Zbardhet platforma e PS për
mandatin e dytë qeverisës

Zbardhet platforma e PS për<br />mandatin e dytë qeverisës
“Shqipëria ka ndryshuar dhe vijon të ndryshojë. Shqipëria e vitit 2017 është shumë më e mirë, më e fortë dhe më e sigurt se Shqipëria e vitit 2013. Ne ndalëm krizën, rënien, kaosin, dëshpërimin dhe nisëm rimëkëmbjen, ndërtimin, rimodelimin ekonomik, konsolidimin e parametrave makroekonomikë e fiskalë dhe trajektoren pozitive të rritjes”.

Kjo është vetëm një frazë e programit elektoral që PS do të prezantojë në terren.

Në një dokument 35 faqe te siguruar nga Shqiptarja.com, PS sjell platformen e PS për mandatin e dytë qeverisës me 6 pika.

1. Shqipëria që duam
 2. Nga një realitet i dhimbshëm
 3. Në një Shqipëri të ndryshuar
 4. Premtime të mbajtura
 5. Premtime për të cilat po punojmë ende 
6. Shqipëria jonë në vitin 2021 19 Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë! Sepse e duam Shqipërinë dhe jemi këtu, në këtë parti, për Shqipërinë që Duam! 

Ekonomia
Delikate është çështja e ekonomisë, por për PS kjo pikë gjen zgjidhje dhe premtimi është optimist, ekonomia do te rritet me 5.5%.

"Në katër vitet e mandatit tonë të dytë, ekonomia do të rritet deri në 5.5 përqind.
Ekonomia do të bëhet një markë e konsoliduar “Made in Albania” në shumë sektorë.
Produktet bujqësore, cilësore dhe të shtuara në llojshmëri e sasi, do të konsolidohen në tregjet aktuale, do të gjejnë e konkurrojnë në tregje të reja", citon programi elektoral.

Duke bërë një rezyme sipas socialistëve, sesa e shkatërruar ishte Shqipëria në të gjitha fushat, programi elektoral sjell ndryshimet që ka pësuar në këto 4 vite.

Pikë interesante e programit është dhe ajo e premtimeve të mbajtura për të kaluar më pas tek premtimet që do të realizohen.

Ja Premtimet

Shqipëria jonë në vitin 2021

Ne punojmë për një Shtet për të gjithë, për më shumë punësim, zhvillim ekonomiko-social dhe mirëqenie. Modeli ynë ekonomik, i mbështetur tek politikat zhvilluese dhe reformat strukturore po nxit punësimin dhe biznesin e ndershëm, promovon konkurueshmërinë dhe inovacionin, po mbron dhe përmirëson shëndetin, arsimimin, emancipimin dhe përparimin e të gjithë shqiptarëve, mbështet mundësitë e barabarta, të drejtat e detyrimet e barabarta, mbron familjen, mbështet qytetarët në betejën e vazhdueshme kundër varfërisë, abuzimet e pushtetit, dhunës dhe padrejtësive, krijon shtetin e mirëqënies sociale.

Si nismëtarë dhe protagonistë të vendosur të reformës në drejtësi, ne besojmë se zbatimi i saj çliron energji e potencial të pafundëm shoqëror e ekonomik për qytetarët shqiptarë, për sipërmarrjen shqiptare, e në të njëjtën kohë, lartëson imazhin e Shqipërisë si një vend i denjë për familjen Europiane.

Socialistët Shqiptarë janë të vendosur që me përgjegjshmërinë dhe modestinë, këmbënguljen, qartësinë dhe moralin e forcës sonë politike të arrijmë objektivat që i kemi vendosur vetes për Shqipërinë që duam.

Ne, besojmë në politika sociale dhe ekonomike në harmoni të plotë me konsolidimin fiskal, shërbimet publike cilësore, zhvillimin e kapitalit njerëzor si pasuria më e madhe e një kombi, riaftësimin dhe mbështetjen për shtresat në nevojë, vazhdimin e marrëdhënies dhe bashkëpunimit me biznesin si një partner i denjë drejt zhvillimit dhe nxitjes së sektorëve me potencial ekonomik për më shumë punësim dhe mirëqenie.

Rritja ekonomike 5.5 përqind e PBB-së

Gjatë katër viteve të ardhshme, ne garantojmë një rritje ekonomike mesatare 4.5 përqind për të arritur në 5.5 përqind në fund të mandatit të dytë. Rritja do të garantohet nga konsolidimi i reformave të ndërmara në mandatin e parë, zbatimi i politikave të duhura sektoriale, shtimi i investimeve vendase dhe të huaja në ekonomi dhe rritja e konsumit të popullatës, përmirësimi i cilësisë së kapitalit njerëzor. Rritja e besimit tek shteti i të githëve, tek ekonomia dhe tek e ardhmja europiane, është themeli i suksesit tonë.

Ulim Borxhin Publik nën 60 përqind të PBB-së

Borxhi i lartë publik është një kërcënim serioz ndaj rritjes ekonomike afatgjatë. Ne jemi tërësisht të ndërgjegjshëm se çmimin më të lartë të një borxhi publik të lartë e kërcënues, e paguajnë shtresat me të ardhura të mesme dhe të ulëta, veçanërisht shtresat në nevojë.

Me politikat tona të kujdesshme, ne garantojmë një defiçit buxhetor nën nivelin 2 përqind dhe uljen e borxhit publik nën nivelin 60 përqind.

