TIRANE - Eshtë ruajtur si sekreti më i madh i ish-Republikës Federative të Jugosllavisë bunkeri i Titos, i cili ndodhet në Malin Zlatar në afëri të Konjicit në Bosnjë. Mediat kosovare kanë publikuar sot videot dhe fotot e pazakonta ku shfaqen për herë të parë pamjet e tunelit nga brenda i cili ishte planifikuar që në rast të një sulmi bërthamor mund të strehonte rreth 350 vetë brenda të udhëheqjes supreme ushtarake dhe politike, të cilët do të ishin në gjendje të jetonin gjashtë muaj këtu pa asnjë kontakt me botën e jashtme.

Në një mjedis piktoresk është ndërtuar një strehë atomike e quajtur D-0 ARK, e cila ishte komanda kryesore e Ushtrisë Popullore të ish Jugosllavisë. Për këtë, përveç punëtorëve të cilët janë zgjedhur me kujdes të madh dhe është dashur të nënshkruajnë marrëveshjen për heshtjen, kanë ditur vetëm katër komandant të shërbimit të lartë shtetëror.

bunkeri titos

Kur objekti shihet nga jashtë, duken vetëm tri shtëpi të zakonshme të rrethuara nga natyra. Megjithatë, këto shtëpi për më shumë se 50 vite kanë fshehur një objekt ushtarak, të tretin për nga rëndësia në ish RSFJ. Në fund të një korridori hapen tri dyer të mëdha të trashësisë 1.2 metra, pas të cilave gjendet tuneli për strehim atomik. Është i gjatë jo më pak se 202 metra dhe gjendet në thellësi prej 280 metra. Ndriçohet nga 6000 llamba neoni, ndërsa mund të durojë goditjen deri në 20 kilotonë.

bunkeri titos

Pjesa e fundit apo e tretë ndërtesës është e ndarë në 12 blloqe dhe ka formën e një patkoi. Aty janë sistemet mbrojtëse për mbrojtje nga zjarri dhe sulmeve bërthamore. Blloqet më të rëndësishme janë ai i gjashti ku ishte qendra e komunikimit, pastaj i teti ku ishte Tito, i dhjeti për naftë dhe i njëmbëdhjeti për ujë. Temperatura në bunker është midis 21 dhe 23 gradë, rezidenca e Titos në këtë objekt ishte i pajisur tamam për elitë. Ajo përbëhej nga pesë dhoma: ku ishte parashikuar dhe dhoma për Zonjën e Parë. Për objektin tashmë kujdesen pesë ushtarë të Ministrisë së Mbrojtjes së Bosnjës dhe Hercegovinës.

(ns/shqiptarja.com)