Yuri Kim, mesazh Gjykatës së Lartë: Ruani ritmin dhe punën e mirë! Plotësimi i Kushtetueses për të shkuar drejt majës së malit, jeni në rrugën e duhur

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, në një aktivitet të zhvilluar sot për çështjen e garantimit të një Drejtësie të Efektshme në Gjykatën e Lartë, është shprehur se një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është një hap që duhet të ndërmerret për të vazhduar ngjitjen e malit.

"Ju po lëvizni në drejtimin e duhur, por unë e nxis Këshillin e Lartë Gjyqësor që të përfundojë procedurat për vlerësimin dhe të rendisë e caktojë kandidatët më të mirë të verifikuar që kanë aplikuar për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë. Sapo Këshilli ta bëjë këtë, kjo do të hapë rrugën për udhëtimin e Gjykatës së Lartë drejt majës së malit. Majën mund ta arrini vetëm nëse punoni së bashku", thuhet ndër të tjera në fjalën e ambasadores.

Kujtojmë se sot Gjykata e Lartë njoftoi se ka rinisur procedurat për plotësimin e 3 vakancave që kanë mbetur në Gjykatën Kushtetuese, anëtarë që duhet të zgjidhen nga radhët e gjyqësorit nga vetë ky institucion. Mungojnë kandidaturat pasi shumë pak plotësohen kriteret kushtetuese, ndaj edhe në KED ende nuk ka asnjë proces. Një prej vendeve vakant është ai i gjyqtares Vitore Tushës, të cilës i mbaroi mandatin 9-vjeçar. Po ashtu vakant është edhe vendi i Fatmir Hoxhës, i cili u shkarkua në vitin 2018, si dhe i Gani Dizdarit, që u shkarkua në vitin 2019.  

Fjala e Ambasadores Yuri Kim për Garantimin e një Drejtësie të Efektshme në Gjykatën e Lartë

Të nderuar Kryetar dhe gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, përfaqësues të nderuar të institucioneve shqiptare të drejtësisë, partnerë, të dashur të ftuar. Është kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë aktivitet. E vlerësoj ftesën dhe mundësinë.

Në vitin 2016, Qeveria e SHBA mbështeti ndryshimet kushtetuese dhe ligjore, të cilat krijuan një kornizë për reformën gjithëpërfshirëse të drejtësisë në Shqipëri. Jam krenare që jam këtu sot për të ripohuar mbështetjen tonë të vazhdueshme për reformën në drejtësi dhe miratimin e kësaj pakete të fundit të ndryshimeve ligjore. Këto ndryshime të fundit përbëjnë një moment të rëndësishëm historik në përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi dhe do të lehtësojnë shqyrtimin e çështjeve nga Gjykata e Lartë.

Gjatë qëndrimit tim këtu në Shqipëri, më kanë treguar shumë herë për rëndësinë e maleve për historinë e Shqipërisë. Historia e reformës në drejtësi nuk është e ndryshme nga kjo.

Që nga viti 2016, ju, aktorët kryesorë në sistemin e drejtësisë së Shqipërisë, së bashku me popullin e Shqipërisë, keni qenë duke iu ngjitur një mali. Ky ka qenë një shteg i kthesave të papritura, sfidave dhe pengesave të paparashikuara. Jam këtu sot për t’ju kujtuar se po i afroheni majës. Ju them se pamja nga lart është e një të ardhmeje më të ndritur dhe me mundësi më të mira. Vizioni se ku mund të shkoni nga atje është i qartë. Ne do të arrijmë atje së bashku, hap pas hapi.

Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është një hap që duhet ta ndërmerrni për të vazhduar ngjitjen e malit. Ju po lëvizni në drejtimin e duhur, por unë e nxis Këshillin e Lartë Gjyqësor që të përfundojë procedurat për vlerësimin dhe të rendisë e caktojë kandidatët më të mirë të verifikuar që kanë aplikuar për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë. Sapo Këshilli ta bëjë këtë, kjo do të hapë rrugën për udhëtimin e Gjykatës së Lartë drejt majës së malit. Majën mund ta arrini vetëm nëse punoni së bashku.

Në opinionin e tij të qershorit 2020, Komisioni i Venecias nënvizoi se funksionimi i Gjykatës së Lartë mund të jetë edhe më vendimtar për stabilitetin e Shqipërisë, sesa prania e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë qëllim, jam krenare për punën që po bëjmë për të zvogëluar numrin e çështjeve të prapambetura të Gjykatës së Lartë dhe për të vendosur politika që parandalojnë përsëritjen e tyre. Përmes punës së Nëpunësve për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura, të mbështetur nga SHBA, ne po bëjmë pjesën tonë që të përmirësojmë efikasitetin në Gjykatën e Lartë dhe për të siguruar që një Gjykatë e Lartë funksionale të ndihmojë për t’u siguruar qytetarëve shqiptarë qasje në drejtësi, një pikë thelbësore për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën e Lartë, janë tashmë funksionale dhe reforma në drejtësi po sjell zhvillime dhe rezultate pozitive. Publiku shqiptar meriton të shohë se çfarë janë

të afta të bëjnë këto institucione me të pasur kapacitet të plotë! Të gjithë jemi duke iu ngjitur së bashku majës së atij mali. Shqipëria është tani në kulmin e reformës reale në drejtësi.

Shtetet e Bashkuara ju nxisin të ruani ritmin dhe punën e mirë, pavarësisht nga pengesat që hasni, dhe pavarësisht nga shkëmbinjtë që bllokojnë rrugën tuaj. Të japësh drejtësi është një sipërmarrje e rëndësishme dhe sfiduese. Mbështetja jonë për ju dhe sistemin do të vazhdojë! Do të takohemi në majë! Faleminderit!

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

'Të gjithë le ta marrin një diplomë', Berisha kërkon t'i kthejë Universitetet 'han pa porta'

'Të gjithë le ta marrin një diplomë', Berisha kërkon t'i kthejë Universitetet 'han pa porta'