Ne jemi të vendosur për të vazhduar konsolidimin fiskal. Ne do të garantojmë vazhdimin e financimit të investimeve publike në rreth 5% të PBB-së. Ne jemi të vendosur për të vazhduar me përdorimin e instrumenteve të tilla financiare, si Partneriteti Publik Privat, për projekte me rëndësi të veçantë në ekonomi, për të siguruar investime në infrastrukturë dhe shërbime publike të domosdoshme për publikun.

220 mijë vende të reja pune

Përshpejtimi i qëndrueshëm i rritjes ekonomike, zbatimi i reformës në drejtesi, konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve shtetërore, forcimi i shtetit ligjor, shtimi i investimeve në ekonomi, aplikimi i politikave nxitëse në sektorët prioritarë, si dhe ndërhyrjet për të siguruar një ofertë më cilësore në tregun e punës, do të jenë faktorët kryesorë që do të mundësojnë krijimin e 220 mijë vendeve të reja të punës në mandatin e dytë.

Ne e konsiderojmë punësimin si një e drejtë e patjetërsueshme e çdo qytetari të aftë për punë. Ne e konsiderojmë punën dhe punësimin si mjetin e parë e të patjetërsueshëm në luftën kundër varfërisë dhe uljen e pabarazisë. Nëpërmjet politikave sociale për barazinë gjinore dhe progameve të riaftësimit dhe punësimit profesional, do të synojmë rritjen e mëtejshme të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe reduktimin e hendekut gjinor në paga. Fokusi ynë do të mbetet punësimi i të rinjve me formimin e duhur profesional. Gjatë katër viteve të ardhshme ekonomia jonë do të krijojë mundësi që norma e papunësisë të ulet për herë të parë nën nivelin dyshifror (8.2 përqind) pas më shumë se dy dekadash.

25% rritje e të ardhurave të disponueshme të popullatës;

Fondi i pagave në sektorin publik rritet me 68 miliardë lekë!

Modeli ekonomik që po ndërtojmë synon rritjen e vlerës së shtuar të prodhimeve vendase. Rritja e prodhimit vendas, rritja e punësimit, rritja e produktivitetit të punës si dhe lufta kundër informalitetit, do të mundësojnë që njerëzit të fitojnë më shumë dhe të përfitojnë paga më të larta. Ne do të lehtësojmë barrën fiskale në 18 përqind, për të ardhurat nga pagat e niveleve të larta. Beteja jonë me informalitetin do të vazhdojë, në emër të mbrojtjes së punës dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët por edhe të garancisë se merita dhe profesionalizmi do të marrin shpërblimin e duhur. Lufta kundër informalitetit është luftë kundër pabarazisë dhe kundër varfërisë.

Ne jemi të vendosur për përmirësimin e shërbimeve publike dhe, si një masë të rëndësishme në këtë drejtim, konsiderojmë edhe rritjen e pagave në të. Deri në fund të mandatit, do të rrisim deri në 40 përqind pagat, ku prioritet do të kenë sektorët e arsimit dhe shëndetësisë. Jemi të bindur se rritja e kapaciteteve njerëzore me profesionalizëm mbetet thelbësore për mirë-qeverisjen e vendit. Ne do të rrisim pagat e administratës publike për të rritur qëndrueshmërinë e institucioneve.

Paga minimale, 30 mijë Lekë

Rishpërndarja e të ardhurave dhe mbrojtja e të drejtave të të punësuarve më vulnerabël në tregun e punës, mbeten qëllime parësore të forcës sonë politike. Ne synojmë mbështetjen maksimale të këtyre shtresave duke konsideruar ruajtjen e balancës së shëndetshme të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë së vendit.

Politikat tona fiskale synojnë ngushtimin e pabarazisë në harmoni me nxitjen e rritjes ekonomike. Ne kemi qenë dhe jemi për taksa të ndershme e të drejta, ku ata që kanë më shumë mundësi, kontribuojnë edhe më shumë për kostot e shoqërisë. Brenda mandatit të dytë, paga minimale do të arrijë 30 mijë lekë.

Paketa e solidaritetit për pensionistët 24 miliard lekë;

7- 10 mijë lekë çdo fundvit për çdo pensionist!

Kujdesi ndaj moshës së tretë gjatë mandatit të parë do të vazhdojë të theksohet edhe në mandatin e dytë. Ndryshimet rrënjësore të sistemit shëndetësor si dhe avancimi drejt mbulimit universal dhe shëndetësisë falas, do të ndikojë sidomos moshat e treta. Përveç konsolidimit të lehtësirave në shërbime ndaj kësaj shtrese, një kujdes të veçantë do t’i jepet trajtimit financiar të tyre. Ne do të konsolidojmë zbatimin e reformës së pensioneve, reformë e cila shpëton skemën e pensioneve nga falimentimi ku po e çonte qeverisja e mëparshme. Ne do të vazhdojmë rritjen vjetore të pensioneve si dhe angazhohemi për dhënien e shpërblimit në fundvit nga 7 deri në 10 mijë lekë për çdo pensionist, duke nisur nga viti i parë i qeverisjes. Paketa e solidaritetit në fund të vitit do të jetë një politikë e përhershme e Qeverisë gjatë mandatit të dytë.

5% Tatim-Fitim për prodhimin në Teknologjinë e Informacionit
Do të stimulojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë zhvillimin e teknologjisë së informacionit, ku bizneset që investojnë në zhvillimin e saj do të kenë një normë tatimi për fitimin prej 5%, duke synuar afrimin e kompanive të rëndësishme të industrisë.

Teknologjia e informacionit do të ndikojë në rritjen e efiçencës së sektorëve të prodhimit, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, uljen e kostos së tyre, si dhe në rritjen e punësimit të të rinjve në sektorë me vlerë të lartë të shtuar.

Zhvillimi i kapaciteteve të Teknologjisë së Informacionit do të jetë një nga instrumentet kryesorë të modernizimit të shtetit, për të ofruar shërbime më të shpejta, transparente dhe cilësore ndaj qytetarëve, si dhe për të luftuar në mënyrë efikase korrupsionin dhe abuzivizmin. Aplikimi i platformave elektronike që minimizojnë kontaktet e qytetarit me administratën, monitorojnë punën dhe afatet kohore dhe shtojnë transparencën për publikun, do të vazhdojnë të jetë prioritet në katër vitet e ardhshme.

Ndihmë familjeve të reja për blerjen e shtëpisë së parë; Njohja si shpenzime të zbritshme të interesave të kredive të marra për shtëpinë e parë që në fillim të mandatit

Ne do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë Shqipërinë një vend dhe një shoqëri më të sigurtë. Për ne siguria sociale është një e drejtë civile, jo një privilegj dhe siguria fillon në radhë të parë tek familja. Familja është dhe qeliza bazë e sistemit shoqëror dhe mjedisi ku natyrshëm individi gjen paqen e brendshme. Nën moton “Familje e shëndoshë, krijon një shoqëri të zhvilluar”, ne do të kërkojmë të mbështesim të gjithë ata individë që do të kërkojnë të hedhin hapin e parë drejt ndërtimit të familjes duke blerë shtëpinë e parë me anë të një kredie. Në mandatin e dytë qeverisës do të kemi një paketë të plotë të promovimit të rritjes së popullsisë.

Ne do të vazhdojmë të punojmë për uljen e varfërisë, nëpërmjet politikave të zhvillimit ekonomik, realizimit të investimeve të rëndësishme në infrastrukturë dhe arsim në përfitim e me përparësi të zonave dhe familjeve të varfra, shënjestrimit më të mirë të ndihmës ekonomike dhe zëvëndësimit gradual të programeve të ndihmës me programe punësimi, në zonat urbane dhe rurale.

Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë tani më shumë mundësi të reja për punësim, jetë dhe integrim shoqëror. Ne do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e cilësisë së jetesës së tyre, duke përmirësuar, fuqizuar dhe shtuar instrumentet dhe politikat, e nëpërmjet vlerësimit bio-psiko-social bazuar në standardet ndërkombëtare të klasifikimit, duke ndërthurur skemën e pagesave me shërbime të integruara.

Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave

Ne zotohemi të garantojmë pagë të njëjtë për gratë dhe burrat që kryejnë punë të njëjtë. Sot kemi rreth 50 mijë më shumë gra dhe vajza që punojnë në krahasim me katër vjet më parë.

Do të vijojmë procesin e nisur për fuqizimin ekonomik të grave, nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit, nxitjes së kreditimit dhe sipërmarrjeve të grave e vajzave, nxitjes përparësore të punësimit e formimit profesional të tyre dhe buxhetimit gjinor në politikëbërje e vendimmarrje.

Ne do të ulim me 10% punën e papaguar të grave, duke rritur aksesin në shërbimet sociale si çerdhe, kopshte, shërbime për moshën e tretë, shërbime për gratë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, shërbime për gratë rome, egjyptiane, etj.

Do të punojmë për fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale, nëpërmjet uljes së punës së papaguar në sektorin bujqësor, fuqizimit të skemave të subvencioneve dhe shërbimeve të extensionit, rritjes së aksesit në shërbime shëndetësore e sociale, rritjes së formalizimit e punës së grave, etj.

Ne do të vijojmë të ruajmë nivelin e përfaqësimit të grave me të paktën 40% në vendimmarrje në proceset publike në nivel drejtues dhe proceset ligjvënëse, politikëbërëse dhe planifikuese në nivel qendror.

Fuqizimi i kompetencës ekonomike dhe sociale të rinisë

Ne rritëm punësimin e të rinjve me 4.5 përqind dhe ulëm papunësinë me 3.2 përqind, krahasuar me 2013.

Plotësimi i nevojave për punëtorë të kualifikuar, nëpërmjet arsimit dhe formimit profesional bashkëkohor, në industri, bujqësi e shërbime, të mbështetur në burime publike e private, është rruga kryesore e rritjes së kompetencës sociale dhe ekonomike të rinisë.

Gjatë katër viteve të ardhshme do të rrisim punësimin e të rinjve nëpërmjet mbështetjes së programeve “start-up”, shkollimit dhe formimit profesional; do të rrisim pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrjet politike; do të ruajmë dhe mbrojmë shëndetin e të rinjve përmes politikave të integruara shëndetësore dhe masivizimit të kulturës sportive.

Mbrojtja e fëmijëve

Ne do të vazhdojmë të mbrojmë fëmijët nga çdo formë abuzimi e dhune, nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit, zbatimit të sistemit të detyrueshëm të raportimit, programeve të prindërimit pozitiv, përkujdesjes alternative të sigurt e cilësore për fëmijët e abuzuar apo pa kujdes prindëror, ngritjes së një qendreje të specializuar për trajtimin e fëmijëve viktima të abuzimeve të rënda, integrimit në shkolla apo qendra përkujdesi të fëmijëve në situatë rruge dhe të shfrytëzuar për punë dhe monitorimit të vazhdueshëm të situatës së të drejtave të fëmijëve.

Mbrojtje, përkujdes dhe përfshirje shoqërore

Ne mbështesim shërbimet e kujdesit social, bazuar në parimet e decentralizimit dhe përfshirjes.

Ne do të transformojmë Ndihmën Ekonomike në Program për riintegrim social, përmes përfshirjes së përfituesve në programet e punësimit dhe kualifikimit profesional, në ndërmarrjet sociale dhe biznesin social. Shtimi i ndihmës ekonomike sipas modelit të ri do të shoqërohet me rritjen e përfshirjes në këtë skemë të familjeve të varfëra e të përjashtuara nga mundësia e përfitimit të saj në të gjithë vendin.

Njerëzit me aftësi të kufizuara kanë tani më shumë mundësi të reja për punësim, jetë dhe integrim shoqëror. Ne do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e cilësisë së jetesës së tyre, nëpërmjet vlerësimit bio-psiko-social bazuar në standardet ndërkombëtare të klasifikimit, duke ndërthurur skemën e pagesave me shërbime të integruara. Do të garantojmë përfshirjen e çdo individi me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore, nëpërmjet shërbimeve sociale riintegruese e rehabilituese dhe ofrimit të mundësive të punësimit.

Deri në vitin 2021 të gjitha llojet e shërbimeve publike të jenë të aksesueshme për të gjitha kategoritë e aftësisë së kufizuar, duke përfshirë edhe ofrimin e interpretimit në gjuhën e shenjave. Do të krijojmë kushtet që çdo fëmijë me aftësi të kufizuara të ndjekë shkollën.

Do të përmirësojmë shëndetin e personave me aftësi të kufizuara nëpërmjet shërbimeve e përfitimeve të aksesueshme, të rimbursueshme, të fokusuara tek klienti dhe në komunitet, nëpërmjet ngritjes së qendrave speciale të rehabilitimit.

Do të rrisim 10% numrin e përfituesve nga shërbimet komunitare dhe shërbimet alternative sociale dhe do të ofrojmë tipologji të reja shërbimesh.

Deri në vitin 2021 çdo fëmijë rom dhe egjyptian do të regjistrohet në shkollë, 100% e tyre do të mbarojnë arsimin e detyruar dhe 70% më shumë vajza e djem rom dhe egjyptianë do të përfundojnë të gjitha nivelet e arsimit. Do të rrism numrin e familjeve rome dhe egjyptiane që do të strehohen në banesa sociale dhe alternativave të ndryshme të strehimit në bashkëpunim me pushtetin vendor.

Mbështetje, integrim dhe dinjitet ish të përndjekurve politikë

Ne mbajtëm premtimin për zgjidhjen e problemit të dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë. Skema jonë e re e kompensimit zgjeroi grupin e përfituesve, zbatuam një shpërblim progresiv, në varësi të viteve të dënimit dhe moshës së ish të përndjekurve. Shtuam në skemën e dëmshpërblimit ish të përndjekurit që kishin aplikuar jashtë afatit ligjor. Në katër vjet ish të përndjekurit politikë që jetojnë u trajtuan me përparësi, u dëmshpërblyen, përfituan 7 këste dhe kemi filluar pagesën e këstit të tetë. Gjatë mandatit të dytë do të përfundojmë procesin e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë.

Ne synojmë përmirësimin e infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit në administratën publike për zhvillime të harmonizuara dhe integruara sipas standardeve ndërkombëtare për e-qeverisjen në të gjithë sektorët (shëndetësi, arsim, mjedis, bujqësi, turizëm, kulturë, energji, transport, etj.) me qëllim ndërlidhjen 100% të të gjitha sistemeve deri në fund të 2020-s. Deri në fund të vitit 2020 do të mbulohet me shërbim komunikimi elektronik të sigurtë i gjithë territori i vendit dhe 90% e popullsisë.

Bujqësia, një sektor prioritar!

Ne do të konfirmojmë mbështetjen e bujqësisë ku përveç vazhdimit të politikave të aplikuara gjatë mandatit të parë, do të synohet zhvillimi cilësor i sektorit duke arritur një raport më të drejtë midis kontributit të bujqësisë në PBB, në punësim si dhe shtimin e vlerës së produkteve bujqësore (përmes përpunimit apo varieteteve të përmirësuar).

Pas dyfishimit të sipërfaqes së tokës nën ujë (225 mijë ha tokë bujqësore ose dy herë më shumë se në vitin 2013) në mandatin e parë, ne do të vazhdojmë investimet në kullim dhe ujitje të tokës bujqësore duke e çuar në 100% sipërfaqen e tokës bujqësore nën ujë.

Do të vazhdojmë mbështetjen fiskale të sektorit dhe gjatë mandatit të dytë do të përjashtojmë nga TVSH-ja disa nga inputet bazë kryerore bujqësore, një mbështetje prej rreth 20 milionë dollarë në vit për fermerët.

