Zbardhet kërkesa e PS për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar: Luftë dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në demokracinë e vendit

Zbardhet kërkesa e PS për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar: Luftë dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në demokracinë e vendit

TIRANË- Komisioni i Posaçëm Parlamentar i propozuar nga PS për dezinformim do të mbikëqyri të gjitha veprimet institucionale në luftën kundër ndikimit të huaj për të dëmtuar demokracinë në vend. Ky është thelbi i kërkesës së socialistëve drejtuar Kuvendit për komisionin i cili do të bëjë analizë për transparencën e financimeve në fushata zgjedhore.

Sipas kërkesës së PS-së, të siguruar nga gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj, Komisioni i Posaçëm nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, duhet të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një seri formash, duke përfshirë, fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale për formësimin e opinionit publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publike dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.

Kërkesa është firmosur nga 7 deputetë të PS-së, duke nisur nga kreu i grupit Parlamentar Bledar Çuçi, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri, Toni Gogu, Klevis Xhoxhi, Petro Koçi.

Partia Socialiste thotë se Komisioni i Posaçëm do të kryejë një analizë të plotë të të gjithë faktorëve dhe fenomeneve, për të vlerësuar nëse janë respektuar detyrimet ligjore në fuqi. Komisioni po ashtu do të bëjë analizë për transparencën e financimeve në fushata zgjedhore. 

‘Komisioni i Posaçëm duhet të kryejë një analizë të plotë të të gjithë faktorëve dhe fenomeneve për të vlerësuar nëse janë respektuar detyrimet ligjore në fuqi, në lidhje me transparencën në proceset demokratike, veçanërisht transparencën e financimeve në fushata zgjedhore, si dhe transparencën e financimit të të gjithë aktorëve dhe platformave që ofrojnë shërbime në sektorin e informimit publik apo veprimtari të tjera të ngjashme me to.’- thuhet në kërkesën e PS-së.

Komisioni duhet t’i paraqesë Kuvendit raportin vjetor me analizat, gjetjet dhe propozimet për masat. Sipas kërkesës së PS-së do të shkohet deri në mbylljen e llogarive në rrjetet sociale të personave apo subjektive që funksionojnë në mënyrë jo autentike, por robotike dhe nxisin urrejtje apo kërcënojnë demokracinë.

'Bazuar në gjetjet e kësaj analize, Komisioni i Posaçëm duhet të identifikojë masat administrative dhe ndërhyrjet e mundshme nëpërmjet ndryshimit apo plotësimit të legjislacionit në fuqi për të adresuar zgjidhjen e problematikave të identifikuara, veçanërisht në drejtim të rritjes së përgjegjëshmërisë së platformave dhe mediave sociale për të klasifikuar përmbajtjet e lajmeve/informacioneve që shpërndahen nga robotët, duke rishikuar algoritmet me qëllim bërjen sa më transparente të faktorëve ku bazohen për të shfaqur, për t'i dhënë përparësi, shpërndarë, apo hequr përmbajten e lajmit/informacionit, si dhe pa cënuar lirinë e shprehjes, për të mbyllur llogaritë e personave/subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara joautentike në internet ose aktivitete të paligjshme që synojnë minimin sistematik të proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes.

Komisioni i Posaçëm duhet të organizojë seanca dëgjimore me përfaqësues të mediave tradicionale, sektorit të biznesit si dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të nxitur një debat të vazhdueshëm mbi rritjen e përgjegjësisë për të luftuar ndërhyrjen e huaj në të gjitha proceset demokratike, duke përfshirë dezinformimin, jo ekskluzivisht vetëm nga autoritetet publike, por edhe në bashkëpunim me bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë dhe mediave sociale dhe sektorin privat në përgjithësi, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rolin, detyrën dhe përgjegjësinë që këta subjekte kanë në përballjen e ndërhyrjeve të huaja, duke u kujdesur në të njëjtën kohë për të mos cënuar lirinë e shprehjes.

