Zbardhet dinamika/ Si ndodhi
grabitja në pistën e aeroportit

Policia e Shtetit ka shpjeguar se si ndodhi grabitja e miliona eurove një ditë më parë në Rinas, në pistën e fluturimeve, vetëm një ditë pasi policia deklaroi rritjen e masave të sigurisë si pasojë e sulmeve terroriste në Stamboll. Hodaj dha detaje se si vepruan grabitësit, ndërsa tha se përgjegjësia për sigurinë ishte e kompanisë koncesionare dhe jo e policisë.
 
Dinamika e ngjarjes në Aeroportin e Rinasit
Në orën 14:23 të datës 30.06.2016, sipas orës së sistemit të kamerave të sigurisë së Aeroportit të Rinasit, një person i veshur me jelek me ngjyrë portokalli me fasha fosforeshente, kapërcen portën e ndodhur në skajin veri-perëndimor të pistës,  portë e cila përdoret vetëm për hyrje-daljen e mjeteve që furnizojnë me karburant avionët.
 
Ky person ka prerë drynin e derës dhe pasi ka hapur atë, në territorin e  pistës futet një automjet tip "Mercedes Benz" me ngjyre vishnje. Autorët janë futur me makine  në vendqëndrimin e automjeteve të shërbimit dhe kanë kryer vjedhjen e parave që ndodheshin në makinën e blinduar të shoqërisë “NAZERI 2000”. 
 
Në  orën 14:27 ky automjet duket që del përsëri nga territori i aeroportit nga e njëjta portë, prej nga hyri.

makina
makina
Momenti kur makina e grabitësve futet në aeroport
Momenti kur makina e grabitësve del nga aeroporti
(Makina e grabitësve duke u futur e duke dalë nga aeroporti i Rinasit)

grabitja ne rinas
 (Skema si ka ndodhur grabitja dje në aeroport, lëvizjet e autorëve)
 
Rezulton se pas daljes nga porta, autorët janë larguar në drejtim të aksit rrugor Rinas - Fushë Krujë – Vorë.
 
Në orën 14:33, 10 minuta pas thyerjes së sigurisë së rrethimit të jashtëm të aeroportit, Salla Operative e DVK&M Tiranë njoftohet nga ODM (Operatori i Drejtimit dhe Menaxhimit të Aeroportit), se persona të armatosur kanë hyrë me automjet brenda territorit të pistës së avionëve dhe kanë kryer një grabitje.
 
Menjëherë me marrjen e njoftimit shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve duke konstatuar një automjet tip "Mercedes-Benz" i cili po digjej.
 
Në ndjekje të autorëve janë vënë forcat "RENEA", FNSH, forcat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Komisariatit Kruje,  dhe specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit.
 
Gjithashtu është ngritur në fluturim me efektiva të policisë RENEA helikopteri i Policisë për krehjen e zonës nga ajri.
 
Menjëherë është ngritur grupi hetimor ku ka vazhduar puna për zbulimin dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje.
 
Nga të dhënat paraprake të hetimit, rezulton se persona të maskuar me maska dhe paruke, të armatosur me armë automatike të llojit kallashnikov, nën kërcënimin e armëve, kanë arritur të grabisin një sasi valute të kartëmonedhave të ndryshme, të deklaruar më pak se 1 milion Euro, ne automjetin tip Blind te shoqërisë SH.P.S.F. “Nazeri 2000”.
 
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, dëshmitë e marra deri tani dhe të gjitha të dhënat paraprake hetimore, autorët nuk kanë qëlluar me armë.
 
Reagimi i Policisë  ka qenë i menjëhershëm pas njoftimit të dhënë, megjithëse sipas regjistrave, është njoftuar rreth 10 minuta pas hyrjes së makinës dhe 5 minuta pasi autoret jane larguar nga rrethimi i aeroportit. 
 
Dua të bëj me dije se në sallën e monitorëve të mbikëqyrjes me kamera, nuk ka asnjë prezencë të policisë dhe njoftimi për ngjarje që ndodhin në aeroport bëhet nga punonjësit e ODM.
 
Gjithashtu, në bazë të Marrëveshjes Konçensionare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Konçensionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendqëndrimin e Avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe sallën e kamerave ÇTV, e bën në mënyrë eksluzive shoqëria koncesionare nëpërmjet kompanive private të sigurisë.
 