Do të përfundojmë shpërndarjen e çertifikatave të pronës së tokës bujqësore

Do të përfundojmë procesin e shpërndarjes së çertifikatave të pronësisë së pronës bujqësore brenda mandatit të dytë qeverisës.

Do të nxisim prodhimin bujqësor, industritë agropërpunuese, formalizimin e tregut, konkurrencën dhe rrugën drejt tregut të prodhimeve bujqësore e blegtorale vendase, nëpërmjet mbështetjes së shtimit e zmadhimit të fermave mbi 5 hektarë, kooperimit, profilizimit, rritjes së potencialeve e burimeve të kreditimit dhe formimit profesional, me përparësi në mekanikën bujqësore. Burimet dhe incentivat financiare e fiskale do të mbështesin me përparësi fermat në zgjerim, duke garantuar mbështetje paralele për sipërmarrësit, të vetëpunësuarit dhe të punësuarit në bujqësi, blegtori dhe agropërpunim.

232 milionë dollarë më shumë financime për Bujqësinë

Gjatë mandatit të parë rritëm financimin e programit të mbështetjes ndaj fermerëve mesatarisht për çdo vit me 75% krahasuar me vitin 2013 (financuam 5.95 miliardë lekë për 2014-2017 ose mesatarisht 1.488 miliardë lekë në vit përkundrejt 0.847 miliardë lekëve të shpenzuara në 2013 për këtë zë), dhe e rrisim me rreth 23% këtë fond për vitet në vijim (1.82 miliardë në vit).

Do të sigurojmë mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural me 71 milionë euro në kuadër të programit IPARD për investime në bujqësi, në prodhim, përpunim e tregtim të produkteve bujqësore.

Do të investojmë 100 milionë dollarë në rrugët dytësore në bashkëpunim me Bankën Botërore, për të lehtësuar aksesin në treg të produkteve bujqësore si dhe lidhur atë me vendet turistike.

Do të shtojmë efektivitetin e linjës së kredisë për agrobiznesin në kuadër të programit me EBRD-në. Nga fillimi i projektit janë dhënë 588 kredi nga ky instrument në shumën 5.3 milionë euro. Tashmë që instrumenti po maturohet, janë rreth 95 milionë euro të disponueshme për kreditimin e sektorit me kushte lehtësuese.

Arsimi i gjeneratës tjetër

Për ne, arsimi dhe kërkimi shkencor janë një e mirë publike, themelet e ndërtimit të së ardhmes, rruga kryesore e progresit dhe e përballimit të sfidave të integrimit euroatlantik.

Ne punojmë për një sistem arsimor, i cili ndihmon në kultivimin e identitetit kulturor e kombëtar, zhvillimin e intelektit, formimin e vlerave qytetare, morale, fizike, sociale dhe estetike, forcimin e përgjegjësisë ndaj vetes, shoqërisë dhe mjedisit, aftësimin për jetë dhe për punë, zhvillimin e shpirtit të sipërmarrjes dhe përdorimin e teknologjive të reja.

Ne po punojmë për një sistem arsimor, i cili krijon bazat për një jetë të pavarur, pjesëmarrëse dhe të përgjegjshme, në tregun e punës dhe në shoqëri.

Ne po ndërtojmë një sistem arsimor që ka në qendër nevojat dhe interesat e nxënësve dhe studentëve dhe ofrohet në të gjitha stadet e jetës, nga fëmijëria e hershme, në edukimin në vazhdim dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Prioritet i politikave tona arsimore është barazia sociale në arsim. Ne do të vazhdojmë të krijojmë mundësi të barabarta për shkollim cilësor të të gjithë fëmijëve, pavarësisht origjinës, gjinisë, vendbanimit dhe të ardhurave. Ne punojmë që talenti të mos humbasë për shkak të origjinës dhe aftësive të kufizuara fizike. Ne garantojmë mundësi të barabarta, bazuar në aftësitë dhe në meritën, për çdo nxënës, që dëshiron të ndjekë studimet në arsimin e lartë.

Ne punojmë që shkolla shqiptare të transmetojë dije, formojë shprehi punuese dhe kërkimore dhe të ndërtojë kompetenca, për t’u dhënë zgjidhje problemeve individuale e të shoqërisë dhe të kontribuojnë në rritjen ekonomike të qëndrueshme, inteligjente dhe gjithëpërfshirëse. Sa më shumë njerëz të kenë qasje në arsimin cilësor, aq më e lartë, cilësore dhe e qëndrueshme do të jetë rritja ekonomike.

Ne e orientojmë shkollën drejt mësimit të shkencave dhe teknologjive bashkëkohore, për t’i përgatitur nxënësit dhe studentët të përballen me sfidat e epokës së informacionit dhe të kontribojnë në ekonominë e dijes.

Angazhimi ynë themelor për nxënësit mbetet investimi në fëmijërinë e hershme duke rritur numrin e të regjistruarve në arsimin parashkollor me synim shndërrimin e tij në të detyrueshëm në fund të mandatit; sigurimi i një Arsimi gjithëpërfshirës duke garantuar mësues ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe, duke lehtësuar familjet shqiptare, duke rritur kohën e qëndrimit në shkollë, duke mundësuar ushqim në shkollë, si dhe përgatitjen e mësimeve; do të mundësojmë shtrirjen e nismës “Shkolla qendër komunitare” nga 225 shkolla në të gjitha shkollat e vendit; do të digjitalizojmë tërësisht kurrikulat e arsimit parauniversitar.