Komisioni i Posaçëm duhet t'i paraqesë Kuvendit një raport vjetor të veprimtarisë me analizat, gjetjet dhe propozimet për masat administrative dhe ndërhyrjet në legjislacion, që duhet të përmbajë edhe masa konkrete për të kundërshtuar fushatat e informacionit dhe komunikimin strategjik të vendeve të treta keqdashëse, përfshirë ato që kryhen nëpërmjet aktorëve dhe organizatave vendase, që dëmtojnë qëllimet e Republikës së Shqipërisë dhe që janë krijuar për të ndikuar negativisht opinionin publik me qëllim për të minuar angazhimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.'- thuhet në kërkesën e PS-së.

Një tjetër detyrë e rëndësishme e Komisionit të Posaçëm është fakti se duhet të vlerësojë dhe masat ligjore për kufizime të forta në burimet e financimit, duke patur në konsideratë se aktorët e huaj kanë gjetur mënyra të ligjshme dhe të paligjshme për të anashkaluar detyrimet ligjore dhe kanë ofruar mbështetje të fshehtë për aleatët e tyre duke marrë hua në bankat e huaja, duke ofruar në natyrë sende me vlerë, përmes marrëveshjeve të blerjeve dhe atyre tregtare, përmes kompanive guaske, përmes organizatave jofitimprurëse, përmes donatorëve të lëvizjeve qytetare, përmes teknologjive në zhvillim që ofrojnë anonimitet, përmes reklamave në internet, përmes mediave ekstremiste online dhe përmes lehtësimit të aktiviteteve financiare.

Komisioni i Posaçëm, sipas PS-së duhet të punojë gjithashtu me organizata të shoqërisë civile që monitorojnë në mënyrë aktive tendencat e dezinformimit dhe proceset e ngjashme dhe të marrë në konsideratë dhe analizë dhe raportet përkatëse të monitorimit.

Komisioni i Posaçëm do të përbëhet nga 13 anëtarë, që përfaqësojnë proporcionalisht të gjitha grupet parlamentare dhe drejtohet nga përfaqësuesi i shumicës parlamentare. Anëtarët e Komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit.

‘Afati i veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm është një vit nga dita e vendimit të Kuvendit për ngritjen e tij. Kuvendi mund të vendosë të shtyjë afatin e Komisionit sipas përcaktimeve në Rregulloren e Kuvendit.’- thuhet në kërkesë.

Nisur nga natyra e veçantë e çështjeve që ka për objekt veprimtari, thuhet në kërkesën e PS-së pranë Komisionit të Posaçëm nevojitet të ngrihet një grup ekspertësh, si përfaqësues të institucionit të Presidentit të Republikës, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimit Informativ Kombëtar, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Autoritetit të Mediave Audio-Vizive si dhe institucione të tjera që Komisioni vlerëson se mund të kontribuojnë me ekspertizë në veprimtarinë e tij.

Po ashtu nënvizohet se Komisioni mund të kërkojë zyrtarisht ekspertizë nga BE, NATO, SHBA, si dhe të angazhojë eksperte vendas dhe/ose të BE-së, NATO-s, dhe ekspertë nga SHBA, të cilët punojnë së bashku me grupin e ekspertëve vendas sipas kërkesave të Komisionit dhe caktimit të detyrave përkatëse.

‘Ekspertët duhet të jenë pajisur ose të pajisen me dokumentacionin përkatës për sigurinë sipas legjislacionit në fuqi që mundëson kryerjen e ekspertizave në funksion të punës së Komisionit.’- thuhet në kërkesë.

Të gjitha organet shtetërore, ato publike dhe institucionet e pavarura kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Komisionin e Posaçëm si dhe të vënë në dispozicion të tij pa vonesa, çdo dokumentacion apo informacionin që kërkohet nga Komisioni, për kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tij, thuhet më tej në kërkesën e PS-së.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • edi: 02/04/2024 11:13

    Besoj qe kjo behet per te mbuluar maredheniet e tyre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç