TIRANE- Zbulohen kontratat e shitjes së dy apartamenteve që pretendohen në kallëzimin e Albert Palit se i përkasin familjes së tij. Në kontratat e lidhura në vitin 2006 dhe 2008 mes ortakëve Roland Rexho, Grida Duma dhe shtetasve Dritan Çela dhe Nazmi Topçiu, tregohet shitja e dy apartamenteve me sipërfaqe 93.2 metra katrorë në katin e gjashtë dhe 95.5 metra katrorë në katin e tretë. Të dyja kontratat janë lidhur para noteres Luljeta Kongoli, dhe se apartamentet janë shitur me një vlerë prej 93 mijë e 300 euro dhe 96 mijë e 200 euro.

Çudia ka ndodhur se pikërisht ditën kur lidhej kontrata për marrjen e tokës për ndërtim, atë ditë është lidhur një kontratë tjetër, mes aksionerëve dhe Dritan Çelës, ku është vendosur shitja e apartamentit. Kjo është vetëm shifra e deklaruar tek noteri, pasi mendohet se sipërfaqja e apartamentit është shitur me një vlerë më të madhe. Në periudhën kur janë shitur këto dy apartamente, Grida Duma, aktualisht kordinatore e marrëdhënieve me publikun në PD, ka qënë aksionere me 30 për qind të kuotave në kompaninë e ndërtimit “Kristian Konstruksion”. Ndërkohë 70 për qind të aksioneve i ka pasur ortaku tjetër Roland Rexho. Pikërisht për këto dy shitje, shtetasi Albert Pali i është drejtuar me një kallëzim penal prokurorisë së Tiranës,ku kërkon hetimin e shtetasve Grida Duma dhe Roland Rexho. Aktualisht prokuroria ka nisur verifikimet lidhur me këtë çështje.

Një apartament
Ndryshe nga marrëveshja e lidhur mes palëve, ku Grida Duma, Roland Rexho dhe pronari i tokës Albert Pali kishin rënë dakort për ndërtimin e një pallati, në këmbim të dhënies së tre apartamente, kjo marrëveshje nuk është respektuar. Siç duket për t’i mbyllur gojën pronarit të tokës, aksionerët e kompanisë së sipërcituar Grida Duma dhe Roland Rexho, kanë vendosur t’i japin një apartament Palit dhe jo tre siç ishte lidhur kontrata mes palëve. Ky apartament sipas kallëzuesit ka një sipërfaqe rreth 90 metra katror, dhe jo 283 metra katror siç ishte parashikuar në kushtet e kontratës.

Apartamentet e Grida dumes

50 milion lekë
Në vitin 2010, aktivistja e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka vendosur të tërhiqet nga kompania “Kristal Konstruksion”, duke i shitur 30 për qind të aksioneve që i kishte blerë në vitin 2002. Shitja e aksioneve është bërë me një vlerë prej mbi 50 milion lekësh të vjetra, ndërkohë që blerësi është ortaku i kompanisë Roland Rexho. Shitja është bërë para noteres Luljeta Kongoli, ndërkohë pas kësaj shitje Grida Duma është larguar nga kompania “Kristian Konstruksion”.

dokumentet e shitjes

Shkrimi u publikua sot 1 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)