Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua sot me Presidentin e zgjedhur Bajram Begaj në Pallatin Presidencial (Pallati i Brigadave) në Tiranë. Sipas një njoftimi në faqen e ambasadaës amerikane në Facebook bëhet me dije se Kim e uroi Begajn për zgjedhjen e tij si President i ardhshëm i Shqipërisë dhe përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin me padurim të vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer me të në detyrën e tij të re.

Ambasadorja Kim e falënderoi atë për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si Shef i Shtabit, veçanërisht gjatë stërvitjes ushtarake Defender Europe 2021 dhe vuri në dukje se ajo pret shumë takime të tjera me Presidentin e zgjedhur Begaj gjatë presidencës së tij të ardhshme.

Bajram Begaj u zgjodh si President më 4 qershor të këtij viti për 5 vitet e ardhshme.

Ambasada e SHBA-ve, e vlerësuan Begajn dhe vunë theksin se mezi presin që të bashkëpunojnë për forcimin e marrëdhënieve mes vendeve.

"Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës uron Bajram Begaj për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, ai kontribuoi në mënyrë domethënëse në bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Ne presim me kënaqësi që të vazhdojmë të punojmë me të në detyrën e tij të re dhe të forcojmë më tej partneritetin midis vendeve tona", shkroi ambasada e SHBA-ve.