Madje vetë policia, mbi bazën e kësaj marrëveshje, e ka rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aereoport. 
 
Ndërkohë që bazuar në ligjin për Policinë e Shtetit dhe në Ligji Nr. 9861 datë 24.01.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirt shtetëror”, Policia e Shtetit mban përgjegjgësi për sigurinë e udhëtarëve në Aeroportin Nënë Tereza, dhe veçanërisht në Pikën e Kalimit Kufitar Ajror, që është territori nga kabina e kontrollit, salla e tranzitit deri në vendqëndrimin e avionit. 
 
Gjithashtu, Policia e Shtetit, bazuar edhe në masat e shtuara të sigurisë, të marra në kuadër të luftës kundër terrorizmit, kryen shërbim me patrulla të shtuara në kabinat e kontrollit të pasagjerëve në hyrje-dalje, në ambientet e brendshme dhe para terminalit të pasagjerëve, në ambientet e intervistimit të shtetasve të kthyer dhe për sigurimin e personave të shoqëruar në ambientet e Komisariatit.
 
Sa më sipër, theksojmë se perimetri i jashtëm i aeroportit, patrullimi nga brenda i perimetrit të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendpushimi i avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe salla e kamerave ÇTV, janë përgjegjësi direkte e kompanisë ICTS, e cila është kontraktuar nga TIA (Tirana International Airport).
 
Pikërisht për shkak të konstatimit të shpeshtë të mungesës së disa elementëve të sigurisë, Policia e Shtetit me shkresë nr 457 datë 21.04.2014 i ka komunikuar autoritetit Aeroportual TIA, në lidhje me mangësitë të konstatuara në drejtim të parametrave të sigurisë, vecanërisht për sistemin e kamerave, pasi kamerat nuk mbulonin me monitorim të gjitha pikat nervlagjike të aeroportit.
 
Me shkresë ref. RCV/IA, datë 24.04.2014, protokoll 273/1, nga Autoriteti Aeroportual TIA, i është kthyer përgjigje Komisariatit të Polcisë Rinas se: Shqetësimet e ngritura lidhur me sigurinë dhe kamerat e sigurisë, nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit.
 
Në vazhdimësi të korrespodencës për riparimin e mangësive të  konstatuara, me shkresë nr 496 protokoll 25 .04.2014 Komisariati i Policisë Kufitare Rinas i është drejtuar Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC),  me kërkesë për ndërhyre për marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e problematikave të konstatuara lidhur me sigurinë në Aeroport, duke i kërkuar Koncesionarit që të zgjidhe menjëherë problemet e sigurisë në përputhje me standardet ndërkombëtare për sigurinë në Aeroporte.
 
Nga Autoriteti i Aviacionit Civil akoma deri ditën e sotme nuk është kthyer asnjë përgjigje.
 
Po në vijim të korrespodencës me shkresë nr 534/protokoll datë 24.03.2016, Komisariati i Policisë Kufitare Rinas, i kërkon autoritetit Aeroportual TIA, marrjen e masave për lëvizjen e mjeteve të shërbimeve të linjave ajrore brenda në pistë si dhe rishikimin e sistemit të kamerave.
 
Në mbledhjen e këshillit të sigurisë së aeroportit datë 30.03.2016 mbajtur me protokoll nr 145  Ref : RCV-GM/STO nga ana e Policisë së Shtetit është kërkuar rishikim i masave të sigurisë përfshirë dhe sistemin e kamerave si dhe shkëmbim i menjëhershëm i informacionit në rast të ngjarjeve të mundshme kriminale.
 
Në lidhje me veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes theksojmë se janë angazhuar kapacitetet më të  kualifikuara dhe të specializuar të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë.
 
Po punohet intensivisht në disa pista për zbardhjen e kësaj ngjarje.
 
Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve në dhënien e informacioneve të vlefshme në lidhje me këtë ngjarje dhe siguron ruajtjen e anonimatit.
 
Policia e Shtetit është e angazhuar për të garantuar siguri maksimale të qytetarëve në Aeroportin e Rinasit, ashtu sic do të kërkojë në vazhdimësi shtimin e masave të sigurisë nga të gjithë institucionet që kanë përgjegjësi për garantimin e sigurisë brenda aereoportit dhe cdo mjedisi tjetër.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje për ne! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje për ne! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve