Kishte raporte e bashkëpunoi me emrat më të nderuar të humanizmit e renesancës. Shkroi shumë vepra, po me sa dihet deri me sot asnjëra nga ato nuk u botua. Dorëshkrimet e veprave të Gjon Gazulit dalëngadalë, pas shumë hulumtimesh, kërkimesh shkencore, ballafaqimesh e analizash po dalin në dritë. Si kontribut për këtë humanist të nderuar shqiptar është edhe botimi i dorëshrkimit të veprës së tij autograf nga Arkivi i Dubrovnikut.
Studiues të shumtë janë marrë me studimet për origjinën, kulturën, traditën, gjuhën, religjionin dhe gjithçka tjetër që ka të bëjmë me shqiptarët dhe trojet e tyre etnike. Thellësia dhe serioziteti i këtyre studimeve, në disa raste, edhe sot e kësaj dite është i patejkaluar dhe një nga pikat më të refuara në fushën e albanologjisë, burimologjisë dhe historisë kombëtare shqiptare.
Debatet e shumta të mirfillta me bazë shkencore, botimet e korpuseve të dokumeteve, analizat studimore dhe librat e shumtë, të botuar që nga zbulimi i shtypëshkronjës së Gutenbergut e deri sot, janë një nga dëshmit më të forta, për një interes të veçantë që kishin të huajt, për popullin shqiptar, fatin dhe rolin e tij gjatë furtunës shekullore mesjetare, por edhe gjate zhvillimeve të vrullshme të rilindjes dhe të iluminizmit evropian dhe atij shqiptar.
Nuk mbeten prapa botimeve të shumta dhe voluminoze as dorëshkrimet e shumta të autorëve të ndryshëm apo ato anonime, që për temë bosht kishin popullin shqiptar dhe trojet etnike të tij. Zbulimet e këtyre dorëshkrimeve, janë një thesar i vërtetë, ngase pasurojnë shumë herë zbrazëtirat e krijuara në epoka të caktuara kohore ose plotësojnë e saktësojnë njohuritë që kemi deri tani për ngjarje, personalitete dhe data të rëndësishme historike.
Arkivi Historik i Dubrovnikut, në Dubrovnik krahas Bibliotekës dhe Arkivit të Vëllëzërve të Vegjël-Minoritë [Male Braće], Bibliotekës dhe Arkivit të Domenikanëve, Bibliotekës Shkencore të Dubrovnikut, Bibliotekës e Arkivit të Jezuitëve etj., ruan shumë dorëshkrime me vlera të veçanta për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilat deri me sot nuk janë botuar. Në fonde të ndryshme të këtij Arkivi, kemi arritur të konsultojmë autorë të njohur, por edhe anonim, një numër të konsideruar dorëshkrimesh nga shekuj të ndryshëm, vlera e të cilave është tepër e çmuar.
Raguza në mesjetë ishte njëra ndër qendrat kryesore të shkencës dhe kulturës europiane në përgjithësi, ndërsa kishte primatin në shkencat ekzakte: matematikë e astronomi. Një kontribut të veçantë për një gjendje të tillë ka dhënë edhe humanisti shqiptar, Gjon Gazuli. Dorëshkrimet e tij autografë, janë të rralla, të shpërndara nëpër biblioteka e arkiva europiane, po kanë një vlerë shumë rëndësishme për të kuptuar dhe ndjekur rolin dhe vendin që kishte astronomia në Raguzë dhe në Europë. Në këtë drejtim, vend parësor ka dorëshkrimi autograf, i Gjon Gazulit nga Arkivi Historik i Dubrovnikut, në Dubrovnik, që sot ruhet në signaturën: Fondi: Bassegli-Gozze, Rukopisi, nr. 32, f. 271-281.
Ky dorëshkrim është i mbuluar me vell misteri. Për të me saktësi dimë që është shkruar në Dubrovnik, me një kaligrafi të mrekullueshme kursiv gotik, të shekullit XV, karakteristikë për dorëshkrimet që u shkruan në Raguzë, por edhe më gjerë. Nuk na është e njohur se si ky dorëshkrim qëndroi për rreth pesë shekuj, më saktë për 485 vjet në familjen fisnike dubrovnikase Gucetiq, as si arriti në arkivin e njohur të kësaj familje dhe në cilat rrethana dhe kushte.
Sipas procesverbaleve të ruajtura në Arkivin Historik të Dubrovnikut, sot dimë se në vitin 1950, pas vdekjes së pinjollit të fundit të kësaj familje, fisnikut Vit Gucetiqit, së bashku me shumë dorëshkrime, dokumente, inkunabula, libra të rrallë (rare) dhe eksponate të tjera me vleratë paçmueshme, edhe ky dorëshkrim i Gjon Gazulit, kaloi në pronësi të Akivit Historik të Dubrovnikut, në Dubrovnik. (Sot i vendosur në Fondi: Bassegli-Gozze, Rukopisi, nr. 32, f. 271-281).
Edhe pse në një institucion “për ruajtjen e memories shkencore” siç është arkivi, ky dorëshkrim edhe për rreth 11 vite mbeti nën pluhurin e harresës, derisa ra në dorë të studiuesit të njohur kroat: Mirko Drazhen Grmek, në vitin 1961, i cili ka meritën kryesore për njoftimin e botës shkencore, për ekzistimin e këtij dorëshkrimi si dhe për informacionet themelore bazë mbi të. M. G. Grmek, fillimisht hodhi idenë se ky dorëshkrim mund të ishte i Gjon Gazulit (M. D. Grmek, L’raport, 1961), po pa u thelluar në analizë shkencore, pa ofruar fakte konkrete bindëse dhe të qëndrueshme për këtë pohim të tij.
Në një studim të dytë me bashkautor Žarko Daić, që u botua në vitin 1976, ky autori thelloi më tej dijet për Gjon Gazulit dhe veprimtarinë e tij shkencore, por gjithnjë brenda kornizave të një studimi të kufizuar për revistë shkencore, jo monografie apo studimi më gjithpërfshirës. Edhe pse tashmë i njohur, ky dorëshrkim ende vuan nga misteri i harresës, mosintersimi për studimin e tij, nga të gjitha aspektet, paleografike, diplomatike, filigranes etj., por edhe nga mungesa e një editimi kritik dhe përkthimi të tërësishëm.
Në një fletë të veçantë është një shënim me stilolaps me ngjyrë blu, nga viti 1950: “Debati për ndërtimin dhe përdorimin e astrolabit. Një shkrim i bukur gotik i shekullit XV. Duke gjykuar sipas shenjave te filigranes të cilat vërehen në letrën e dorëshkrimit, letra është prodhim italian nga viti 1460. Dorëshkrimi nuk ka titull dhe askund nuk është shënuar emri i autorit të tij. Në bazë të disa të dhënave të tjera, sipas gjitha gjasave, pothuajse është e sigurtë, që dorëshkrimin e ka përgatitur domenikani, astronomi dhe matermatikani me emër, Gjon Gazuli. Dorëshkrimi ka arritur në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut në vitin 1950, pas vdekjes së pronarit të tij të fundit, Vit Gozze.”
Dorëshkrimi në gjendjen e sotme ka 11 fletë përkatësisht 22 faqe të papaginuara as në kohën e krijimit të tij, e as më vonë kur është bërë pjesë e Arkivit të Dubrovnikut. Nga studimi i origjinalit vërehet se 11 fletët që ne kemi në dorë kanë qenë pjesë e një dorëshkrimi më të vëllimshëm. Kjo gjë vërtetohet nga “kurrizi” i dorëshkrimit, ku kanë mbetur ende disa “pjesë” të lidhjes së vjetër, pastaj qepja me dorë me një fije peri të veçantë të kohës, etj( shih ilustrimin për këtë).
Dorëshkrimi është i shkruar me një kaligrafi të bukur të shkrimit miuskul gotik të pjesës së dytë të shekullit XV dhe është i lehtë për t´u lexuar për paleografët. Bojërat e përdorura për dorëshkrim janë: ngjyra kafe (që dominon në 9 fletë /18 faqe/ dhe pjesërisht në dy faqet e tjera) dhe ngjyra e kuqe në dy faqe, përkatësisht në faqet 8 e 9 të dorëshkrimit. (Për të pasur më të lehtë studiuesit, paleografët, historianët, astronomët dhe të interesuarit e tjerë, ne po i bëjmë citimet në vijueshmëri të f. 1 deri me 21, e jo sipas fletëve, që në ndonjë rast, për ata që nuk e njohin lëndën, mund të sjellë edhe ngatërrim).
