Zbulohen dokumentet sekrete, si u 'kryqëzua' Kadri Hazbiu: Bashkëpunëtorët e Mehmet Shehut tani i kemi në burg, por ka akoma në…

Zbulohen dokumentet sekrete, si u 'kryqëzua' Kadri Hazbiu: Bashkëpunëtorët e Mehmet Shehut tani i kemi në burg, por ka akoma në…

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përksin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjëlencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”.

Gjithashtu publikohet dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Dokumenti me materialin “Tepër sekret” të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, me akuzat ndaj Kadri Hazbiut, për kohën që ai kishte shërbyer si ministër i Punëve të Brendshme

Tepër sekret

MBI MUNGESËN E THEKSUAR TË VIGJILENCËS DHE GABIMET E RËNDA TË SHOKUT KADRI HAZBIU NË KOHËN KUR ISHTE MINISTËR I BRENDSHËM

(Material i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH)

Është fakt i njohur që të gjitha komplotet e armiqve të Partisë, në bashkëpunim me agjenturat e huaja, janë zbuluar nga Partia dhe asnjë nga Sigurimi i Shtetit. Pse? Kjo është një pikëpyetje e madhe që kërkon përgjigje. Byroja Politike, në mbledhjen e saj të datës 8 tetor 1982, pikërisht këtë i kërkoi shokut Kadri Hazbiu, por ai kësaj përgjigjeje i bëri bisht në mënyrë dredharake.

Byroja Politike i ka bërë dhe po i bën një analizë veprimtarisë armiqësore agjenturore të Mehmet Shehut e bashkëpunëtorëve të tij, por kjo akoma është e përciptë.

Na vihet detyrë t’i futemi thellë kësaj çështjeje, se këtu nuk është problemi vetëm i një krye-agjenti si ai, por edhe i rrjetit agjenturor, bile shumë të gjerë, që ky armik ka përgatitur me kohë në vendin tonë.

Bashkëpunëtorët kryesorë të Mehmet Shehut tani janë në burg dhe po deponojnë, por përveç atyre ka edhe të tjerë, të fshehur, të maskuar hëpërhë, që neve na bie detyra t’i zbulojmë. Dhe këta do të gjenden, duke studiuar me thellësi veprimtarinë e qëndrimet e tyre politike gjatë gjithë jetës. Është fakt që Mehmet Shehu ka qenë krye-agjenti, ai që i ka vënë në lëvizje të gjitha grupet antiparti, armiqësore e komplotistë.

Mehmet Shehu ishte rezidenti kryesor i CIA-s amerikane, ai ishte gjithashtu agjent i anglezëve Inteligjent Servisit), agjent i Gestapos, agjent i SIM-it, agjent i UDB-së titiste jugosllave, i rusëve, po mundet edhe i kinezëve. Për agjent i kinezëve themi mundet, se për këta deri tani nuk kemi fakte, kurse për të tjerët kemi, të tëra këto lidhje të tij me agjenturat e sipërpërmendura janë të vërtetuara.

Siç na del, përgatitja e agjenturës së huaj në Shqipëri është bërë jo vetëm nga Mehmet Shehu personalisht. Ky i ka marrë në lidhje agjentët e jugosllavëve, të rusëve, të italianëve, të gjermanëve (të amerikanëve e anglezëve i kish se i kish si agjent më i vjetër e kryesor i tyre).

Mehmet Shehu nuk ishte një rekrutues i thjeshtë agjentësh, megjithëse edhe ai vetë ka rekrutuar disa agjentë të kalibrit të lartë, të cilët i ka komprometuar e vënë në veprim. Ai ishte drejtues i një agjenture të gjerë me armiq të brendshëm brenda në shtetin tonë, të rekrutuar nga agjentura të ndryshme ose nga ai vetë.

Dhe Mehmet Shehu të tërë këta i kishte futur në veprim. Qëllimi i tij ishte të rrëzonte pushtetin popullor, të merrte fuqinë me forcë, qoftë nëpërmjet një puçi ushtarak, qoftë nëpërmjet një puçi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të shoqëruar me puç ushtarak, t’i likuidonte shokët kryesorë dhe të zbatonte programin anglo-amerikan që ia gjetëm në kasafortën e vet pas vetëvrasjes.

Duhet të kemi parasysh se ç’ka kemi zbuluar deri sot në komplotet e shumtë që kanë organizuar agjenturat e armikut, nuk janë të plota, për arsye se Mehmet Shehu me Feçor Shehun dhe me të tjerë, kishin bllokuar si hetimet, edhe hyrjet e personave që mund t’i pyesnin kriminelët. Pra, nga faktet del se ne nuk kemi nxjerrë akoma gjithë veprimtarinë e këtyre armiqve, pavarësisht se shoku Kadri thotë se ka vajtur shumë herë vetë në hetuesi dhe ka punuar ditë e natë, por nuk ka zgjidhur gjë.

Prandaj na vihet detyrë që t’i thellojmë këto procese në materialet që kemi, gjithashtu edhe me elementët, të cilët ose i kemi në burg, ose i kemi jashtë. Por çështja më e rëndësishme është ajo që brenda në punët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nëpërmjet akteve e veprimeve të ndryshme të njerëzve, sidomos të gjithë banditëve të Mehmet Shehut, ne duhet të kontrollojmë si është zbatuar vija e Partisë, në radhë të parë, vija e goditjes kundër armikut të klasës, a ka pasur në të oportunizëm të theksuar, por, nga ana tjetër, a ka pasur edhe sektarizëm të paramenduar, duke futur në burgje njerëz që nuk e meritonin këtë ose atë dënim?

Nga gjithë këto veprime ne duhet të nxjerrim konkluzione. Por, puna e Ministrisë së Brendshme është shumë e gjerë dhe kjo konsiston në kuptimin mirë të metodave të punës agjenturore të të gjithë këtyre kriminelëve që kemi në burg, t’i kuptojmë lidhjet, t’i konkretizojmë këto lidhje nga rezultatet e informacionit të jashtëm, i cili parashikohet se ka qenë në duart e sovjetikëve dhe të tjerëve. Tok me këtë duhet të parashikojmë edhe largimin e disa prej elementëve që ose paraqiten jo të sigurt, ose janë të komprometuar.

Na bie kështu një punë shumë-shumë serioze për t’iu futur në thellësi kësaj çështjeje. Këtë e lyp interesi i madh i atdheut, i socializmit në vendin tonë dhe i Partisë, kundër të cilëve janë vërsulur të gjithë këta armiq, të hapët e të fshehtë që kanë qenë kudo, por, ata që vepronin në mënyrën më të rrezikshme ishin në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.

Duke pasur parasysh këto, Byroja Politike e shoku Enver, me të drejtë kanë kërkuar më shumë nga shoku Kadri Hazbiu, që të na ndihmonte e të hidhte dritë në këtë lëmsh agjenturor që kish vepruar në sferat e larta të Partisë e të Shtetit. Prandaj shoku Enver e ka thërritur atë disa herë dhe i ka thënë:

“Ti, Kadri, ke punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, bile për 30 vjet të tëra. Po kështu ti ke punuar edhe në sigurimin dhe kundër zbulimin e ushtrisë, ku kishte këshilltarë jugosllavë. Kur përmend këtë, nuk kam ndër mend të them se ke qenë bashkëpunëtor i Mehmet Shehut. Jo, por fakt është që për një kohë të gjatë ti ke qenë në krye të këtij dikasteri në fillim zëvendësministër, pastaj ministër i punëve të brendshme, ke drejtuar edhe organet e Sigurimit të Shtetit.

Pra, ti ishe i rrethuar dhe bashkëpunoje me një agjenturë të fortë dhe shumë të rrezikshme që punonte nën drejtimin e Mehmet Shehut. Po ti, me dashje ose pa dashje, ke treguar mungesë të theksuar vigjilence, për të mos e parë veprimtarinë e kësaj agjenture”.

Duhet pasur parasysh se Kadri Hazbiu ka qenë në Sigurimin e Shtetit edhe në kohët e para, kur vepronte agjentura e Koçi Xoxit. Edhe atëherë ai kishte rreth tij agjentë të Koçi Xoxes që vepronin sipas direktivave që jepte Beogradi. Ne u jemi futur tani disi dosjeve të vjetra të asaj kohe. (Themi disi, sepse shumë pak i kemi parë, ose si të themi sa kemi futur majën e gishtit). Por atje po gjejmë dokumente skandaloze, për të cilat shoku Kadri është drejtpërdrejt përgjegjës.

Me këtë duam të themi që Kadri Hazbiu ka një përgjegjësi të madhe për ato që kanë ndodhur atje. Ai mund të thotë se ma kanë hedhur, por gabimet që janë vërtetuar atje, janë aq të mëdha e serioze, sa nuk mund t’i falen në asnjë mënyrë.

Fakt është se me të gjitha këto kuadro të Sigurimit të Shtetit, Kadriu ka pasur një familjaritet të sëmurë, të tepruar, të cilin Partia dhe shoku Enver janë përpjekur t’ia venë në dukje e t’ia luftojnë vazhdimisht, tërë jetën. Por, me gjithë këshillat që i janë dhënë, për fat të keq, konstatojmë se nuk ka ekzistuar një frymë e shëndoshë partie në dikasterin e punëve të brendshme. Në vend të kësaj fryme atje ka ekzistuar familjariteti i sëmurë. Kjo, sipas mendimit tonë, ka krijuar mundësi që agjentët e Mehmet Shehut e të tjerë të vepronin lirisht në dikasterin që drejtonte Kadri Hazbiu.

Ne me të drejtë e kemi konsideruar kurdoherë dhe e konsiderojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme si një armë të mprehtë të Partisë, dinim se kemi pasur në Sigurimin e Shtetit dhe në tërë organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme kuadro nga më të mirët e Partisë, njerëz gjakftohtë, vigjilentë dhe besnikë. Ky ka qenë vazhdimisht orientimi ynë për këtë çështje. Por na del krejt e kundërta. Në Ministrinë e Brendshme bënë çerdhen e tyre armiqtë e spiunët. Për këtë ka përgjegjësi të madhe shoku Kadri.

Tani konstatojmë se fryma e shëndoshë, ose orientimi i shëndoshë, që ka dhënë këtu Partia, ka qenë me dy presa. Ka pasur kuadro të këtij sektori që e kanë kuptuar këtë situatë, por ka pasur edhe nga ata që nuk e kanë kuptuar dhe kanë bërë të kundërtën, dhe një nga këta është edhe vetë Kadriu, gjë që ka krijuar në opinion një situatë të rrezikshme për Partinë, sa të mendohet sikur ekziston një paprekshmëri për punonjësit e Sigurimit të Shtetit.

Ka ekzistuar për ta një respekt i merituar, por edhe jo i merituar, është krijuar me një fjalë njëfarë kulti për punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Dhe kulti krijohet si nga familjariteti, ashtu edhe nga frika, pse, duhet të mos harrojmë që Sigurimi i Shtetit dhe ushtria janë dy armë shtypëse të Diktaturës së Proletariatit që drejtohen kundër elementit armik, të brendshëm dhe të jashtëm.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme varet shumë se si e kupton ky ose ai funksionar i saj një direktivë të Partisë. Në qoftë se e kupton mirë, atëherë edhe populli do ta dojë dhe do ta respektojë atë. Në qoftë se nuk e kupton si duhet dhe nuk e zbaton mirë, natyrisht që do të krijohet frikë në masa.

Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, përveç analizave që kemi bërë në Byro, duhet theksuar se me shokun Kadri dhe me shokë të tjerë të Sekretariatit e të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, shoku Enver ka biseduar më shpesh për këto çështje, janë bërë mbledhje më të shpeshta me njëri-tjetrin, edhe informata më të shumta janë këmbyer, pas të cilave janë marrë vendime, brenda normave të Partisë e ligjeve të Shtetit, që kanë konsistuar, siç dihet, në arrestimin e një sërë bashkëpunëtorësh kryesorë të Mehmet Shehut. Megjithatë thelbit të problemit nuk i jemi futur akoma.

Tani, derisa të arrijmë atje ku duhet, këtu ka dy gjëra. Çështja është që nëpërmjet hetuesisë del e domosdoshme që ne të nxjerrim në shesh veprimtarinë e gjithë këtyre elementëve armiq shumë të rrezikshëm. Por rezultati në këtë drejtim do të varet si nga dispozicioni i tyre, ashtu edhe nga zotësia e hetuesve tanë. Pra, çështja për ne tani për tani akoma nuk është e plotë. Deri më sot ne jemi përpara zbulimit të një veprimtarie shumë të rrezikshme armiqësore kundër Partisë dhe pushtetit, por kufizuar kjo në kohë dhe në njerëz. Prandaj atë që kemi arritur, nuk duhet ta konsiderojmë si të vetmin mjet të zbulimit të kësaj veprimtarie.

