Përsa i përket artit të punimit të drurit shënojmë se nëpër kishat e vendit tonë ruhen sot përmbi 50 ikonostase druri të shoqëruara me amvone, throne peshkopalë e proshqinitarë, të gjitha të gdhendura në dru. Mjerisht jo të gjitha këto objekte artistike ruajnë mbishkrime me të dhëna të mjeshtërve të shkollave të vendit. Nga ikonostasët e shumta të punuara gjatë shek.XIX, vetëm 14 ruajnë mbishkrime me datën e gdhendjes. Megjithëkëtë në mjaft raste kjo datë mund të përcaktohet me përafërsi, kur njihet data e ndërtimit të kishës; kështu shtohet mundësia për të njohur më mirë periudhat e krijimit të motiveve ose formave, sidomos të atyre me karakter vendas në artin e veçantë por shumë interesant të gdhendjes së drurit. (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë, 1998, f.17-18)
Fatbardha Shkupi është specialistja e parë e gdhendjes së drurit në Shqipëri që ka gjetur mjeshtrat e të gjithë qyteteve nga Shkodra në Gjirokastër. (Fatbardha Shkupi, Mjeshtër shqiptarë, dekoratorë që kanë punuar në Bullgari, Maqedoni, Shqipëri, “Monumentet” 2002, Tiranë, 2002, f.89) Ajo saktëson prejardhjen shqiptare të pjesës më të madhe të mjeshtrave të realizimit të kësaj skulpture duke kundërshtuar edhe profesorë ballkanas. Me përvojën dhe punën e saj sistematike në terren na ofron të dhëna me vlerë për historinë e zbukurimores së Shqipërisë, si është zhvilluar puna e skulpturës në dru në vendin tonë, por edhe njohjen e ikonabartësve tanë madhorë të jugut. Lënda e drurit me të cilën punoheshin ikonobartësit e Shqipërisë së Jugut në të shumtën e rasteve përbëhej nga halorë ose arra, me ndonjë përjashtim përdorej plepi dhe blushi. (Fatbardha Shkupi, Zbukurimorja e ndërtimtarisë së kultit në qytezën e Vithkuqit gjatë shekujve XVIII-XIX, Mihal Duri, “Monumentet”, 2/1983, Tiranë, 1984, f.139)
Në maj të këtij viti realizova një vizitë në kishën Lindja e shën Mërisë, në Labovë të Kryqit, pjesë e progamit të Kampit të 16-të Rajonal të Restaurimit që u organizua në Gjirokastër nga 26 Prilli - 9 Maj 2014 nga fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufijë (CHëB) ku u bëra pjesë e kësaj përvoje interesante dhe profesionale. Ajo që më bëri mjaft përshtypje nga zbukurimorja në dru e ikonostasit të kishës ishte një simbol që ndodhej i gdhendur në të. Ky simbol ishte i kompozuar nga 3 laqe ndërprerëse, secila në formën e ngjashme të 8-s (fig.1- skicuar nga Dritan Çoku, fig.2).
Ikonostasi i kësaj kishe (fig.3) është punuar me dorën e Kostë Tunit Meçovitit më 26 gusht të vitit 1805 në kohën e epitrop Kristo Papaqirisit. Mbishkrimi i këtij datimi gjendet i gdhendur në dru, mbi portën jugore të ikonostasit të kishës Lindja e shën Mërisë, në Labovë të Kryqit. (Mecova, që është katund vllah në Greqi, përfshihet nën juridiksionin e Janinës). Emrin e Tune e përdorin vllehët edhe tek ne si shkurtim të emrit Naun. (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë, 1998, f.262)
Vite më parë, kemi kryer një punë kërkimore disa vjeçare mbi simbolet hebraike në Berat dhe veçanërisht mbi simbolet e mozaikut të kishës së shën Kostandinit dhe Helenës në Kalanë e Beratit. Për të arritur zbërthimin e tyre jemi konsultuar me studimet e Dr. Ze’ev Goldmann (1905-2010), një ekspert i simboleve fetare, ku kemi hasur edhe “shenjën me tre të lakuara”. Pra simboli në fjalë nuk është i panohur për ne, por e panjohura është arsyeja e vendosjes së këtij simboli si një ornament në këtë ikonostas. Momenti i parë për të vëzhguar dhe hulumtuar skulpturën në dru duke vendosur një paralele me ikonostasin e kishës Lindja e shën Mërisë, në Labovë të Kryqit ishte ikonostasi dhe elementet e tjerë të zbukurimores në katedralen e Kalasë, kisha e Shën Mërisë së Fjetur në Berat K-081, sot Muzeu Ikonografik “Onufri”.
Nga vëzhgimet e kësaj vepre ndërtimore artistike në tërësi, por edhe simbolikës së përdorur në zbukurimore në veçanti “shenjën me tre të lakuara” e hasëm si rozetë e tavanit në pjesën e brendshme te kurora e baldakinit (Skorza) të altarit (fig.4), por edhe në pjesët anësore fundore të fronit (fig.5) në Katedralen e kalasë së Beratit. Llogjika na çon në arsyetimin se mjeshtri që ka realizuar ikonostasin e kishës Lindja e shën Mërisë në Labovë të Kryqit dy vite më vonë mund të ketë realizuar ato punime të lartëpërmenduara në Katedralen e Kalasë.
Ky mendim na vjen nga mbishkrimi në kryqin e madh ku më 1807 usta Stefan Barka daltoi ikonostasin e Katedrales së Kalasë. Përfaqësuesit e klerit ortodoks, me qëllim që t’i jepnin Katedrales së Kalasë një paraqitje madhështore ftuan nga Opari grupin e mjeshtrave me në krye usta Stefan Barkën, nga Misrasi i Oparit, nipin e usta Dushit. Usta Stefani më 1810 gdhendi dhe një kornizë ikone të pikturuar nga Joan Çetiri. Usta Stefani solli me vete disa fragmente të usta Dhimitër Korçarit dhe i montoi në këtë ikonombartës. Më vonë kjo kishë u pasurua me daltime të reja nga grupi i mjeshtrave të udhëhequr prej usta Naum Ngjelës, i cili gdhendi amvonin, të cilin e përfundoi më 30 qershor 1849.
Në gdhendjet e ndryshme të kësaj kishe, restauratorja e artit Fatbardha Shkupi ka konstatuar shtatë duar, katër mbi ikonombartës i përkisnin Dhimitrit të vjetër, një Stefanit, të vëllait, dhe tjetër usta Dhosit, që daltoi më vonë disa pjesë anësore. Gdhëndësi i altarit në Ajodhimë është i njëjtë me autorin e altarit të kishës së shën Mërisë së Sopikut. Dy duar ende të panjohura kanë daltuar fronin dhe ikonësin, ndërsa krejsat e shtyllave mbajtëse të kubeve i modeloi usta Leonidha Pulliqi, i cili punoi dhe krejsat e kishave të shën Thomait e Shën Spiridhonit në Goricë. (Fatbardha Shkupi, Mjeshtrit popullorë në Berat gjatë shekujve 18-19 dhe fillimit të shek 20, Mihal Duri, “Monumentet”, 2/1990, Tiranë, 1991, f.58)
*Ikonostasi i kishes Lindja e Shen Merise, ne Labove te Kryqit
Përsa i përket ikonësit (epistrofeu) deri tani nuk kemi ndonjë mendim bindës për mjeshtrin që e ka realizuar. Sipas konstatimit dhe arsyetimit të mësipërm ne mendojmë se identifikohet edhe mjeshtri i pestë, i cili është usta Kosta Tuni Meçoviti që ka realizuar altarin në ajodhimë dhe fronin peshkopalë në Katedralen e Kalasë së Beratit. N.q.s gdhendësi i altarit në Ajodhimë sipas Fatbardha Shkupit është i njëjtë me autorin e altarit të kishës së shën Mërisë së Sopikut në shpjegimin tonë i bie që edhe ky altar të jetë realizuar nga usta Kosta.
Por kush është ky simbol që na tërhoqi vëmendjen për të realizuar këtë punë kërkimore?
Në vëzhgimin tonë nuk do të pretendojmë asnjëherë të bëjmë një analizë të plotë në lidhje me aspektin simbolik. Përkufizimet dhe analiza e natyrës së simboleve dhe simbolizmit janë të gjitha shumë të shpeshta. (See Introduction, J.E.Cerlot, A dictionary of symbols, Second Edition, Routledge, London, 1971, f.29) Por ne duhet të studiojmë disa nga sugjerimet e kujdesshme, duke mbajtur, si gjithmonë në këtë punim, brenda kufijve të analizës krahasuese.
Përmes shekujve, simbolet, në shumëllojshmërinë e tyre të pafund kanë pasuruar jetën e mendjes. Simbolika ushqen përpjekjen artistike të të dyjave vetëdijes dhe pavetëdijes. Në shumë kultura tradicionale, arti pothuaj është thjesht simbolik në përmbajtje, duke shprehur në terma vizuale besimet dhe aspiratat e komunitetit. (David Fontana, The secret language of symbols: A visual key to symbols and their meanings, Chronicle Books, San Francisko, 1994, f.39)
Diel pohon me të drejtë se simboli është në të njëjtën kohë një automjet universal dhe i veçantë. Universal, pasi ajo kapërcen historinë; i veçantë, sepse ajo lidhet me një periudhë të caktuar të historisë. (Po aty, f.16) Simbolet kanë qenë subjekt i analizave nga historianët, arkeologët, etnografët, megjithatë, nuk ka teori të unifikuar që ka dalë të japin llogari për gjuhën e simbolizmit në të njëjtën mënyrë si teoria gramatikore që shpjegon kornizën themelore të gjuhës së folur dhe të shkruar. Simbolet, ndryshe nga fjalët e shkruara, nuk janë të kufizuara nga shqetësimet praktike: bollëku dhe shumëllojshmëria e tyre është e kufizuar vetëm nga kufijtë e imagjinatës njerëzore.