Dorëshkrimi është shkruar në letër cilësore gjysëm karton, prodhim italian i vitit 1460, e prodhuar në qytetet italiane të Ferrarës, Firencës dhe Venedikut (Për këtë shih më shumë katalogune filigranes të C. M. Briquest, 1923, v. II, nr. 7465 dhe 7468). Kjo gjë vërtetohet nga shenjat e ujit (filigranes) të cilat vërehen në f. 4 dhe f. 20, ilustrimin e të cilave po e botojmë këtu.
Dimesnionet e letrës së dorëshkrimit janë: 22,1 x 33.4 cm. Teskti është i tëri në gjuhën latine dhe është shkruar sipas një shablloni të përgatitur që më parë brenda dimensioneve: 17.6 x 28.7cm, përkatësisht margjinat boshe horizontalisht majtas janë 2 cm, ndërsa dajthtas 2.5 cm, kurse vertikalisht, lart margina boshe është 1,5 cm, ndërsa poshtë është 3.2 cm, i shtrirë në 46 rreshta brenda një faqeje.
Dorëshkrimi nuk është i dekoruar me iniciale të veçanta, por vendi i tyre është bosh, sepse ato duhej t´i punonte një specialist i posaçëm, iluminator i inicialeve, me ngjyra dhe elemente të ndryshme dekorative nga bota bimore, shtazore apo figura të ndryshme ilustruese që kishin lidhje me dorëshkrimin.
Dorëshkrimi përbëhet nga tre njësi, ku dy të parat janë ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën, ndërsa njësia e tretë, është e veçantë dhe nuk ka të bëjë fare me dy të parat. Asnjëra nga tre njësitë nuk ka titull apo nëntitull dallues (sikurse as dorëshkrimi), por dallimin e tyre e kemi bërë pas një studimi të përgjithshëm të tekstit të dorëshkrimit si dhe propozimit të ndarjes që fillimisht ka bërë edhe M. D. Grmek (1976).
Tërsia e parë fillon në f. 1 e vazhdon deri në f. 5. Ajo nis me fjalët: “Antequam astralabij utilitates açedamus necessaria est nobis terminorum sive nominum instrumenti expositio” dhe mund të kishte titullin: “Përdorimi i astrolabit...” që bën fjalë kryesisht për astrolabin dhe përdorim e tij në kohën kur u shkrua studimi nga Gjon Gazuli. Tërësia e dytë është në f. 5 (12 rreshtat e fundit të f. 5) dhe vazhdon deri në f. 10, duke filluar me fjalët: “Astralabium componere respice tabulam aptam in cuius medie quere centrum quod vecetur(e!) super quo describe circulum secundum exigentiam tabule maiorem quam poteris...” dhe mund të kishte titullin: “Ndërtimi i astrolabit”dhe bën fjalë për mënyrën e ndërtimit të astrolabit dhe funskionimin e tij. Tërësia e tretë e dorëshkrimit fillon në f. 11 për të vazhduar deri në f. 21.
Kjo tërësi mund të kishte titullin: “Studim mbi gjurmët dhe lëvizjet e planeteve” dhe fillon me tekstin: “Circulus dicitur ecentricus vel egresse cuspidis vel egredientur centri qui non habet centrum cum mundo.” Si duket kjo pjesë është shkëputur nga një studim shumë më i gjërë dhe i hollësishëm i Gjon Gazulit gjurmët e të cilët ne i gjejmë sot në dy biblioteka: në Krakov dhe Vjenë.
Një informacion me shumë vlerë për krijimtarinë e Gjon Gazulit gjejmë në kodikun e bibliotekës së Jagiellonskiej në Krakov të Polonisë, me titull: “Theorica novae planetarum”, me autor Georgius de Peuerbach (1423-1461), që sot ruhet në signaturë: Rps 599, f. 1r-43r, ku ai sjell vizatime nga vepra në dorëshkrim e Gazulit për problemet astrologjike të “shtëpive qiellore” dhe sipas të gjitha gjasave edhe tërëisa e tretë e dorëshkrimit të Gjon Gazulit që ruhet në Arkivin e Dubronvikut është e përfshirë e tëra në këtë dorëshkrim të Peuerbach-it.
