TIRANË- Edhe pse Sali Berisha e quan të kryer faktin se ai ka marrë në dorë Partinë Demokratike pasi ka një vendim gjykate, nuk mendojnë kështu Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadorja amerikane Yuri Kim është parë sërish sot në Kryesinë e Kuvendit, ku është takuar me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, të cilin e ka quajtur si 'kryetari në detyrë i PD', duke mos njohur kështu Komisionin e Rithemelimit si drejtues të PD. 

Në një postim në Twitter vetëm pak minuta pas takimit, diplomatja amerikane ka deklaruar se SHBA-të dhe Shqipëria duhet të shohin para. 

“Diskutim shumë i mirë sot me Enkelejd Alibeajn, kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike. Folëm për një gamë të gjerë çështjesh. SHBA ka pasur një marrëdhënie të fortë, të veçantë me PD që në lindjen e saj. Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie dhe rolin e domosdoshëm të PD-së për Shqipërinë dhe shpresojmë që të forcohet. SHBA dhe Shqipëria kemi shumë punë përpara për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, demokracisë, ndërtimit e bashkëpunimit në mbrojtje dhe zgjerimin e mundësive të biznesit dhe ekonomik për të gjithë. Le të vazhdojmë së bashku përpara, jo mbrapa!”, shkruan Kim pas takimit. 

Ky është qëndrimi dhe deklarata e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi Berisha mundi Bashën në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit si dhe vendimit të Gjykatës për të njohur ndryshimet e bëra nga Sali Berisha në statutin e PD-së në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021. 

Menjëherë pas deklaratës së Yuri Kim ka ardhur edhe reagimi nga Komisioni i Rithemelimit. Përmes një postimi, Edi Paloka e ka cilësuar si të “turpshme” etiketimin që ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, i bëri Enkelejd Alibeajt, të cilin e njohu si kryetar në detyrë të PD. Paloka shkruan në rrjete sociale se sipas tij Kim është angazhuar në vetë të parë për përçarjen e opozitës shqiptare, duke ndërmarrë një akt të fundit po me të njëjtin qëllim sipas tij. Paloka thekson se Ambasadorja Kim nuk respekton Konventën e Vjenës duke mos njohur vendimet e gjykatave shqiptare.

Kujtojmë se dje, 3 ditë pasi u njoh me argumentet e plota të gjyqtarit Agron Zhukri, që me një vendim të datës 25 mars i dorëzoi Partinë Demokratike Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, Enkelejd Alibeaj firmosi ankimimin e vendimit për regjistrimin e statutit logos dhe vulës së re, të miratuara nga grupi i Berishës më 11 dhjetor. Në ankimin, Alibeaj kërkoi prishjen e këtij vendimi, duke e rikthyer çështjen për gjykim nga një tjetër trupë gjykuese ose pushimin e saj.

Megjithatë,  pavarësisht se Alibeaj e kishte paralajmëruar ankimimin, Komisioni i Rithemelimit nuk ka pritur vendimin final të Apelit, pasi sipas juristëve të tyre, tyre regjistrimi i Statutit nuk mund të ankimohet, por hyn menjëherë në fuqi.  Për këtë arsye, menjëherë pas vendimit të Zhukrit, Komisioni i Rithemelimit u zhvendos në selinë blu, duke nisur ndryshimin e saj, që prej ambienteve të brendshme, e deri te zëvendësimi i logos në godinën e jashtme.

Gjyqtari Agron Zhukri, në konflikt interesi regjistroi statutin e miratuar në Kuvendin e Thirrur prej Sali Berishës, në të cilin delegatët vendosën edhe shkarkimin e Lulzim Bashës si drejtues i PD, por edhe organeve drejtuese të Partisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:50
Kim takoi Alibeajn, Grupi i Berishës: Shkelmoi vendimin e gjykatës dhe injoroi vullnetin e zgjedhësve

1649165103_yurikim.jpg

Takimin e Yuri Kim me Enkelejd Alibeaj, që e njeh si kryetar të Komanduar të PD-së, për Komisionin e Rithemelimit, është injorim i vendimit të Gjykatës dhe vullnetit të qytetarëve. Ato thekson se me vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, tashmë PD-ja drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit, dhe ky takim i ambasadores me Alibeajn e shkarkuar, sipas tyre është në shërbim të Edi Ramës për të dobësuar dhe mbajtur peng opozitën.

"Pas një heshtje të zgjatur e të kuptueshme nga zgjedhjet e 6 Marsit, ambasadorja  Yuri Kim injoroi themelin e demokracisë së shtetit të saj “Ëe, the People”. 
Yuri Kim hyri sot në Kuvendin e Shqipërisë për një takim me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, por kur doli, me anë të një deklarate e shpalli atë në mënyrë qesharake dhe absurde si kryetar të Partisë Demokratike. 

Yuri Kim sot, sikurse dhe herë të tjera, nuk bëri asgjë më pak përveçëse shkeli në mënyrë të përsëritur Konventën e Vienës si diplomate, duke shkelmuar mbi vendimin e gjykatës që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, që i riktheu selinë, logon dhe vulën Komisionit të Rithemelimit- organit kolegjal të vetëm udhëheqës aktual të Partisë Demokratike. Ajo gjithashtu, injoroi edhe votën e zgjedhësve të shprehur qartë më 6 mars. 

Yuri Kim vërtetoi sot atë që e ka parathënë edhe me veprime të tjera se është në shërbim të lojrave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët.

Per fat te mirë, shqiptaret e kanë kuptuar se vlerat e verteta të SHBA nuk janë arroganca, diversioni apo diktati,  por vota e lirë dhe demokracia. Këtë e kuptoi edhe ish kryetari që u largua dhe do ta kuptojë cilido që mendon të uzurpojë opozitën kundër vullnetit të shumicës", thuhet në njoftim. 

Ora 13:28
Kim nuk e njeh si drejtues në PD, Berisha e sulmon përmes Palokës: Ky është turp

1649158185_8000622068868a4cb.jpg

Komisioni i Rithemelimit i Sali Berishës reagon ashpër ndaj Yuri Kim e cila deklaroi sot pas një takimi me Enkelejd Alibeajn se e njeh atë si kryetar në detyrë në PD. Përmes një postimi në Facebook të Edi Paloka  thotë se kjo deklarata është turp.

 “Ky është më tepër se turp, është shkelje e jo vetëm çdo etike por dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë! Kjo zonja që uroi Ramën për “fitoren historike” pa mbaruar akoma procesi zgjedhor me 25 prill ; qe ka dale hapur ne mbështetje të qeverise me te korruptuar ne rajon ( siç e cilëson vete Departamenti Amerikan i Shtetit) dhe qe prej kohesh është angazhuar ne vete te pare ne përçarjen e opozitës shqiptare, sot ka ndërmarre një akt te fundit , gjithnjë ne shërbim te te njëjtit qellim. Zonja ambasadore , me arrogance , tregon se jo vetëm nuk respekton Konventën e Vjenës po nuk njeh as vendimet e gjykatave shqiptare megjithëse flet gjithe kohen për drejtësinë. Ti zonjë mund të takosh kë të duash dhe si të duash, po nuk mund te vendosesh mbi gjykatat shqiptare e sidomos mbi vullnetin e lire te demokrateve shqiptare”, ka shkruar Paloka.