Një tjetër rast gjobëvënieje po hetohet nga prokuroria ndaj një biznesmeni i cili është kërcënuar në telefon dhe i kërkohen dy automjetet luksoze që i përkisnin djalit të tij Eugert Lazaj, i vetëvrarë në rrethana të mistershme verën e 2020 mbasi siç tha policia ai për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike nga covidi i dha fund jetës.
Shtetasi i gjobitur quhet Luan Lazaj dhe po verifikohet nëse atij i kërkohet pasuria nga një grup kriminal apo individë të caktuar.
Prokuroria i thotë Top Channel se në telefonin e babait të biznesmenit të vetëvrarë u dërgua një seri mesazhesh kërcënuese duke nisur nga data 24 prill deri në fillim të majit.
“Yt bir më kishte borxh dy makina” i ka shkruar gjobëvënësi “dhe kur të dal nga burgu në Gjermani do të takoj”, e paralajmëroi kërcënuesi i vetidentifikuar si Arben Ismaili. Hetimet tregojnë se kërcënuesi ka shkruar se siç do dilte nga burgu do hynte prapë.
Në vijim të një sërë komunikimesh ku ky person këmbëngulte takim, babai i Lazajt i tregon hetuesve se kjo ngjarje mund të ketë lidhje edhe me një vjedhje të banesës që i kishte ndodhur në fillim të muajit. Nga kërkimet e deritanishme prokurorët pohojnë se në regjistrin e gjendjes civile rezultojne 20 shtetas me emrin Arben Ismaili, ndërsa po verifikohet pronësia e numrit prej nga ku u vendos gjoba.TC
Detaje nga vetëvrasja e Lazes?
Eugert Lazaj 37 është gjetur i vetëvrarë në 2020 në banesën e tij në Lundër në kompleksin luksoz në Tiranë. Ai është pronar i një kompleksi që bie në sy për përmasat dhe luksin në Maminas, "Adorions Palace" në hyrje të rrugës për në Gjirin e Lalzit buzë autostradës Tiranë-Durrës. Ai është vetëvrarë me armë zjarri, e cila i është gjetur fare pranë trupit të pajetë. Nga kqyrja paraprake në trupin e Lazajt është konstatuar se ka qenë një plumb në kokë që i ka marrë jetën 37-vjeçarit si dhe një shenjë në gishtat e dorës, e shkaktuar nga arma që përforcon më shumë verdiktin e policisë se i riu është vetëvrarë. Shkak dyshohet të jetë bërë gjendja e rënduar psikologjike që ka shoqëruar të riun kohët e fundit ç’ka e çoi drejt aktit ekstrem. Më parë u tha se ai kishte dhe disa plagë në trup. 37 vjeçari prej shumë vitesh kishte jetuar e punuar në Gjermani së bashku me familjen e tij, ndërsa para se të vritej ishte kthyer sërish në atdhe.