Ky dorëshkrim është nga shek. XV, përkatësisht nga viti 1454, sipas një shënimi që është shënuar në faqen e fundit të vetë kodikut. Kjo datë ka shumë rëndësi, sepse nëse Georgius de Peuerbach-i ka shfrytëzuar dorëshkrimin e Gazulit në vitin 1454, mund të nxjerrim një përfundim se ky dorëshkrim është shkruar para këtij viti dhe se dorëshkrimi që ne kemi shfrytëzuar në Arkivin e Dubrovnikut e që është nga viti 1460, është kopje e dorëshkrimit të vitti 1454 ose bocet i përgaditur për botim.
Një kopje tjetër e dorëshkrimit të Peuerbach-it ruhet në Vjenë, në Österreichische Nationalbibliothek, në signaturën: Cod. 5203. Ky kodik është i shkruar në letër gjysëm kartoni të fortë, ka dimesnione 21x14.6cm /dimensionet e tekstit: 13.4 x 7cm/ dhe është autograf origjinal. Ai ka gjithsej 48 fletë (1r-48v) dhe në f. 43r-v është një shenim i shkurtër për Gjon Gazulin, në 32 rreshta. Ky kodik sipas shënimit që ka në faqen e fundit, 48v, është shkruar më 30 gusht 1454.
Gjithnji duke mbetur rreth vitit 1460, kemi një dokument tjetër shumë të çmuar për veprimtarinë shkencore të Gazulit, përkatësisht letrën e Jan Çesmiçkit (Janus Pannonius, njëri prej poetëve më njohur të shekullit të XV), që ia dërgoi Gjon Gazulit në vitin 1460 dhe në të cilën ai e falënderon Gazulin pë dorëshkrimin që i kishte dërguar dhe që Çesmiçki e kishte marrë. Për shkak të rëndësisë historike që ka, po edhe për të përforcuar pohime që bëmë më sipër, ne e sjellim atë të përkthyer në shqip: “Ju, jo vetëm që keni përmbushur shpresën që ne kemi pasur në Ju, por keni avancuar (shkuar) shumë më larg.
Librin që na keni dërguar, na ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Ai është plot me njohuri dhe oratori, dhe leximi i tij ishte kënaqësi, ashtu siç ishte i dobishëm studimi i tij. E pranojmë se kemi gjetur zgjidhje për disa gjëra e pohime të pasqaruara sa duhet deri me tani të astrologëve të lashtë, të cilat para shumë kohësh kemi dëshiruar t’i kuptojmë drejt. Për këtë shkak seriozisht ju nxisim që të vazhdoni të shkruani dhe të kompletoni përfundimisht punët e filluara, të cilat do të jenë shumë të domosdoshme për dijetarët, po ashtu edhe për reputacionin tuaj, kështu që do përmbushni dëshirën tonë, prapa së cilës qëndrojmë me shumë forcë.
Ju lutemi shumë, përveç kësaj, që të na vini në dispozicion sferat e armiluara të Ptolemeut dhe pajisjet e tjera që ju përmendni në veprën tuaj. Ju ato i përgatitni atje me shpenzimet tona, sepse këtu në Mbretërinë Hungareze nuk kemi asnjë zejtar i cili do ishte i zoti në këto punë. Të gjitha shpenzimet do t’jua kompensojmë në mënyrë efikase në qytetin tuaj ose në një vend tjetër të përshtatshëm për ju.” (Për këtë dokument shih edhe: F. Banfi, 1939, M. D. Grmek, Z. Dadic, 1976).
Dëshmitë për famën shkencore dhe për krijimtarinë e Gjon Gazulit e veprat e tij janë të shpërndara gjithandej. Në Biblioteca Apostolica Vaticana, në Vatikan, në fondin e dorëshkrimeve ruhet një kodik, i cili ka të dhëna me mjaft interes për astronomin shqiptar. Kodiku ruhet në këtë signaturë: Mss. Codicus Palatinus 1375. Informacioni për Gjon Gazulin është në f. 268v.
