Presidenti Vladimir Putin urdhëroi shtetin rus, më 5 tetor, që të marrë kontrollin e plotë të centralit bërthamor të Zaporizhjës. Kjo është një nga lëvizjet e tij të para për të vendosur sundim mbi zonat e Ukrainës që Rusia i ka shpallur si të sajat.
Urdhëri erdhi pas nënshkrimit të dekreteve për aneksimin e katër rajoneve ukrainase, të cilat kontrollohen pjesërisht nga Moska.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
Pas nënshkrimit të dekretit që përcakton centralin bërthamor si "pronë federale" ruse, Putin tha se pret të "stabilizohet" situata në këto rajone.
Rusia ka shpallur aneksimin e rajoneve ukrainase të Luhanskut, Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjës, pasi në këto rajone u mbajtën referendume të rreme.
Zaporizhja është qytet në juglindje të Ukrainës, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë. Kontrolli i këtij centrali është marrë nga forcat ruse pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Rosenergoatom, operatori rus i energjisë bërthamore, tha se do të vlerësojë dëmet në infrastrukturën e uzinës dhe do t'i transferojë punonjësit ukrainas në një organizatë të re në pronësi ruse.
Ndërsa operatori shtetëror bërthamor ukrainas, Enerhoatom, tha se dekreti i Putinit dhe dokumentet e tjera ruse në lidhje me centralin bërthamor ishin "të pavlera dhe absurde".
Enerhoatom tha se centrali do të vazhdojë të funksionojë "në përputhje me legjislacionin ukrainas".
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, u nis për në Kiev më 5 tetor, dhe pritet që ta vizitojë edhe Moskën gjatë kësaj jave.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, dhe në shtator Putin shpalli një mobilizim të “pjesshëm” ushtarak për të forcuar radhët në Ukrainë, në kohën kur forcat e Kievit po raportojnë për rimarrjen e kontrollit të disa territoreve që ishin pushtuar nga forcat ruse./REL
Lajmi kryesor:
Lufta në Ukrainë/ Rusia godet me raketa qytetin ukrainas të Zaporizhias
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)