Zbulimi amerikan: Rusia e para në përdorimin e inteligjencës artificiale për të ndikuar zgjedhjet në SHBA

Zbulimi amerikan: Rusia e para në përdorimin e inteligjencës artificiale për të ndikuar zgjedhjet në SHBA

Rusia ka krijuar më shumë përmbajtje me ndihmën e inteligjencës artificiale për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara se çdo fuqi tjetër e huaj, në kuadër të përpjekjes së saj më të gjerë për të ndihmuar kandidatin republikan Donald Trump në garën me rivalen demokrate Kamala Harris, tha të hënën një zyrtar i inteligjencës amerikane.

Zyrtari nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, duke folur në kushte anonimiteti, i bëri komentet në një konferencë me gazetarë mbi pohimet për përdorimin e inteligjencës artificiale nga Rusia dhe vendet e tjera për të ndikuar në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Përmbajtja e krijuar me inteligjencë artificiale nga Moska është "në përputhje me përpjekjet më të gjera të Rusisë për të forcuar pozicionin e ish-presidentit (Trump) dhe për të denigruar Nënpresidenten (Harris) dhe Partinë Demokrate, duke përfshirë përdorimin e teorive të konspiracionit", tha ai.

Rusia më parë ka mohuar akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.

Zyrtari i agjencisë amerikane të zbulimit tha se Rusia po krijon më shumë përmbajtje me inteligjencë artificiale për të ndikuar në zgjedhjet amerikane se çdo vend tjetër, por nuk dha një shifër për vëllimin e përmbajtjeve me inteligjencë artificiale që Moska ka prodhuar deri më tani.

"Rusia është shumë më e sofistikuar në fushën e operacioneve të ndikimit në proceset politike të një vendi tjetër në përgjithësi", tha zyrtari, duke shtuar se Moska e kupton më mirë se rivalët e tjerë të Shteteve të Bashkuara procesin e zgjedhjeve amerikane dhe shteteve në shënjestër të operacioneve të saj të ndikimit.

Kina ka përdorur inteligjencën artificiale në përpjekjet për të ndikuar në mënyrën se si perceptohet në mbarë botën, por jo për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, tha zyrtari.

“Pekini po përdor inteligjencën artificiale në operacione me ndikim më të gjerë që synojnë të krijojnë pikëpamje globale më pozitive për Kinën dhe të thellojnë ndasitë politike në SHBA”, tha zyrtari. "Ne ende nuk e kemi parë Kinën të përdorë inteligjencën artificiale për ndonjë operacion specifik, që synon ndryshimin e rezultateve të zgjedhjeve në SHBA."

Grupet iraniane kanë përdorur inteligjencën artificiale për të krijuar postime në platformat e mediave sociale dhe për "të shkruar artikuj lajmesh të rreme për faqet e internetit që u ngjajnë portaleve reale të lajmeve", tha zyrtari.

Publikimet e krijuara nga grupet iraniane janë në gjuhën angleze dhe atë spanjolle dhe në shënjestër të tyre janë votuesit amerikanë "në të gjithë spektrin politik për çështje polarizuese" si Izraeli, konflikti në Rripin e Gazës dhe kandidatët presidencialë, tha zyrtari.

Irani më parë i ka mohuar akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 24/09/2024 10:24

    Filluan propagandën këta kundra Trump , nqs fiton ai atëherë do tja hedhin fajin Rusisë si gjithmonë dhe për cdo gjë . Sistemi amerikan nuk e kupton që nuk funksionon më i iku koha sepse përvec luftrave dhe shkatërrimit asgjë të mirë nuk i ka sjellë botës

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë