Policia e Lushnjës po vijon me intensitet zbatimin e planit operacional të koduar “Hapësirat publike”. Në kuadër të këtij operacioni janë konstatuar tre raste të shfrytëzimit të paligjshëm të hapësirave publike për qëllime ekonomike.

Si rezultat, tre persona janë vënë nën hetim. Dy të rinj kishin pushtuar 2 hapësira publike në lagjen Savër dhe i shfrytëzonin si subjekte për shitblerje automjetesh.

Ndërkohë një person tjetër shfrytëzonte një hapësirë në lagje si vendparkim mjetesh.

“Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve, të kryera në kuadër të operacionit “Hapësirat publike”, me objektiv evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të zënies dhe/ose shfrytëzimit të hapësirave publike ose private, në kundërshtim me ligjin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-A. S., 34 vjeç dhe R. K., 29 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në lagjen "Savër", kishin pushtuar 2 hapësira publike, të cilat i shfrytëzonin si subjekte për shitblerje automjetesh, aktivitet të cilin nuk e kishin regjistruar te organet tatimore;

-A. H., i cili shfrytëzonte një hapësirë në lagjen "Gafurr Muça", si vendparkim automjetesh, aktivitet të cilin nuk e kishin regjistruar te organet tatimore.

Plani operacional “Hapësirat publike” vijon”, njofton Policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.