Dosja e 21 janarit do të gjykohet shumë shpejt. Kështu ka deklaruar këtë të mërkurë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori.

I pyetur nga Report TV mbi arsyet e vonesës së gjykimit të kësaj çështje e cila prej më shumë se 2 vitesh ndodhet në Gjykatë të Lartë ai tha se dosja do të merret në shqyrtim shumë shpejt, por pa dhënë detaje mbi datën.

“Kemi marrë masa për dosjen, ka patur një ruajtje të veçantë në kasafortën e Gjykatës së Lartë. Mendoj që çështja do trajtohet shumë shpejt. Duhet të kemi parasysh ngarkesën e madhe që ka, është shumë voluminoze. Sipas relatorit të ccështjes, ajo duhet të ishte marrë në shqyrtim që në verën ose vjeshtën e kalaur, por nuk është bërë ende.” deklaroi Zaganjori duke shtuar se tashmë është gati relacioni dhe u është shpërndarë anëtarëve të Kolegjit Penal, të cilin ai vetë nuk e ka lexuar.


***
Pesë vite nga tragjedia e 21 Janarit ku humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika drejtësia mban pezull vendimin final për këtë dosje.

Teksa të pandehurit për vrasjen e protestuesve të pafajshëm, gardistët Ndrea Prengi, Agim Llupo e Margarit Kume ndodhet jashtë qelisë, 25 muaj nuk i kanë mjaftuar Gjykatës së Lartë të nisë procesin për vendimin e dosjes “21 Janari”.

Më 28 Tetor 2013 Prokuroria e Përgjithshme ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkoi dënimin e tre gardistëve me nga 25 vite burg, por ende ky proces ndodhet në fazën e studimit nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)