61 qendra të këshillimit të punësimit dhe karrierës

Do të synojmë rajonalizim në shkollat me klasa kolektive dhe do të mundësojmë futjen e sistemit digjital të mësimdhënies në këto klasa; do të realizojmë investime cilësore në infrastrukturën shkollore në gjithë ciklet arsimore duke synuar eliminimin përfundimtar të mësimit me turne; financimet në sistemin arsimor do të mundësojnë vendosjen e sistemit ngrohës për klasat e laboratorët në shkollat shqiptare; ne synojmë që shkollat të jenë jo vetëm vendet ku merret dije e kulturë, por edhe një mjedis ku komuniteti do kalojë pjesë të rëndësishme në aktivitete sportive, kulturore dhe artistike.

Do të ndërtojmë 140 shkolla të reja model për 40 mijë nxënës

Mësuesi do vazhdojë të jetë kryefjala e mbështetjes për rritjen e cilësisë në arsim. Ne do konsolidojmë gjithë sistemin e formimit dhe zhvillimit profesional të mësuesit duke realizuar me përparësi trajnimin e 20 mijë mësuesve mbi bazën e nevojave të identifikuara për kualifikim; gjatë katër viteve të mandatit të ardhshëm do realizojmë një rritje deri në 40% të pagës së mësuesve si dhe do mundësojmë aplikimin e një pakete specifike mbështetjeje për mësues të kualifikuar që ofrohen për të punuar në shkolla me rezultate të ulta; në kuadrin e objektivit të rritjes së cilësisë së mësuesve dhe mësimdhënies do të realizojmë në mënyrë tërësore e funksionale forumet online të çdo rrjeti profesional të mësuesve; në kuadër të përmirësimit të standardeve të drejtimit dhe menaxhimit, do të standardizojmë “Shkollën e drejtorëve” përmes provimit dhe licensimit duke larguar përfundimisht klientelizmin, nepotizmin dhe politikën nga drejtimi i shkollës.

Angazhimi jonë për shkollat e larta, universitetet dhe studentët do të jetë garantimi i një sistemi arsimor universitar, cilësor, të sigurt dhe të akredituar ndërkombëtarisht; do të mundësojmë arsim të lartë falas apo të mbështetur me bursat përkatëse për studentët e ekselencës dhe çdo student me rezultate të larta në pamundësi ekonomike; do të realizojmë dhe standardizojmë Anketën Kombëtare Studentore, si instrument vlerësimi të çdo universiteti; do të krijojmë platformën unike digjitale për të dhënat në arsimin e lartë dhe do të ndërtojmë një sistem modern gjurmueshmërie punësimi si instrument kryesor të evidentimit të cilësisë së universiteteve tona; do të garantojmë punësimin në administratën publike të studentëve ekselentë; do të mundësojmë për çdo student, akses falas në veprimtari kulturore-artistike, reduktim tarifash për shërbime publike, tarifa preferenciale për shërbime private.

Angazhimi jonë për pedagogët do të jetë garantimi për herë të parë dhe në formë të plotë i statusit të pedagogut; rritja e vazhdueshme e financimit publik për arsimin e lartë dhe krijimi i kushteve dhe standardeve për tërheqjen e investimeve sa më të mëdha nga sektori privat, pushteti lokal, biznesi dhe aktorë të tjerë të shoqërisë në këtë sektor; ne do të punojmë intensivët për transformimin e sistemit të gradave dhe titujve akademikë në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare; do mbështesim rolin e universiteteve si qendra të zhvillimit ekonomik e social të vendit; do të reformojmë thellësisht sistemin e kërkimit shkencor dhe financimit të tij duke realizuar edhe portalin “Censusi i kërkimit shkencor”; do të mundësojmë mbështetje financiare për projekte kërkimore nga sipërmarrja përmes lehtësive fiskale dhe do të lehtësojmë pjesëmarrjen e projekteve akademike në gara publike.

Çdo bashki të ketë të paktën një shkollë profesionale, të specializuar në nevojat e tregut lokal

Ne do të vazhdojmë të punojmë që shkollat tona të mos transmetojnë thjesht dije, por të formojnë aftësi që t’i ndihmojnë të rinjtë shqiptarë të bëhen konkurrues dhe dinamikë në tregun e punës si dhe të kultivojnë përgjegjësinë qytetare e shoqërore.

Riorganizimi i shkollave në qendra shumëfunksionale ku krahas arsimit profesional do të ofrohet dhe formim profesional dhe transformimi i 18 shkollave të mesme në shkolla ekselence sipas sistemit dual, do të dyfishojmë nga 27 mijë në 54 mijë numrin e personave të trajnuar në katër vitet e ardhshme.

Angazhimi jonë për pedagogët do të jetë garantimi për herë të parë dhe në formë të plotë i statusit të pedagogut; rritja e vazhdueshme e financimit publik për arsimin e lartë dhe krijimi i kushteve dhe standardeve për tërheqjen e investimeve sa më të mëdha nga sektori privat, pushteti lokal, biznesi dhe aktorë të tjerë të shoqërisë në këtë sektor; ne do të punojmë intensivët për transformimin e sistemit të gradave dhe titujve akademikë në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare; do mbështesim rolin  e universiteteve si qendra të zhvillimit ekonomik e social të vendit; do të reformojmë thellësisht sistemin e kërkimit shkencor dhe financimit të tij duke realizuar edhe portalin “Censusi i kërkimit shkencor”; do të mundësojmë mbështetje financiare për projekte kërkimore nga sipërmarrja përmes lehtësive fiskale dhe do të lehtësojmë pjesëmarrjen e projekteve akademike në gara publike.
 
Çdo bashki të ketë të paktën një shkollë profesionale, të specializuar në nevojat e tregut lokal
Ne do të vazhdojmë të punojmë që shkollat tona të mos transmetojnë thjesht dije, por të formojnë aftësi që t’i ndihmojnë të rinjtë shqiptarë të bëhen konkurrues dhe dinamikë në tregun e punës si dhe të kultivojnë përgjegjësinë qytetare e shoqërore.
Riorganizimi i shkollave në qendra shumëfunksionale ku krahas arsimit profesional do të ofrohet dhe formim profesional dhe transformimi i 18 shkollave të mesme në shkolla ekselence sipas sistemit dual, do të dyfishojmë nga 27 mijë në 54 mijë numrin e personave të trajnuar në katër vitet e ardhshme.
 
Drejt shëndetësisë falas brenda mandatit të dytë
Mbulimi shëndetësor universal mbetet qëllimi dhe angazhimi ynë. Brenda vitit 2021 shqiptarët do të kenë shërbimet shëndetësore falas.
Nën moton “shëndet për të gjithë” ne do të vazhdojmë të promovojmë jetën e shëndetshme, duke rritur investimet në të gjithë sektorët që lidhen me shëndetin, rininë, mjedisin, sigurinë rrugore, sportin, edukimin fizik në shkolla dhe masat fiskale e administrative për të kufizuar dëmet nga përdorimi i alkoolit dhe duhanit.
 
Rasteve urgjente do t’u përgjigjemi brenda 10–15 minutave në zonat urbane dhe 20–35 minutave në zonat rurale
Urgjenca mjekësore në territor do të forcohet në kapacitete njerëzore, mjekësore e motorrike. Flota e autoambulancave do të rinovohet tërësisht. Thirrjeve të rasteve urgjente do t’u përgjigjemi brenda 10–15 minutave në zonat urbane dhe 20–35 minutave në zonat rurale.
Ne do të kompensojmë plotësisht materialet mjekësore për kryrjen e funksioneve të domosdoshme jetësore për fëmijët dhe pensionistët.
Do të rrisim kujdesin për nënën dhe fëmijën, me vëmendje të veçantë për fëmijët me aftësi të kufizuar, duke mundësuar një qasje socio-shëndetësore në qendra të specializuara.
Ne do të vijojmë të mbështesim fort parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm sepse prirjet demografike po krijojnë një profil të ri epidemiologjik: jetëgjatësia po rritet, sëmundjet jongjitëse edhe numri i të sëmurëve me disa sëmundje njëherësh po shtohen.
Paralelisht me plotësimin e boshllëqeve për specialistë të kujdesit shëndetësor, ne do të rrisim autoritetin dhe dinjitetin e mjekëve dhe infermierëve dhe do të rrisim pagat e tyre, duke promovuar përkushtimin dhe performancën. Ne do të mbështesim financiarisht kualifikimin e profesionistëve të shëndetësisë në qendrat spitalore dhe universitetet prestigjioze jashtë vendit, duke bashkëpunuar me institucione e profesionistë të shquar në vendet perëndimore.
 
Financimi publik për kujdesin shëndetësor synohet të arrijë 60-65% të shpenzimeve totale për shëndetësinë (e gjetëm 43% në 2013), duke siguruar që asnjë familje shqiptare të mos bjerë në varfëri për shkak të pagesës për kujdes shëndetësor.
 
Ne do të shtojmë investimet në infrastrukturën shëndetësore dhe pajisjet mjekësore, për të garantuar akses dhe cilësi në kujdesin shëndetësor. Kantieri tashmë i hapur i shëndetësisë do të zgjerohet me vepra të reja të infrastrukturës spitalore, duke shfrytëzuar financimet publike dhe Partneritetin Publik Privat. Vëmendje të veçantë do t’u kushtojmë qendrave spitalore universitare dhe spitaleve rajonale.
 
Ne do të vijojmë zgjerimin dhe konsolidimin e shëndetësisë elektronike. Do të krijojmë lehtësi për pacientët dhe profesionistët e shëndetit. Regjistri kombëtar i shëndetit do të përmbajë edhe një rrjet të integruar të diagnostikës imazherike, për të pakësuar ndjeshëm ecejaket e pacientëve dhe për të siguruar shërbim cilësor edhe në zonat periferike.     
 
Një treg energjitik potencial dhe modern i orientuar drejt eksportit
Pas nxjerrjes së sektorit nga falimentimi faktik gjatë mandatit të parë, mandati i dytë synon konsolidimin e rimëkëmbjes së kompanive dhe kthimin e tyre nga një risk për buxhetin e shtetit në një nga asetet më të rëndësishëm që gjenerojnë të ardhura për buxhetin. Shtimi i investimeve në këtë sektor do të synojë: modernizimin e rrjetit, shtimin e kapaciteteve të interkonjeksioneve me tregun rajonal energjitik, diversifikimin e burimeve të energjisë si dhe shtimin e kapaciteteve të reja hidrike.
 
