Zaloshnja: 6.6 milonë vende pune shtesë, por Biden i ka kuotat vetëm 40%

Zaloshnja: 6.6 milonë vende pune shtesë, por Biden i ka kuotat vetëm 40%

Foto ilustruese

Gjatë 12 muajve të parë të administratës Biden, numri i të punësuarve në ekonominë amerikane është rritur me 6.6 milionë. Rekord historik ky (si në vlerë absolute, edhe relative), me diferencë jashtëzakonisht të madhe për vitin e parë të çdo administrate amerikane deri më sot. Gjatë kësaj periudhe, papunësia ka pësuar një rënie prej 2.4 pikë përqindje – edhe ky një rekord gjigand historik për vitin e parë të çdo administrate amerikane deri më sot.

Por ndërkohë, kuota e Presidentit Biden në sondazhin Gallup (40%) është më e ulta pas 12 muajve të parë në pushtet (përveç asaj të Presidentit Trump, 35%), qysh kur Gallup filloi para 86 vjetësh sondazhet e opinionit mbi miratimin e punës së bërë nga presidentët amerikanë. (Kompania Gallup nuk bën asnjëherë sondazhe për llogari të partive politike apo të organizatave/mediave që kanë njëanësi politike).

Biden e filloi punën me kuotën e miratimit 57%, e tani ka zbritur në kuotën 40% (shihni grafikun shoqërues). Analistët e Gallup identifikojnë tre faktorë kryesorë për këtë rënie dramatike të kuotave Biden, pavarsisht shtimit gjigand të vendeve të punës gjatë 12 muajve të parë të qeverisjes së tij.

1 – Rikthimi i Pandemisë COVID-19

Në qershor 2021, Biden e shpalli (me mburrje) të fituar luftën kundër pandemisë Covid-19, pasi administrata e tij i kishte shumëfishuar përpjekjet për vaksinimin masiv dhe për zbatimin e masave anti-covid. Numrat e infeksioneve në SHBA arritën atëherë dyshemenë statistikore. Ndërkohë Biden e kishte kuotën e miratimit 56% në sondazhin Gallup. Ende në tavanin e miratimit për të…

Por me kalimin e muajve, pas shfaqjes së variantit Delta të Covid-19, e më pas të variantit Omikron, shifrat e infeksioneve me Covid-19 dhe të shtrimeve në spital u bënë alarmante. Dhe ka një korrelacion të fortë statistikor negativ mes këtyre shifrave dhe kuotave Biden…

2 – Afganistani

Deri në tërheqjen dramatike të trupave amerikane (etj.) nga Afganistani, të anketuarit në sondazhet Gallup i jepnin nota të larta administratës Biden për kompetencën në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por pas skenave të dhimbshme të evakuimit nga aeroporti i Kabulit, të transmetuara 24/7 në televizionet informative amerikane, notat në sondazhet Gallup ranë edhe në këtë fushë. E në të njëjtën kohë, ranë edhe kuotat Biden…

3 – Inflacioni

Pas karantinave të forta kundër Covid-19, që u aplikuan në shumë vende të botës, sistemet globale të furnizimeve (duke filluar nga furnizimi me qarqe të integruara elektronike të prodhuara në Azi e deri tek lëndët e para natyrore kudo në botë) pësuan një tronditje të fortë. Si rezultat, u rrit kostoja e prodhimit pothuaj në të gjithë gamën e produkteve amerikane (dhe të të gjitha produkteve të tjera, në fakt).

Në muajt e parë, Administrata Biden e konsideroi këtë një problem kalimtar, që do të zbutej me zbutjen e pandemisë. Por me ringritjen e kokës së Covid-19 (në formën e varianteve Delta e Omikron), problemi i rritjes së kostove të prodhimit vazhdoi. E si rezultat, në muajt e fundit ka patur një rritje të përgjithshme të çmimeve (inflacion) në SHBA (e jo vetëm). Duke mos e ulur nivelin e parasë në qarkullim deri më sot, Banka Qendrore e SHBA-së nuk ka ndihmuar për uljen e inflacionit. Nga ana tjetër, administrata Biden, përkundër premtimeve, nuk i ka zbutur problemet globale të furnizimeve për kompanitë amerikane.

Si rrjedhojë, vërejnë analistët e Gallup, kanë rënë kuotat e Administratës Biden për menaxhimin e ekonomisë. Dhe kuptohet, kanë rënë edhe kuotat personale të Presidentit Biden….

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim