Zbulohet dokumenti sekret i Sigurimit, Tetor ‘82 mbi Kanalin e Suezit: Komandanti ka urdhëruar përgjimin e Ambasadës së Egjiptit!

Zbulohet dokumenti sekret i Sigurimit, Tetor ‘82 mbi Kanalin e Suezit: Komandanti ka urdhëruar përgjimin e Ambasadës së Egjiptit!

Ashtu siç ndodhte rëndom gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë në të gjitha vendet komuniste të Europës Lindore dhe jo vetëm, edhe regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit së tij, Ramiz Alia, pothuaj gjatë gjithë periudhës së sundimit të tyre, një prioritet të veçantë kishin edhe përgjimin e selive diplomatike të akredituara në Tiranë, si dhe banesat ku ishin sistemuar trupi diplomatik i huaj.

Kjo gjë duket qartë nga ky dokument arkivor që po publikojmë, i cili i përket muajit tetor të vitit 1982, ku oficeri i Sigurimit të Shtetit, Hasan Ulqinaku, me anë të një letre me siglën “Sekret”, informon ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, lidhur me problemin e përgjimit me teknikë operative, të ambasadës egjiptiane në Tiranë, e cila ndodhej në një vilë në Rrugën “Qemal Stafa”, (ngjitur me murin e “Shkollës së Kuqe”), godinë e cila është edhe sot aty.

Dokumenti në fjalë me letrën e Hasan Ulqinakut, i është dërguar ministrit të Brendshëm të asaj kohe, në kuadër të hetimit të ashtuquajturit; “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, i cili sapo ishte arrestuar (me 10 tetor 1982) dhe mbahej nën masa të rrepta sigurie në Burgun e Tiranës (Reparti 313), ku prej kohësh në qelitë e tij ndodheshin të arrestuar e në proces hetimor, edhe disa prej ish-funksionarëve më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe njëkohësisht bashkëpunëtorë të ngushtë të Kadri Hazbiut ndër vite, si; Feçor Shehu, zv/ministër dhe ministër i Brendshëm në periudhën 1979-1982, Mihallaq Ziçishti, ish-zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit, Llambi Peçini, ish-kryetar i Degës së Sigurimit dhe Ruajtjes Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, Elham Gjika, ish-shefi i Hetuesisë pranë Ministrisë së Brendshme, Kristofor Martiro, ish-hetuesi kryesor i “Grupit të Beqir Ballukut”, Gani Kodra dhe Ali Çeno, ish-komandantë të grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut, etj.

Po ashtu në qelitë e “Repartit 313”, (siç quhej ai burg që njihej ndryshe edhe “Kaushi i Tiranës”), në atë periudhë  mbaheshin të izoluar dhe në proces hetimor, edhe Fiqret Shehu, bashkëshortja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu me dy djemtë, Skënderin dhe Bashkimin, ish-ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Nesti Nase, etj.

Për hetimin e këtij “Grupi armiqësor të kryesuar nga Kadri Hazbiu”, me porosi të udhëheqjes së lartë dhe personalisht të Enver Hoxhës, ishte formuar një “Grup Operativ Special”, që kryesohej nga zv/ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht Drejtor i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, që nën kujdesin e udhëzimet e ministrit të Brendshëm Hekuran Isai, (i sapo emëruar në atë post ministror), kishin si detyrë: “Hetimin dhe zbardhjen e veprimtarisë armiqësore të Grupit të Kadri Hazbiut e Mehmet Shehut”.

Në këtë kuadër, i është dërguar Grupit Operativ Special edhe letra e oficerit të Sigurimit, Hasan Ulqinaku, lidhur me problemin e përgjimit me teknikë operative të ambasadës egjiptiane në Tiranë, me qëllim fajësimin e ish-ministrit Kadri Hazbiu, që sipas tyre, nuk kishte lejuar përgjimin e asaj ambasade, në një kohë që sipas asaj që kishte deklaruar punonjës i Sigurimit, Dajlan Hajdari, urdhri ishte dhënë personalisht nga “Komandanti”, siç quhej në atë kohë Enver Hoxha.

Por edhe pse në shënimin e tij me shkrim dore, në krye të raport-informacionit në fjalë të Hasan Ulqinakut, ministri i Brendshëm Hekuran Isai, është munduar të fsheh atë gjë, duke shkruar se; “Komandanti nuk ka dijeni”, shumë më e besueshme është ajo çka ka dëshmuar Dajlan Hajdari, pra fakti se ambasada egjiptiane në Tiranë, është përgjuar me teknikë operative, me urdhër të Enver Hoxhës. Por për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë, që është marrë dhe de-klasifikuar nga fondi i Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Dokumenti:

“RAPORT-INFORMACIONI I OFICERIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT, HASAN ULQINAKU, DËRGUAR MINISTRIT TË BRENDSHËM HEKURAN ISAI, LIDHUR ME PËRGJIMIN ME TEKNIKË OPERATIVE TË AMBASADËS EGJIPTIANE NË TIRANË

 

                                                                                                             “S e k r e t”

 

                                                                                                    Ekzemplar një i vetëm

 

                                                                                                    Tiranë më 22.10.1982

 

                                                   I N F O R M A C I O N

 

Mua, Hasan Ulqinakut, vitin e kaluar gjatë kohës që isha me punë në Degën e V-të, duke biseduar mbi arsyen e heqjes së përgjimit me teknikë operative ndaj ambasadës franceze, shoku Dajlan Hajdari, më ka thënë edhe këtë problem:

 

“Ka mundësi që heqja e përgjimit me teknikë operative ndaj ambasadës franceze, mund të jetë si problem i heqjes apo mos përgjimit me teknikë operative ndaj ambasadës egjiptiane. Këto masa ndaj ambasadës egjiptiane, u bënë në atë kohë (sipas Dajlanit), sepse ishin urdhëruar nga Komandanti (Enver Hoxha, shënimi ynë), me qëllim që ta kishin të sigurt kalimin nga Kanali i Suezit, sepse në të kundërtën, po të na gjenin teknikën operative në ndërtesën e tyre, do të merrnin masa ndaj nesh, duke na prerë kalimin e anijeve tona nga Suezi”.

 

(Më hollësisht, kam mendimin të pyetet shoku Dajlan, nga unë apo ndonjë shok tjetër).

 

Duke e parë sot këtë problem, mendoj se shtrohet pyetja; A ka dijeni komandanti për këtë çështje? Në rast se po, bie ky problem, në rast se jo, mos vallë në atë kohë ka qenë për armikun Kadri Hazbiun dhe armiqtë e tjerë e nevojshme që të mos ambasada egjiptiane?

 

                              Punëtori Operativ

                                Hasan Ulqinaku

 

SHËNIMI ME SHKRIM DORE NË RAPORT-INFORMACIONIN E OFICERIT TË SIGURIMIT HASAN ULQINAKU, NGA ANA E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, HEKURAN ISAI

 

Bisedoni me Dajlanin. Ne për problemin e ambasadës franceze, jemi mbledhur disa herë, por asnjëherë nuk më është thënë, se kjo qenka lidhur me ambasadën egjiptiane, Suezin dhe se gjoja paska urdhër nga Komandanti.

 

Një gjë të jesh i sigurt, se Komandanti nuk ka dijeni, prandaj çojeni deri në fund këtë me Dajlanin

             Hekuran Isai

              23.10.1982”. /Memorie.al/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    13 Dhjetor, 14:13

    Në grup Anglia, Serbia, Letonia e Andorra, a shkon Shqipëria në Botëror?



×

Lajmi i fundit

E paprecedentë/ Sali Berisha nxjerr 'live' foton e gruas së Altin Dumanit për të shantazhuar kreun e SPAK

E paprecedentë/ Sali Berisha nxjerr 'live' foton e gruas së Altin Dumanit për të shantazhuar kreun e SPAK