Zaganjori në Strasburg, takime
me presidentin Raimondi

Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori ndodhet në një vizitë zyrtare në Gjykatën Evropiane të të Drejtavë të Njeriut në Strasburg.
 
Ai u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i sapo zgjedhur i kësaj gjykate Guido Raimondi.
 
Në takimin me Raimondi u diskutua lidhur me çështjet e bashkëpunimit dhe raporteve ndër institucionale mes Gjykatës së Lartë të Shqipërisë dhe GJEDNJ.
 
Raimondi  vlerësoi punën e bërë nga shteti shqiptar dhe nga gjyqësori në drejtim të respektimit të parimeve dhe standardeve të  parashikuara në Konventë dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së.
 
Nga ana e tij Zaganjori, u shpreh se organet e drejtësisë në Shqipëri, gjatë veprimtarisë së tyre po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të zbatuar më përpikmëri këto standarde. Ai  e njohu me procesin e reformës në drejtësi që po zhvillohet në Shqipëri, duke theksuar se kjo reformë paraqet një rëndësi parësore për sistemin gjyqësor, në drejtim të garantimit të pavarësisë së gjyqtarëve, forcimit të shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit, rritjen e eficencës, transparencës, etj.

Gjyqtarët janë përfshirë  në këtë proces duke shfaqur në mënyrë të vazhdueshme mendimet dhe opinionet e tyre lidhur me reformën, në kontakt me grupet e punës si dhe përmes Konferencës Gjyqësore Kombëtare dhe formave të ndryshme të komunikimit institucional dhe me publikun. Gjithashtu, përfaqësues të gjyqësorit kanë realizuar takime edhe me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, ku kanë parashtruar opinionet dhe qëndrimet e tyre lidhur me këtë proces, të cilat janë konsideruar edhe në rekomandimet e këtij komisioni.   
 
Në takim u diskutua edhe me terma konkretë lidhur me problematikën për respektimin e Konventës.
 
Raimondi  vlerësoi përpjekjet që po bëhen për t’i respektuar këto standarde, gjë që evidentohet dukshëm në vendimet që merren nga ana e gjyqtarëve, trajnimeve të organizuara mbi njohjen dhe zbatimin e tyre edhe nga ana e Shkollës së Magjistraturës.
 
Zaganjori shoqërohet në këtë vizitë edhe nga anëtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza. 


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai