Zaloshnja: Trump mund të marrë mbi 74 milionë vota! Po Kamala, sa?

Zaloshnja: Trump mund të marrë mbi 74 milionë vota! Po Kamala, sa?

Trump dhe Biden

Mungesa e optimizmit në radhët e votuesve demokratë për ish-kandidatin e tyre presidencial, Joe Biden, rrezikonte që atij t’i avullonin shumë nga 81.3 milionë votat që u regjistruan për të në zgjedhjet presidenciale të para katër vjetëve.

Nga ana tjetër, besnikëria ndaj Trumpit në radhët votuesve republikanë mund të bëjë që ai të marrë më shumë se 74.2 milionë votat që u regjistruan për të në zgjedhjet e fundit presidenciale. (Duhet theksuar se ndryshe nga katër vjet më parë, Trump u ka bërë thirrje përkrahësve të tij që ta dërgojnë votën edhe me postë, e jo vetëm duke shkuar fizikisht në qendrat e votimit. Dhe kësaj here ai do të ketë edhe përkrahjen e Robert F. Kennedy Jr.)

Një rënie e ndjeshme e pjesëmarrjes së votuesve të dikurshëm të Presidentit Biden në zgjedhjet e nëntorit rrezikonte jo vetëm karrigen e tij presidenciale, por edhe atë të kongresmenëve dhe senatorëve demokratë.  Meqë zgjedhjet për ta zhvillohen në të njëjtën ditë me ato presidenciale, mospjesëmarrja e votuesve demokratë në zgjedhje do të pakësonte automatikisht edhe votat për kongresmenët dhe senatorët demokratë … 

Jake Tapper i CNN-it raportonte para një muaji se kishte parë sondazhe të firmës private BlueLabs – financuar nga disa donatorë demokratë – që tregonin se presidenti Biden po humbiste terren në 14 shtete kyçe, përfshirë 5 ku ai fitoi fare ngushtë ndaj Trump më 2020: Arizona, Georgia, Michigan, Pennsylvania dhe Wisconsin. Ai gjithashtu po humbiste terren në Kolorado, Minesota, Maine, New Mexico, Virginia dhe New Hampshire, ku para katër vitesh fitoi me diferencë të ndjeshme.

Rënia e pjesmarrjes së votuesve demokratë në këto shtete jo vetëm që mund të vuloste një humbje të thellë të presidentit Biden, por edhe humbjen e shumicës demokrate në Senat dhe thellimin e epërsisë republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.

Pikërisht frika nga një dominim total i republikanëve në të tria pushtetet; ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor (në Gjykatën e Lartë raporti është tashmë 6-3 në favor të gjykatësve të emëruar nga presidentë republikanë), bëri që figurat kryesore të demokratëve (Obamat, Klintonët, Pelosi etj.) të ushtronin trysni që Biden ta kalonte stafetën tek Kamala Harris.

Dhe qysh prej futjes së saj në garë, sondazhet tregojnë një rikthim në ekuilibrin statistikor të periudhës para zgjedhjeve të 2020, ku shtete me garë fare të ngushtë statistikisht mbeten vetëm gjashtë: Michigan, Pennsylvania, Wisconsin, Arizona, Georgia dhe North Carolina.

Pyetja statistikore tani mbetet, a do të regjistrojë dot Kamala më shumë se 81.3 milionë votat që arriti Biden para katër vjetësh në rang kombëtar?

Ndërsa pyetja më e rëndësishme elektorale mbetet nëse ajo do t’i fitojë dot garat në shtetet ku është statistikisht kokë-më-kokë me Donaldin. Sepse pikërisht ato gara do të përcaktojnë se kush do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë…

SHËNIM: Rreth 80 milionë shtetas amerikanë në moshë për votim nuk morën pjesë në zgjedhjet e shkuara presidenciale.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Himarë/ Ndërtuan pa leje 12 lokale e beach bare, 12 nën hetim! Sekuestrohen 300 çadra dhe 480 shezlongë

Himarë/ Ndërtuan pa leje 12 lokale e beach bare, 12 nën hetim! Sekuestrohen 300 çadra dhe 480 shezlongë