Është pastaj çështja tjetër kryesore që duhet të sqarojmë. Na vihet detyrë të dimë mirë ku kanë vepruar këta armiq, në ç’mënyrë janë organizuar, si kanë komunikuar me njëri-tjetrin, çfarë mjetesh kanë shfrytëzuar, ligjërisht dhe jo ligjërisht, në mënyrë të hapët apo në mënyrë të fshehtë, ç’agjenturë kanë përdorur, sa kanë qenë të vërteta të dhënat e agjenturës, format dhe metodat e zbulimit të këtyre të vërtetave dhe të gjitha këto shoqërojnë atë hetuesi personale që u bëhet të arrestuarve.

Përveç të tjerave, shoku Enver ka biseduar disa herë me shokun Kadri, të cilit i ka thënë se ka bërë gabime dhe ky vetë gjithashtu ka pranuar se ka bërë gabime, kur ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. “Kam bërë gabime nga mirëbesimi e dashamirësia”, ka shpjeguar ai.

Por për informatat që merrte, apo kur ndodhnin akte armiqësore a i lejohesh ministrit të brendshëm të mbështetej qorrazi, vetëm në besimin që ka pasur tek personi që ia ka paraqitur, duke mos u thelluar në to si duhet, pa menduar për rrezikshmërinë që paraqisnin? Këtë, shoku Enver ia ka shoqëruar Kadriut kurdoherë me këshillën që të jetë i çlirët, se është komunist i vjetër dhe anëtar i Byrosë Politike dhe ai e di mirë se si luftohet me armikun, si lufton Partia etj.

Shoku Enver i ka kërkuar gjithashtu Kadriut që të ndihmonte shokun Hekuran, pas vajtjes së tij si ministër i Punëve të Brendshme, pse shoku Hekuran nuk e kishte eksperiencën e Kadriut dhe sigurisht që kishte nevojë për ndihmë e sqarime, sidomos në këto situata kaq të koklavitura dhe të rrezikshme që na janë krijuar nga armiqtë. Megjithëkëtë rezulton se ndihma e Kadriut për shokun Hekuran, ka qenë shumë e kufizuar dhe për çështje të dorës së dytë.

Por shoku Enver kishte edhe një qëllim tjetër kur e porositi Kadrinë të ndihmonte Hekuranin, këtë gjë ta bënte jo vetëm me supozime, por sidomos duke e vënë në dijeni për veprimet kryesore që janë kryer në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Është e pamundur që të kesh punuar më shumë se 30 vjet të tëra në një dikaster, siç është Ministria e Punëve të Brendshme, dhe atje të mos jenë nxjerrë akte apo të mos jenë marrë vendime si të mira, por edhe të këqija, sidomos kur tani jemi duke zbuluar që atje ka vepruar një grup i fortë armiqsh. Këtë Kadriu është e qartë që nuk e ka kuptuar, prandaj edhe nuk i është futur thellë analizës së punës së tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Një ditë Kadriu vajti tek shoku Enver dhe i tha: “Shoku Enver, kam përgatitur një autokritikë”. Shoku Enver menjëherë iu përgjigj se: “nuk ishte nevoja për këtë autokritikë, se të njohim, ti ke punuar një kohë të gjatë atje dhe është e natyrshme që edhe gabime ke bërë”. “Të lutem, kërkoi Kadriu, më lejoni t’jua këndoj autokritikën dhe dëgjojeni”.

Meqenëse nguli shumë këmbë, shoku Enver iu përgjigj: “Epo mirë, atëherë. Po të dëgjoj”. Dhe e dëgjoi autokritikën e tij. Pastaj, kur i tha ta merrte në dorëzim këtë autokritikë të tij, shoku Enver refuzoi, duke i thënë se nuk do ta mbante atë autokritikë.

Po përse shoku Enver nuk e mbajti autokritikën e Kadriut, derisa e ka për detyrë të pranojë një autokritikë që i vjen nga një shok, sidomos kur vjen nga një anëtar i Byrosë Politike? Shoku Enver nuk e mbajti atë, sepse autokritika e shkruar nga ana e Kadriut, ishte shumë e përgjithshme, nuk kishte ndonjë gjë të rëndësishme në përmbajtjen e saj. Ai atje vetëm pohonte që në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë bërë gabime, prandaj nuk kish si shpëtonte prej tyre, se edhe personalisht vetë ka të meta etj.

Në autokritikë Kadriu godiste edhe Mehmet Shehun e kështu gjithë armiqtë e tjerë me radhë, po konkretisht kjo autokritikë nuk të ngrohte. Dukej qartë se shoku Kadri nuk ishte thelluar sa duhet në analizën e punës së tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e kurdisur dhe e pleksur kjo edhe me veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut dhe të agjentëve që ky ia kish vënë Kadriut rreth e rrotull. Këto vërejtje shoku Enver nuk ia bëri shokut Kadri, sepse nuk donte ta shqetësonte, pse punë të mëdha kishte në sektorin e Ushtrisë, duke menduar se edhe vetë Kadriu me kohë do të reflektonte më mirë.

Mirëpo tani ja që nëpër arshiva ekzistojnë fakte, që dalin njëri pas tjetrit dhe sigurisht do të ketë edhe të tjera. Këto nuk mundet të qëndrojnë të mbyllura që t’i zërë pluhuri, sidomos pas gjithë ngjarjeve të mëdha që kemi jetuar këto muajt e fundit, prandaj i duheshin kërkuar nga ana jonë disa shpjegime për to shokut Kadri, sepse është i vetmi shok që është gjallë dhe në gjendje të na sqarojë për to.

Shokët e Byrosë Politike e lexuan autokritikën që iu kërkua shokut Kadri Hazbiu. Byroja Politike e gjeti këtë autokritikë krejt të pakënaqshme e të papranueshme, pse jo vetëm nuk është marksiste, por është edhe plot shfajësime e dredhi, plot supozime e mohime, bile edhe me akuza provokuese kundër shokëve të Byrosë Politike. Kadriu përpiqet t’ia hedhë gabimet jo vetëm armiqve të Partisë që janë vdekur ose kanë vdekur, por bën edhe disa insinuata për shokë e forume partie, gjë që është shumë e rrezikshme, sepse ato janë shpifje, janë tentativa shfajësimi për gabimet që ai kë bërë gjatë punës gati 30-vjeçare në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Shoku Kadri njeh në autokritikën e vet gabimet e përgjegjësitë e tij “në mos zbulimin e kësaj veprimtarie të egër”, si dhe “për faktin se në këtë rrjet përfshiheshin kuadro me rëndësi të organeve të Sigurimit të Shtetit”, ku ai ka drejtuar.

Ai pranon që “në gjithë luftën që ka bërë Partia jonë vazhdimisht me armiq të egër, të jashtëm e të brendshëm, të gjitha komplotet më të rrezikshme, në të gjitha kohët, janë zbuluar nga Partia dhe shoku Enver. Kjo mungesë e këtyre organeve përbën një dobësi të pafalshme në punën e tyre dhe unë jam i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që bie mbi mua edhe në këtë çështje”, – thotë ai.

Shoku Kadri pranon se vigjilenca e tij ka qenë krejt e ulët dhe krejt i pamjaftueshëm ka qenë kontributi i tij personal në zbulimin e Mehmet Shehut si armik i egër dhe të punës së tij të poshtër.

Por Kadriu, pasi i thotë këto gjëra të përgjithshme, të cilat s’ka si i mohon, kërkon të shfajësojë veten e t’i minimizojë përgjegjësitë e tij, kur thotë: “Këtu kanë ndikuar që edhe unë (vini ré – thotë ai – edhe unë, domethënë si të gjithë ju) kisha besim në personin e Mehmet Shehut… unë nuk e kam bërë detyrën si anëtar i Byrosë Politike”.

Që Kadriu nuk e ka bërë detyrën as si anëtar byroje, bile as si anëtar plenumi e kuadër me përgjegjësi partie, kjo vërtetohet edhe me atë që thotë në autokritikë: “Unë nuk kam siguruar gjithnjë dhe në nivelin e duhur kuptimin e orientimeve të Partisë dhe, mbi këtë bazë, të bëhej edukimi i njerëzve nga të cilët kërkohesh zbatimi i vijës dhe i normave të vendosura nga Partia….”! Por të mos zbatosh orientimet e normat e Partisë, është një faj i palejueshëm për çdo komunist./Memorie.al

Pjesa e parë, vijon... 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër