Për kampionin e botës Gianluca Zambrotta, Italia e tij dhe Shqipëria do ta kalojnë grupin në EURO 2024. I ftuar në Tiranë në mbrëmjen Gala te më të mirët e futbollit, ku dorëzoi edhe trofeun e Topit të Artë, ish-mbrojtësi i Juventusit, Milanit dhe Barcelonës, Zambrotta edhe pse më shaka e nënvizoi dëshirën që 2 përfaqësueset të kenë sukses.
“(Shaka e Zambrotës: Kalon Italia dhe Shqipëria, jemi në rregull kështu besoj) Itali –Shqipëri do të jetë një ndeshje e shumë bukur pasi prej disa vitesh në aspektin futbollistik ka një miqësi në mes, pasi shumë lojtarë shqiptarë luajnë në kampionatin tonë. Jo vetëm luajnë por edhe kanë bërë gjëra të mëdha,”-tha Zambrota, ish-futbollist i Italisë.
Zambrotta më tej foli më hollësisht për Italinë, duke u shprehur:
“Të mos harrojmë që Italia është kampionja në fuqi, është kualifikuar me vështirësi por me meritë. Është në një grup të vështirë por duhet të ruajë atë statusin e kampiones në fuqi.”
Për herë të parë për shortin në Evropian, ku Shqipëria do jetë bashkë me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë, foli edhe sulmuesi i kombëtares Sokol Cikalleshi.
“Janë tre ndeshje që janë mjaft interesante dhe të bukura për tu luajtur. Do ta shijojmë dhe them se kombëtarja gjithmonë ka bërë ndeshje të bukura me ekipet e forta. Shumicën e rasteve kemi patur probleme me ekipet e vogla. Jam i sigurtë që do bëjmë përfaqësim shumë dinjitoz dhe ndeshje të mira,”-u shpreh Sokol Cikalleshi, futbollist i kombëtares.
Evropiani i Gjermani 2024 do të nisë më 14 qershor, ndërsa një ditë më vonë kombëtarja luan ndeshjen e parë kundër Italisë në Dortmund.