Prioritet në katër vitet e ardhshme do të jetë përfundimi i liberalizimit të tregut për tensionin e lartë dhe të mesëm, investimi në burimet kryesore të gjenerimit, fuqizimi i linjave të transmetimit të brendshëm dhe interkonjeksionit me vendet e rajonin, fillimi i ndërtimit të gazsjellësit Adriatiko-Jonian.
 
Do të përfundojmë procesin e legalizimeve
Programi i Rilindjes urbane, i zbatuar gjatë viteve 2014-2017 do të pasohet nga shndërrimi i qyteteve në qytete sociale dhe qytete për njerëzit gjatë mandatit tonë të dytë qeverisës.
Do të ofrojmë një model të ri dhe afatgjatë të rritjes së efektivitetit të administrimit dhe funksionimit të tregut të tokës, me ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e pasurive të paluajtshme, rritje ekonomike, kohezion social, mjedisor dhe kulturor.
Do të hartojmë një plan strategjik reformues për rigjenerimin urban dhe zhvillimin cilësor të tokës, mbi formalizimin, urbanizimin dhe përcaktimin e instrumenteve të linjës së planifikimit, në koherencë me Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe Planet e Përgjithshme Vendore.
Do të krijojmë një platformë kombëtare urbanizimi për vlerësimin e nevojave të zonave informale për shërbime publike dhe infrastrukturës prioritare së nevojshme integruese, në koordinim me bashkitë, komunitetin dhe aktorët e përfshirë, për garantimin e Partneritetit Publik Privat, për urbanizimin, zhvillimin dhe integrimin e zonave të formalizuara. Do formalizojmë të gjithë vendbanimet informale, duke mbyllur përfundimisht epokën e informalitetit në zhvillimin e tokës.
 
Mjedis i favorshëm për zhvillimin e biznesit
Ne jemi të bindur se biznesi i ndershëm dhe novator, që di të rritet dhe kultivojë vlera, di të ofrojë punësim dhe krijojë mirëqenie, po operon në një mjedis shumë më të favorshëm se më parë.
Politikat tona kanë ndihmuar që biznesi të zhvillojë potencialet e tij në rritjen e produktivitetit dhe qëndrueshmërisë duke frenuar njëanshmërinë dhe abuzimin nëpërmjet unifikimit të marrëdhënies me administratën tatimore; kemi nxitur investimet kapitale në proceset prodhuese me shtimin e përjashtimeve për TVSH-në e makinerive dhe pajisjeve; kemi rritur ndërgjegjësimin e biznesit dhe i kemi shtuar hapësirat vetëkorrigjuese. Kemi miratuar një paketë të plotë thjeshtimesh dhe lehtësirash proceduriale tatimore duke adresuar të gjitha kërkesat e komunitetit të biznesit.
 
Mandati i dytë qeverisës do të karakterizohet nga qëndrueshmëria e legjislacionit fiskal dhe modernizim i mëtejshëm i administratave fiskale, rritja e përdorimit të teknologjisë së informacionit për të minimizuar kontaktet ne terren të administratës me biznesin.
 
Stabiliteti makroekonomik, vazhdimi i reformave strukturore, stabiliteti fiskal, si dhe fillimi i aplikimit të reformës në drejtësi do të garantojnë një klimë shumë më të përmirësuar të të bërit biznes.
Në prezencë të një klime të përmirësuar të biznesit, në vazhdimësi të politikave buxhetore dhe fiskale që nxisin rritjen e vlerës së shtuar të prodhimeve të vendit si edhe të politikave sektoriale zhvillimore për sektorët prioritarë, modeli i ri i zhvillimit ekonomik do të mbështesë orientimin e biznesit drejt industrializimit të lehtë. Ky kalim do të mundësojë një shtim më të lartë të vlerës së prodhimit vendas, duke reflektuar rritjen e produktivitetit të kapitalit financiar, të vlerës së burimeve natyrore dhe kapitalit njerëzor duke rezultuar në mirëqenie të rritur për shoqërinë tonë.
 
Projekti “1 Miliardë”
Një tjetër parneritet me biznesin do të jetë Paketa “1 Miliardë”, si një nismë për rritjen e mëtejshme të ekonomisë kombëtare në sektorë të ndryshëm, duke u fokusuar në atë social, turizëm dhe infrastrukturë.
 
Ne do të injektojmë më shumë se 1 miliardë dollarë në ekonomi, nëpërmjet aktivizimit të kapitaleve private në një numër të madh investimesh duke ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve prioritarë. Nëpërmjet partneritetit me biznesin do të financohen 1 spital rajonal, 8 qendra shëndetësore, 53 shkolla të reja dhe rehabilitimi i 88 të tjerave, 6 shkolla profesionale, akset kryesore rrugore si Rruga e Arbërit,  Tiranë – Thumanë – Vorë, Kardhiq – Sarandë, dhe shumë projekte të tjerë prioritare.
  
Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë! Sepse e duam Shqipërinë dhe jemi këtu, në këtë parti, për Shqipërinë që Duam!", thekson Programi i PS.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Shkëlzeni po na tregon, kush nuk ka qenë në takim

Mero Baze: Shkëlzeni po na tregon, kush nuk ka qenë në takim