Terreni është i vështirë dhe parcelat janë maskuar në myrë mjeshtrore prej kultivuesve për efektivët e policisë janë të vendosur për t’i gjetur. Kanë kaluar 40 minuta nga zbarkimi në Vjerdhë, zonë e komunës së Gurit të Zi, dhe policët dallojnë bimët e para të kanabisit që arrijnë deri në 2 metra lartësi.
Ja çfarë thotë Shefi i Krimeve të Rënda Saimir Rustemi për operacionin.
“Këtu jemi në fshatin Vjerdh, komunën Bojezi mbas disa informacione paraprake që i kemi marrë ne rrugë operative kemi evidentuar këtë parcelë, janë dy parcela në këtë zonë, kjo parcelë qe shihet këtu dhe nje tjetër pak më sipër.Një parcelë mund te jëtë rreth 900 rrënjë. Nuk është operacioni parë, ne rrethin tonë ka filluar prej rreth 1 muaj operacioni për asgjesimin e rrënjëve narkotike. Jemi në një faze që siç e shikoni bima është rritur dhe jemi në një punë të mbarë.” shprehet Rustemi
Parcela ka mbi 900 bimë kanabis. Policët nisin t’i presin dhe u vënë flakën. Nuk vonon shumë dhe policia zbulon një shteg që të çon tek një parcelë tjetër
Në duart e shefit të krimeve dallojmë disa foto të printuara. Aty zbulojmë se avioni i Guardia di Finanzza ka ditë që kryer kontrolle nga ajri për kanabis. Madje parcela ku jemi është lokalizuar dhe fotografuar nga avioni i specializuar italian i cili ka dhënë edhe koordinatat përkatëse
Gazetari: Këto janë filmime që janë bërë nga lart?
Rustemi: Po, është parcela e evidentuar nga shërbimi i interforcës, kjo është parcela me nr. 171. Parcela ku ishim më parë. Parcela ku jemi tani është gjetur me informacion në rruge informative.
Gazetari: Sa e vështirë është që të gjenden këto parcela?
Rustemi: Është shumë e vështirë sepse siç e patë edhe ju është terreni jashtzakonisht i vështirë, për forcat tona është e vështirë.
Gazetari: Zona që jemi ne është zonë e re? Është zonë që është asgjesuar më parë?
Rustemi: Jo, kjo parcelë është zone e re dhe nuk ështe asgjesuar më përpara. Mund të jetë përdorur edhe më përpara por që është evidentuar nga ne është e re.
Gazetari: A do mjaftohet policia me këtë veprim?
Rustemi: Ne kemi informacion për persona të mundshëm që e kanë kultivuar këtë parcelë dhe shumë parcela të tjera rreth e rrotull, po punohet me metodat tona që bëjnë dhe zbulimin e autorëve.
Në parcelat e mbjella me duhan policët kanë pikasur një person që dyshojnë se është kujdestar për parcelat e hashashit. Nis ndjekja. Nga organizimi i efektivëve për gjetjen dhe asgjwsimin e kanabisit, Shefi i Krimeve Rustemi kalon në organizimin e rrethimit dhe kapjes së të dyshuarit.
Policia e prangos të dyshuarin por ky mohon të ketë lidhje me dy parcelat e kanabisit që ndodheshin 500 metra larg vendit që u kap. Pretendon se kujdeset për dy parcelat e duhanit të mbjella disi më parë, por nuk thotw asnjë për personat që kujdesen për kanabisin. E dyshimtë për policinë është fakti që ka fshirë të gjithë numrat me të cilët ka kryer telefonata nga celulari që i është gjetur.
Policia: Pse i ke fshirë numrat e celularit?
I arrestuari: Shih ku i ke numrat.
Policia: Thirrjet që ke bërë sot?
I arrestuari: Skam bërë thirrje sot.
Policia: Sa kohë ke që sbën thirrje? –
I arrestuari: Une? Sot ndodhi në mëngjes.
Policia: Ku e ke thirrjen ma trego. Kë ke marrë të fundit?
Në pranga e shoqërojnë në komisariatin e Shkodrës ku do hetohet për lidhjet e dyshuara me 2 parcelat e kanabisit.
Në fund të ditës policia raportoi se të martën u bë asgjësimi i 5 parcelave të kultivuara me 2286 bimë kanabis gjithsej. Në fshatin Vjerdhë, nga forcat e policisë u gjetën dhe u asgjësuan tre parcela në të cilat ishin kultivuar 1120 bimë kanabis sativa, ndërsa në fshatin Lisen, dy parcela në të cilat ishin kultivuar 1166 bimë kanabis sativa.
Gjatë operacionit u shoqëruan në polici tre persona të kapur në afërsi të parcelave ku ishin kultivuar bimët narkotike.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)