E sjellim në vijim sipas origjinalit në latinisht: “Hec figuratio ostendit equationem domorum quam posuit Campanus quem etiam seguutus est magister Johannes Gazulus Rausiensis in tractatus suo de directionibus et fit hec equatio tali modo inter circulos qui uadunt per uerticem capitis qui dicuntur azimut est unus medius qui extenditur per ortum et oçasum equinoctialis hunc circulum subdiuidunt in 12 partes equales et per illas diuisiones ymaginantur extendi sex magnos circulos in ambabus intersectionibus meridiani cum orizonte concurrentes: inter quos circulos meridianus et orizon sunt principales.
Hij sex circuli semper sunt fixi et eqaualia spatia celi unaquaque domus continet. Sex etiam domus tote et integre sunt super terram et sex integre sub terra sunt vquod non fit secundum primam equationem erroneam ubi domus 12 sunt diuise ab oriente sicque omens 12 secundum aliquam partem sunt super terram et econtrarium secundum alteram sunt sub tgerra quod est contra omnium uetustissimorum astrologorum oppinionem.”
Pra edhe këtu, sikurse në dorëshkrimin e Kodikut të Krakovit, bëhet fjalë për studimet e Gazulit, metodat dhe punën e tij në fushën e astronomisë. Dorëshkrimi i BAV-it, përmban informacione të vlefshme për Gazulin, pra nuk është autograf i tij. Scribes i kodikut të BAV është humanisti i njohur i fund shek. XV, Johannes de Hasfurth, i cili ka kopjuar nga dorëshkrimet e Gjon Gazulit “tabelat astronomike” dhe “mundësitë e ndarjes së qiejve” rreth vitit 1488, kur ishte në Krakov.
Përveç BAV-it, edhe Bibliotheque Nationale de Paris zotëron një kodik tjetër me signaturë: Mss. Lat. 10265, nga shek. XV, ku kemi të përshkruara punimet e Gjon Gazulit dhe të dhënat numerike për “shtëpitë qiellore” dhe astrolabin. (Me këtë rast falenderojmë publikisht prof. Aleksandër Meksin, që na ka sjellë riprodhimet e këtij kodiku, me të dhënat për G. Gazulin nga Parisi).
Kush ishte Gjon Gazuli?
Gjon Gazuli është njëri ndër humanistët më të shquar të mesjetës shqiptare. Ka lindur në fillim të shekullit XV në Dubrovnik dhe vdiq më 19 shkurt të vitit 1465 po në Dubrovnik. Familja e tij ishte me origjinë nga Gjadri i Zadrimës. Nga burimet dokumentare të ruajtura në Arkivin Historik të Dubrovnikut, veçanërisht nga fondi Testamenta Notariae, kemi mundur të ndjekim qëndrimin e familjes Gazuli që nga fillim shek. XIV në Raguzë e deri në fund-shekullin XVI.
Gjon Gazuli studioi në Raguzë, për të vazhduar pastaj në Padovë. Në vitin 1428 mbaroi studimet për teologji dhe filozofi në Padova, studime këto që i kishte filluar në vitin 1422, ndërsa më 31 janar të vitit 1430 doktoroi në filozofi e teologji. Kur kthehet në Dubrovnik emërohet prior i Kuvendit Domenikan në Raguzë, dhe menjëherë angazhohet në misione të shumta diplomatike nga raguzanët. Nga viti 1439 emërohet profesor në katedrën e matematikës pranë Universitetit të Padovës.
Po ashtu kishte njohje personale me Gjergj Kastriotin Skenderbeun, për llogari të të cilët më shumë se një herë bëri punën e ambasadorit. Emri dhe fama që kishte e bënë të jetë i ftuar në rrethet e larta shkencore-humaniste të kohës. U ftua edhe nga mbreti hungarez, Korvini, po për arsye jo shumë të qarta nuk shkoi. Edhe dy vëllëzërit e tij Pali e Andrea i shërbyen Gj. K. Skenderbeut. Pali ishte edhe rektor i Gjimnazit publik të Raguzës.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Dhjetor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)