Durrës-Vijojnë operacionet e policisë për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Durrësit. Sot në njoftimin zyrtar për mediat blutë bëjnë me dije se në plazhin e Kallmit blutë liruan 3 hapësira që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.     

Efektivët sekuestruan gjithashtu edhe 70 komplete me çadra dhe shezlongë.

Ndërkohë për këtë rast 3 persona do të hetohen në gjendje të lirë.    

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të plan-operacionit "Plazhi i lirë", kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.          

Gjatë kontrolleve, në lagjen nr. 15, në tri hapësira publike në plazhin e Kallmit, u hoqën dhe u sekuestruan 70 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme, nga 3 shtetas.     

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. H., 61 vjeç, E. S., 36 vjeç dhe F. H., 64 vjeçe, të tre banues në Durrës.  

 Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.