I pyetur rreth problemeve që ekzistojnë në Shqipëri mbi shtetin e së drejtës, Zannier theksoi se ky fenomen ka një shtrirje të gjerë.Kryeministri Berisha e vuri theksin tek zgjedhjet e 2013-ës, duke siguruar se mazhoranca do të bëjë gjithçka për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.
Për sa i përket çështjes së korrupsionit Berisha vlerësoi se ky vend ka kryer një reformë shumë të qartë të luftës kundër korrupsionit.Asambleja Parlamentare e OSBE-së ka mbajtur sesionin e saj të vjeshtës 2012 në kryeqytetin shqiptar duke iu përgjigjur ftesës së Kryetares Jozefina Topalli.
Për tre ditë mbi 200 pjesëmarrës nga 56 vende anëtare të OSBE-së do të marrin pjesë në takime të nivelit të lartë që përfshijnë edhe një konferencë parlamentare.
Në punimet e së premtes mbajtën fjalë përshëndetëse Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Riccardo Migliori, Kryeparlamentarja shqiptare Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm OSBE-së, Lamberto Zannier.
ZANNIER TAKOHET EDHE ME PRESIDENTIN NISHANI
Gjatë vizitës në Tiranë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, është takuar edhe me Presidentin Bujar Nishani.
Në njoftimin e shtypit të Presidencës, thuhet se Zoti Zannier është shprehur në takim me Nishanin se Shqipëria me Presidencën e Këshillit të Evropës po demostron me fakte aftësitë e saj në drejtimin e institucioneve ndërkombëtare dhe se ai vetë mbetet mbështetës i kërkesës shqiptare për të drejtuar OSBE-në.
Nga ana e tij ,kreu i shtetit Nishani vlerësoi ndihmën e madhe që OSBE-ja ka dhënë në drejtim të demokratizimit të vendit, procesit të zgjedhjeve, përmirësimit të legjislacionit zgjedhor, monitorimin dhe rekomandimeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria, falë maturisë dhe aftësisë së institucioneve të saj është e gatshme të marrë Presidencën e OSBE-së në një moment sa më të afërt dhe kur për këtë të ketë konsensus të plotë. Presidenti Nishani nënvizoi se “Shqipëria me tolerancën dhe harmoninë e saj fetare, me respektin që ka treguar për të tjerët të ndryshëm si edhe me politikën e fqinjësisë së mirë ka se çfarë të ofrojë gjatë Presidencës së saj të OSBE-së”.
TAKIM EDHE ME AVOKATIN E POPULLIT, IGLI TOTOZANI
Avokati i Popullit, Igli Totozani priti në zyrën e tij, z. Lamberto Zannier, Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE, i shoqëruar nga ambasadori Eugen Wollfarth dhe një pjesë e stafit të tij.
Në fjalën e tij, Zannier uroi Avokatin e Popullit për standardet që ai po vendos me punën e tij dhe me vendimin që do qëndrojë vetëm një mandat në krye të institucionit. Lamberto theksoi në fjalën e tij se OSBE mbështet aktivitetet e Avokatit të Popullit dhe e konsideron si një institucion shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Që nga momenti i zgjedhjes dhe deri tani ju keni kontribuar në rritjen e prestigjit të këtij institucioni. Vlerësojmë shumë iniciativën tuaj personale për çështjet që keni trajtuar gjatë punës tuaj. Ju keni mbështetur çështjet e shtresave vuilnerabël, të cilat janë dhe prioritet për OSBE-në, na vjen mirë që kemi përcaktuar të njëjtat prioritete. Do të vazhdojmë të mbështesim institucionin tuaj dhe ju personalisht”- u shpreh në fjalën e tij Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, z. Lamberto Zannier.
Nga ana e tij, Avokati i Popullit, Igli Totozani vlerësoi praninë e Zannier në institucionin që ai drejton. Gjithashtu Totozani vlerësoi dhe Raportin e fundit të OSBE si dhe ndihmën e vazhdueshme që ajo jep në mbështetjen e punës së institucionit të Avokatit të Popullit.Në fjalën e tij, Igli Totozani bëri një pasqyrim të përgjithshëm të punës që është bërë në institucion që nga moment i marrjes së detyrës.
(Gre.M/Shqiptarja.com)