkurdisur.

Nëna e Tuçit ishte një Zonjë e hatashme. Aq serioze dhe dinjitoze sa nuk u linte gjë mangut zonjave të salloneve europiane. Edhe në moshë të thyer merrej me pikturë dhe muzikë. Ta shihje Zonjën Zyma si fliste, si sillej, si pinte kafe, bindeshe menjëherë se miqtë e saj të hershëm nuk mund të kishin qënë më poshtë se Duke Elington apo Django Reinhard, ndërsa mikeshat jo më pak të shqura se Ella Fitzgerald apo Marlene Dietrich. Zonja Zyma ishte nga të rrallat Zonja shqiptare, ndoshta e vetmja, që i kishin ngritur një këngë lakrimogjene me tym të zi, blozë, shkozë.
Tuçi ishte dentist. Hiqej inovativ. Seç bënte ca eksperimente me kallëpë allçini që dukeshin si nofulla mumjesh. Një herë kur më mori me Guzz më çoi në Shëngjergj prapa Dajtit ku punonte, ngaqë e ngiste shpejt, diku te Shkolla e Qenve për pak sa na hodhi në përrua mua, veten, Guzzin. As sot e kësaj dite nuk e përfytyroj dot çfarë u bënte Tuçi dhëmbëve të katunarve, përveçse i shkulte.

Tuç Zymës një herë i shkrepi ideja gjeniale të bënte një përforcues të valëve televizive italiane, ta fshihte përforcuesin brenda një shkurreje në majë të Dajtit, të shkonte fshehtas t'ja ndërronte bateritë një herë në disa muaj. Nuk e bëri dot. Mbeti fantazi si të shumtat e ideve ishullore për marrje satelitare, arratisje, etj.
Më tepër se gjithçka në garazhin e Tuçit kishte muzikë.

Unë që nuk isha fare i paditur, te garazhi i Tuçit mësova shumë gjëra për Louis Prima, Benny Goodman, Count Basie, Lennie Tristano, Woody Herman, etj.
Ndodhi disa herë që në garazh, mes veglave, llamarinave, mrrokllave të Guzzit, rrotave të Moskviçit, Tuçi të sherrosej me të tjerë ishullarë për pun' Xhazi; Jopo Louis Armstrong, jopo Louis Prima, jopo Gene Krupa, etj. etj. Dëgjoja me kureshtje këto zënka që më tepër ishin shpalosje të erudicionit muzikor të njërit e tjetrit sesa sherre të mirfillta.

Një herë Tuçi më premtoi një manjetofon të vjetër jashtë përdorimit. Ma nxiu jetën derisa ma dha. Ishte një "Spalis" rus krejt i shpartalluar. Jo vetëm pa elektromotor dhe koka magnetike, por me vetëm fare pak pjesë që i kishin mbetur. Sapo nisa të merrem me atë rraqe që në atë kohë më dukej kryevepër, më ndihu Fati. Dikush më tha se mund të më jepte një "Dnjepër 10" si dollap por që nxirrte zë, në këmbim të "Spalis"-it të heshtur. Ashtu u bë. I ndërruam. Dnjepri nxorri për ca kohë ca gërrvima nga gurrmazi i sëmurë. Spalis nuk e hapi gojën.

Një herë Tuçi më rrëfeu një mesele që më la pa ment. Ndonjë prej atyre që kishin qënë në Rusi sillnin fshehtas disqe gramafoni. Një ditë Tuçi kishte në dorë një disk të tillë 75 rrotullime ku ishte incizuar "Summertime". Në një moment, krejt rastësisht, disku u ndodh në mes Diellit dhe Tuçit. Qe shtangur Tuçi duke parë diskun. "Behari" i atij disku ishte gdhendur mbi një radiografi ku dukej qartë një kancer truri. Pastaj zbuloi "Minnie the Moocher" mbi një radiografi prostate të sëmurë, dhe "Sing Sing Sing" mbi një fyt të çarë.
Tuç Zyma nuk kishte absolutisht asgjë soc-realiste komuniste, partiake, popullore, proletare, bolshevike, marksiste leniniste. Tuçi ndreqte dhëmbë, dëgjonte muzikë, jetonte. Tuçi nuk fliste. Ruhej duke heshtur.

Nuk mund të ketë rrëfim të plotë për Tiranën e viteve 60-70-80 pa Tuç Zymën, njërin prej më interesantëve nga ata që nuk e lanë jetën të vdiste.
Pas kaq kohësh kur Duke Elington i mësoi Tuçit Jazzin, Tuçi më mësoi mua Count Basie-n, dhe katunrët po na mësojnë mua dhe Tuçit Demokracinë, ku ndodhet dhe çfarë bën sot Tuç Zyma ? Nuk e di. Ndoshta është mbyllur në ndonjë shpellë dhe dëgjon muzikë serioze. Guzzin s'është çudi ta ketë flakur. Edhe Moskviçin do ta ketë hedhur. Por ndoshta e mban si simbol të shpresës që kurrë nuk vdes.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 14/07/2019 19:07

    Pershendetje Edison, Unë pata kënaqësinë ta njoh Tuçin nga fundi viteve 70 fillimi 80ës se mbaj mënd mirë... Njeri serioz, artist, i jetës dhe pa dyshim shkencëtari më kreativ që më kanë parë sytë dhe dëgjuar veshët. Tek ai ishull në ato vite pata dhe unë nderin të shkelja dhe rastësisht tu njihja me një nga veprat e tij. Dëgjova dhe pash për herë të parë në jetën time një grafi që kumbonte muzikë. Grafija ishte disku që kishte rregjistruar Tuçi. Mbeta me gojë hapur. Tuçi kishte ndërtuar tërësisht nga zero dhe kuptohet me mundësitë e asaj kohe aparatin e regjistrimit në vinyl. Më la pa mënd! Më vonë më tregoji dhe disqet e shumëfishtë që kishte rregjistruar në krom, llamarinë të hollë bakri dhe në plastikë (vinyl). U kënaqa duke dëgjuar një muzikë që kisha ëndërruar ta shikoja në pllakë gramafoni. Mbresë lënëse! Pyes veten, si mund një doktor stomatologë të dijë të krijojë një shkencë e cila nuk ka lidhje me mjekësinë? E mahnitshme! Të rrallë janë në ktë botë burra si Tuçi.

    Përgjigju
    • Goni: 15/07/2019 22:07

      I dashur Beni, Jam plotesisht dakort me ty. Ke pershkruar me korrektesi e detaje ate qe edhe une kam pare, bile sot ato me modesti i ka vendosur ne faqen e tij ne Facebook. Sepse siç thote Edisoni, Tuçi nuk flet...ai vazhdon te mos mburret me punen e tij. Mbaj mend qe per kete arritje teper te veshtire jane thirrur nga Komiteti i Partise inxhinjeret me te pregatitur si Dhimiter Kekezi, Adrian Qereshniku, Vladimir Shehu etj per te diskutuar mbi te. Me sa di une sot ai vazhdon te krijoje por ne fushen e mjeksise, per shembull ben protezat e syrit te njejta me natyralin, qe eshte nje art ne vete.

  • Edisoni i Hypajve: 12/07/2019 16:39

    O Edisono, po a e din ti qe je I MODH, qe je FANTASTIK. A te ka shkuar ndonjehere mendja per kete?!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut