Bajram Begaj president/ SHBA-BE-OSBE: Mezi presim të bashkëpunojmë! Rama: Figurë me integritet që s’diskutohet! Meta: Urime (REAGIMET)

TIRANË- Ndërkombëtarët kanë uruar Bajram Begajn për zgjedhjen në krye të shtetit si presidenti i ri për 5 vitet e ardhshme. SHBA-BE, teksa kanë vlerësuar Begajn, kanë vënë theksin se mezi presin që të bashkëpunojnë për forcimin e marrëdhënieve mes vendeve.

Teksa nuk patën asnjë reagim për bojkotin e opozitës, më e ashpër në reagim ka qenë ambasada gjermane në Shqipëri. Sipas tyre, zgjedhja e Presidentit qëndron mbi politikën e ditës, duke ‘dënuar’ opozitën për bojkotin në seancë.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama tha se me zgjedhjen e Bajram Begës si president, iu dha mundësia vendit poër të pasur në krye të shtetit një figurë me dinjitet që nuk e diskuton askush. Urime ka pasur edhe nga presidenti Ilir Meta i cili ka zgjedhur që të flasë shkurt.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se është i bindur që Begaj do e bëj detyrën me nder. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se së bashku me Begajn do të punojnë për raportet Kosovë-Shqipëri që të sjellin vendet më afër BE-së.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:02
Prezenca e OSBE në Tiranë uron Presidentin e ri: Presim me kënaqësi një bashkëpunim të frytshëm

Prezenca e OSBE në Tiranë ka uruar Bajram Begaj për zgjedhjen në postin e kreut t ri të shtetit.

“Përgëzime të ngrohta Bajram Begajt për zgjedhjen President i ardhshëm i Republikës, dhe urimet më të mira për pesë vitet në postin më të lartë, si përfaqësues i unitetit të popullit. Prezenca e OSBE-së pret me kënaqësi një bashkëpunim të frytshëm”, shkruhet në postim.

Ora 21:00
Zgjedhja e presidentit të ri, Celibashi: Urimet më të përzemërta për Bajram Begajn

1653382277_celibashi.jpg

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka uruar Bajram Begajn për zgjedhjen si president i ri i Shqipërisë.

“Urimet më të përzemërta për zgjedhjen e Presidentit të ri të Shqipërisë, suksese zoti Bajram Begaj”, shkroi Celibashi.

Ora 20:51
Bajram Begaj zgjidhet president, Vjosa Osmani: Do punojmë që t’i sjellim vendet tona më afër BE-së

1654368794_57099290303.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Bajram Begajn pasi u zgjodh president i ri duke thënë se do të punojnë për raportet Kosovë-Shqipëri që të sjellin vendet më afër BE-së.

“Urime të përzemërta për presidentin e sapozgjedhur të Shqipërisë, z. Bajram Begaj! Ju uroj suksese në rolin tuaj të ri dhe shumë të rëndësishëm. Së bashku do të punojmë që raportet vëllazërore ndërmjet Kosovës e Shqipërisë t’i thellojmë edhe më tej, si dhe t’i sjellim vendet tona më afër BE-së”, shkroi Vjosa Osmani.

Ora 20:40
Ambasada gjermane: PD nuk votoi, zgjedhja e presidentit qëndron mbi politikën e ditës, mundësi bashkimi për sfidat e vendit

1654363108_Sequence03.00393523.Still021.jpg

Ambasada gjermane ka përgëzuar Bajram Begajn për zgjedhjen si president i ri i Shqipërisë dhe komenton bojkotin e opozitës në procesin e votimit. Në reagimin në Facebook thuhet se zgjedhja e presidentit qëndron mbi politikën e ditës duhet të ishin bashkuar për të kapërcyer llogoret politike dhe për të mbështetur kulturën e bashkimit.

“Përgëzoj përzemërsisht z. Bajram Begaj për zgjedhjen si President i ri i Republikës së Shqipërisë ditën e sotme. Zgjedhja e Presidentit qëndron mbi politikën e ditës. Ajo krijon mundësinë unike për tu angazhuar në shenjë të bashkimit si dhe – nisur nga sfidat, përpara të cilave gjendet Shqipëria - për të punuar në kapërcimin e llogoreve politike e për të mbështetur kulturën e bashkimit përtej partive. Në këtë kontekst i uroj z. Bajram Begaj shumë forcë e çdo të mirë”, shkruan ambasada gjermane.

Ora 20:10
SHBA: Urime Bajram Begaj! Presim me kënaqësi bashkëpunimin për të forcuar marrëdhëniet mes 2 vendeve

Vjean reagimi i SHBA-së. 

"Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës uron Bajram Begaj për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, ai kontribuoi në mënyrë domethënëse në bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Ne presim me kënaqësi që të vazhdojmë të punojmë me të në detyrën e tij të re dhe të forcojmë më tej partneritetin midis vendeve tona", shkruan ambasada e SHBA-së. 

Ora 20:05
Bajram Begaj zgjidhet president, vijnë urimet nga ndërkombëtarët! Varhelyi e Borrell: Mezi presim të bashkëpunojmë

Për zgjedhjen e Bajram Begajt si president kanë reaguar edhe ndërkombëtarë. Komisioni Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi e ka përgëzuar për detyrën e re, teksa thotë se pret që të nisin bashkëpunimin.

“Urime Bajram Begajt për zgjedhjen e tij si President i ardhshëm i Shqipërisë. Në pritje të punojmë së bashku për të çuar përpara Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, shkruan Varhelyi.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.

"Urime Bajram Begajt për zgjedhjen e tij si President i ardhshëm i Shqipërisë. Ne mezi presim të punojmë së bashku për një marrëdhënie të begatë, të sigurt dhe solide BE-Shqipëri, si anëtarë të një familjeje evropiane", shkruan Borrell.

 

Ora 19:52
Bajram Begaj president, Meta: Urime

1653744149_165286135616527168946400ilirmeta2911.jpg

Ilir Meta reagon për zgjedhjen e Bajram Begajt president.

“Urime Presidentit të zgjedhur sot nga Kuvendi i Shqipërisë, z.Bajram Begaj”, shkruan Meta.

Ora 19:47
Basha mungoi në votimin e presidentit të ri, Rama: Lëreni të flejë

 

Kryeministri Edi Rama ka komentuar para mediave faktin që nuk u zgjodh në mënyrë konsensuale presidenti i ri duke thënë se konsensusin do ta bënin vetëm me të gjallët, jo të vdekurit. Me këtë i referohet deputetëve që mbështesin Sali Berishën.

“Nuk e kemi kërkuar kurrë të kemi konsensus me të vdekurit. Kemi qenë këtë për konsensus me të gjallët, njerëzit që besojnë tek ky vend, që e duan vendin më të mirë dhe e kemi arritur me këtë figurë”, tha Rama.

I pyetur për mungesën e Bashës në votimin për presidentin e ri, Rama tha: “Lëreni të flejë.”

Ora 19:42
Ish-ministri teknik i PD, Dritan Demiraj: Urime Begajt, bojkoti në votim tregon mungesë lidershipi

Ish-ministri teknik i PD, Dritan Demiraj ka dalë kundër bojkotit të opozitës në seancën për zgjedhjen e presidentit të ri. Nga ana tjetër ai ka vlerësuar figurën e Bajram Begaj, duke thënë se zgjedhja e tij bën të gjithë krenar.

“Zgjedhja e një ushtaraku në krye te shtetit, është një vendim dhe zgjedhje që na bën të gjithëve krenare. Portreti i ushtarakut është simboli i dashurisë për Atdheun, Detyrën dhe Kombin.

Presidentin Bajram Begaj e njoh personalisht për më shumë se dy dekada në Forcat e Armatosura dhe përveç të tjerave mbaj mend përkushtimin e tij maksimal ndaj pacienteve ushtarake, kolegeve dhe jo vetëm. Me këtë rast i uroj suksese dhe mbarësi presidentit Begaj në detyrën më të larte si kreu i shtetit Shqiptar dhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Nga ana tjetër mendoj se djegia e mandateve, bojkotimi dhe braktisja e çdo procesi institucional dhe detyrimi kushtetues nga ana e opozitës "perëndimore", për të cilën është votuar për të qenë zëri dhe përfaqësuesi i qytetarëve opozitare në institucionin e Parlamentit Shqiptar me justifikime qesharake nuk tregon asgjë tjetër vetëm mungesë lidershipi dhe vizioni politik”, shkruan Demiraj.

 

Ora 19:36
Padia në SPAK për Begajn, Rama: Nuk më bën përshtypje, paditë në Shqipëri janë sport kombëtar

 

Kryeministri Edi Rama ka komentuar padinë në SPAK për Bajram Begajn për përdorimin e detyrës për pronat e ushtrisë duke thënë se në vendin tonë paditë janë një nga sportet kombëtare ndaj nuk i bën përshtypje.

“Këto janë muhabete palidhje sepse padira në këtë vend ka shumë dhe padirat në këtë vend janë një nga sportet kombëtare që janë zhvilluar shumë me proceset demokratike sepse më parë zhvillohej në formën e letrave anonime. Kështu që nuk më bën asnjë përshtypje ky fakt. Ajo që më vjen mirë dhe për të cilën jam këtu para jush për herë të fundit para jush për këtë temë është që kemi mundur të japim shembull se nuk jemi për vete, por me ta dhe për ta. Këtë e tregon koha.

Çdo kush vlerësohet në veprim çdo ditë, në punë çdo ditë, me rezultatet që arrin çdo ditë. Ajo që është përmbyllur sot është puna e një periudhe jo të shkurtër dhe aspak të lehtë e gjithë lidershipit të PS për të arritur në këtë rezultat”, tha Rama.

Ora 19:34
Morët ndihmë nga Meta? Rama: Pas një periudhe dramatike në zyrën e kreut të shtetit, Shqipëria do të ketë president normal

 

Kryeministri Edi Rama foli para mediave pasi Ilir Meta dekretoi nga Turqia lirimin e Bajram Begajt nga detyra si shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA. Kur i thanë se pati ndihmë nga Meta, Rama tha se më në fund do të kemi president normal.

“Këto janë muhabete që nuk kanë lidhje me atë që ka ndodhur sot, ajo që ka rëndësi për të sotmen dhe të nesërmen është që Shqipëria pas një periudhe dramatike në zyrën e kreut të shtetit do të ketë një president normal për një vend normal dhe për funksionimin normal të kreut të shtetit”, tha Rama.

Ora 19:29
Veliaj: Urime president Bajram Begaj! I bindur se do ta përmbushni detyrën me nder dhe profesionalizëm

1654363833_maxresdefault.jpg

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar pas zgjedhjes së Bajram Begaj si president.

“Urime në detyrën tuaj të re, Z. President. I bindur se do ta përmbushni atë me nder dhe profesionalizëm”, shkruan Veliaj.

Ora 19:25
Xhaçka dhe Peleshi urojnë Bajram Begajn: Kemi zgjedhur një një njeri me vlera qytetare, do i japë institucionit të Presidencës dinjitet

Urimet e para nga socialistët për Bajram Begajn i kanë bërë 2 ministrat, Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi.

“Urime dhe suksese zoti President! Një ushtarak, një mjek, një ish koleg me të cilin kam patur fatin të punoj me vlerësimin maksimal për profesionalizmin e urtësinë. Një President që jam e bindur do të dijë t’i japë institucionit të Presidencës dinjitetin e simbolit të unitetit te kombit”, shkruan Xhaçka.

“Urime të përzemërta Bajram Begajt në detyrën më të lartë, si President i Republikës së Shqipërisë. Pata kënaqësinë të punoja me gjeneralmajor Begajn si Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura dhe jam besimplotë që atë bashkëpunim të mirë do të vazhdojmë ta kemi edhe si President dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. I bindur se në krye të shtetit kemi zgjedhur një njeri me vlera qytetare, që do të dijë të mbrojë Kushtetutën dhe ligjin. Suksese Presidentit të ri të vendit”, shkruan Peleshi.

 

Ora 19:21
Bajram Begaj u zgjodh president, Rama: I kemi dhënë Shqipërisë një figurë me integritet që nuk diskutohet

 

Vjen reagimi i kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjes së Bajram Begaj si president. 

"Besoj se kemi arritur objektivin që kemi pasur që në krye të herës dhe të gjitha reagimet flasin për këtë, natyrisht përjashtuar ndonjë reagim palidhje të hapësirës politike, flas përtej saj, që do të thotë që i kemi dhënë Shqipërisë një president normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit të humanizmit dhe patjetër edhe të përkushtimit për vendin dhe njerëzit. 
Morët 1 votë nga opozita?
Nuk ka asnjë rëndësi se cili ka qenë përfundimi aritmetik, rëndësi ka që ky proces është kurorëzuar me një provë të prekshme për të gjithë që PS ëhtë këtu për të bërë më të mirën që zgjedhjet, vendimet, aktiviteti ynë si shumicë qeverisëse të shkojnë në interes të vendit dhe të të gjithë shqiptarëve, jo thjesht të njërës palë.
Jeni i lumtur?
Lumturia është një fjalë shumë e madhe, por ajo që mund të them me plot gojën është që një proces aspak të lehtë, me një sallatë palësh nga ana tjetër të gjysmë sferës së parlamentit, kemi arritur t’i japim jetë një procesi në të cilin kanë pasur të gjithë mundësi të kontribuojnë dhe ka dalë një figurë e paidentifikueshme thjesht me ne që e kemi propozuar por e identifikueshme me qytetarin shqiptar, dinjitoz dhe të respektueshëm, me njeriun besnik ndaj vendit dhe detyrës, me shembullin e një burri të qetë, të arsyeshëm, normal", tha Rama. 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pas 5 orësh, Veliaj del nga SPAK: Do ju sqaroj çdo gjë nga mbledhja e Këshillit bashkiak

Pas 5 orësh, Veliaj del nga SPAK: Do ju sqaroj çdo gjë nga mbledhja e Këshillit bashkiak