Zbulohet një klasë e re
qetësuesish të dhimbjes

Zbulohet një klasë e re<br />qetësuesish të dhimbjes
TIRANE- Një klasë e re qetësuesish për dhimbjen, të cilët veprojnë me një mekanizëm natyror, është zhvilluar nga një kompani franceze, e cila në fillim të muajit mars publikoi rezultatet e para inkurajuese, duke shpresuar për hedhjen në treg të një molekule të re në vitin 2017. Një prej bashkëthemeluesve të kompanisë Pharmaleads, i cili udhëhoqi kërkimin, thotë se asnjë lloj qetësuesi me një potencial të tillë efikasiteti nuk është hedhur në treg në 20 vitet e fundit, pavarësisht kërkimeve të shumta.

“MORFINA E BRENDSHME”
Parimi i veprimit mbështetet në enkefalinat, “morfinat e brendshme” të sekretuara nga trupi. Enkefalinat shkaktojnë të njëjtën përgjigje analgjezike si dhe morfinat, derivate të pakushtueshme të opiumit, të cilat përdoren gjerësisht në spitale për qetësimin e dhimbjeve.
Enkefalinat kanë disavantazhin që kanë një jetëgjatësi tejet të shkurtër, pasi degradohen shpejt nga dy enzima. Thelbi i molekulës së re PL37, të zhvilluar nga kompania Pharmaleads, është frenimi i plotë i këtyre enzimave, gjë që do të rrisë përqendrimin e enkefalinave në trup duke pasur një efekt të fuqishëm, jetëgjatë dhe të ngjashëm me atë të morfinave.

Nxjerrja në treg në pesë vitet në vazhdim
Morfina është një substancë ekzogjene (e jashtme, që nuk prodhohet nga trupi) që ka disavantazhin e efekteve anësore: sedacion, konstipacion, frenimin e frymëmarrjes në rastet e mbidozimit dhe krijimin e varësisë. Por nuk ndodh kështu me enkefalinat endogjene, pra që i prodhon vetë trupi i njeriut, të paktën sipas rezultateve të dy studimeve të mëparshme te njerëz vullnetarë.
Këto dy teste tregojnë sigurinë e molekulës PL37, e cila nuk shfaq efekte anësore si morfina. Pharmaleads po planifikon hedhjen në treg të PL37, me mbështetjen e një kompanie të madhe farmaceutike, brenda pesë viteve.

Dhimbjet neuropatike
Molekula e re “shënjestron” dhimbjet neuropatike, të cilat janë pasojë e vuajtjes direkte të nervave periferikë. Kjo lloj dhimbjeje shkaktohet nga sëmundje metabolike si diabeti, nga infeksione virale si herpes zoster, nga komprimimi i një nervi (nga një tumor ose lezion), ose nga trajtimi kundër kancerit apo AIDS.
Këto dhimbje, aktualisht nuk qetësohen mjaftueshëm nga medikamentet e disponueshëm. Analgjezikët e zakonshëm, si paracetamoli dhe anti-inflamatorët, madje edhe derivatet e morfinës, i qetësojnë pak ose aspak këto dhimbje. Pharmaleads po zhvillon dy klasa të tjera medikamentesh, mbështetur në të njëjtin parim, duke shpresuar që të trajtohet i gjithë spektri i dhimbjeve (dhimbja pas operacionit, nga kanceri, osteoartritet etj.).
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza