Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka shkuar në Gjykatës e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ku ka zhvilluar një takim me drejtuesen e BKH-së, Aida Hajnaj dhe kreun e SPAK, Arben Kraja.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta mëson se në takim është folur për ecurinë e SPAK, ngritjen e BKH dhe suportin e SHBA-ve. Pas takimit vetë Kim ka reaguar në rrjete sociale, ku thekson se po ndodh një zhvillim i vërtetë dhe se SPAK  e ka nisur vitin 2021 me rezultate të vërteta nga çështje të mëdha. Teksa thekson se askush nuk është mbi ligjin, Kim thotë se duhet t'i japim fund pandëshkueshmërisë dhe të vijojnë hetimet për krime të ndryshme. 

“Sot, Ambasadorja Kim u takua me Kreun e SPAK Kraja dhe Drejtorin e BKH Hajnaj për të diskutuar rezultatet e suksesshme të SPAK dhe sfidat me të cilat ata po përballen në vitin e tyre të parë. SZhvillimi i vërtetë po ndodh. SPAK e nisi vitin 2021 me rezultate të vërteta nga çështje të mëdha. Ndërsa mesi i vitit 2021 po afron, Kreu Kraja dhe Drejtori Hajnaj i rikonfirmuan Ambasadores Kim se puna po vijon intensivisht në SPAK. Pavarësisht sfidave dhe sulmeve, SPAK është përqendruar për të treguar se askush nuk është mbi ligjin. Ata vazhdojnë të hetojnë krime të ndryshme, të organizuara e të mëdha, korrupsionin dhe krimet zgjedhore, dhe janë të vendosur për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Askush nuk është mbi ligjin", mbyllet postimi i ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Ambasada deklaron se Shtetet e Bashkuara mbështesin rolin e rëndësishëm që SPAK ka në zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi.

"Shtetet e Bashkuara mbështesin rolin e rëndësishëm që SPAK ka në zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi".

Kreu i SPAK sot bëri raportimin e tij të parë para KLP-së ku tha se dosjet e para të krimit e korrupsionit do të jenë në duart e agjentëve të byrosë kombëtare të hetimit nga gushti i këtij viti. Ndalur tek bilanci i vitit 2020 për prokurorinë e posacme kundër krimit e korrupsionit Kraja tha se pandemia ka vështirësuar punën dhe për ta, por sekuestrot dhe konfiskimet nuk kanë munguar.