Kulturat dhe fetë kryesisht janë të përcaktuara nga simbolet që ata përdorin dhe nderojnë dhe inicimi në një sistem simbol të caktuar ndihmon për të formësuar dhe identitetin e individit. Por simbolet janë pikërisht më shumë se shenja orientimi historike dhe kulturore. Ato mund të na ndihmojnë në drejtim të një kuptimi më të plotë të mendjeve tona. (David Fontana, The secret language of symbols: A visual key to symbols and their meanings, Chronicle Books, San Francisko, 1994, f.51)
Forma dhe ngjyra janë blloqe - ndërtimi të të gjitha simboleve vizuale, por gjithashtu janë thellësisht të rëndësishme në të drejtat e tyre. Fetë e tilla si Judaizmi dhe Islami, të cilat ndalojnë përshkrimin e drejtpërdrejtë të personit të Perëndisë kanë zhvilluar një rrjet të formave abstrakte për të paraqitur aspekte të energjisë hyjnore. (Po aty, f.52)
I ashtuquajturi “shenja me 3 të lakuara” shfaqet në mbetjet e frizit IV dhe VI të Kapernaumit (fig.6). Sërisht, simboli, është i vazhdueshëm samaritan, duke u pranuar edhe nga Komuniteti Judeo-Kristian i Kapernaumit (Kapernaumi, fshat antik i vendosur në bregun V-P të detit të Galilesë). (Fred Skolnik, Michael Berenbaum, Encyclopaedia Judaica, second edition, Vol. 4, Thomson Gale, Jeruzalem, 2007, f.443) Samaritanët në linjën fetare e konsiderojnë veten e tyre të jenë pasues të vërtetë të bijve të Izraelit të lashtë. (Fred Skolnik, Michael Berenbaum, Encyclopaedia Judaica, second edition, Vol. 17, Thomson Gale, Jeruzalem, 2007, f.719) Ashtu si fqinjët e tyre hebrenj, gjatë shek.IV-VI Samaritanët adhuronin në sinagoga. Sinagogat Samaritane janë të orientuara drejt malit Gerizim (mali i tyre i shenjtë) në vend të Malit të Tempullit të Jeruzalemit. (Jodi Magness, The Archaeology of the Holy Land, From the Destruction of Solomon’s Temple to the Muslim Conquest, cambridge university press, 2012, f. 318)
A ka një kuptim të mirë caktuar e të lidhur ngushtë me simbolin në fjalë? “Simboli me tre të lakuara” është zbuluar 40 vjet më parë (fig.7) edhe në rrënojat e një ndërtese Herodiane në Beth-El, në veri të Ramallahut nga Dr. Asher Ederi. Këto vitet e fundit Dr. Eder duke kërkuar për bërë një foto të një cilësie më të mirë të simbolit, i cili mendonte se ai ishte Ylli i Davidit, zbuloi se simboli ishte i dëmtuar. Nga sa kam dëgjuar nga mësuesi im, Dr. Ze'ev Goldmann, i cili është një ekspert i simboleve fetare, shprehet Zeevveez, ky nuk është simboli i Yllit të Davidit. Ky është një simbol i lashtë hebre i quajtur “shenja me tre të lakuara”. https://ëëë.flickr.com/photos/zeevveez/284795578/in/set-72157619835513718
Sipas një hamëndësimi të Ze'ev Goldmann ky është simboli i bekimit 3 trepalësh të hebrenjve nga ana e Cohanim (priftërinjve), kërkuar nga Perëndia (Num 6: 23-26). (Zeev Goldmann, Magen David Symbol Research from the 1st to the 11th century C.E., 2008)
Ky hamëndësim është konfirmuar nga një artikull i Prof. A.G Katsch nga Universiteti i Nju Jorkut në lidhje me dorëshkrimet hebraike në B.R.S.S.
Një vizatim Massoretik me shkrim mikrografik formon në të njëjtën kohë vizatimin e “shenjës me 3 të lakuara”, që në qendër të saj ka një copë letër me tekstin e bekimit trepalësh të Cohanim (fig.8 një prej faqeve të Kodikut të Leningradit i cili daton rreth 1010 e.s). Bekimet janë të shoqëruara edhe sot, në shërbim të sinagogës së Shabbath, nga lëvizjet e përkulura të Cohen (prift hebre) në tre anët, duke mbuluar veten dhe duart e tij të shtrira nga shalli i lutjes (Talith). Ceremonia kryhet dy herë në shërbim të sinagogës Shabbath.
http://zeevgoldmann.blogspot.com/2008/08/vi-capernaum-synagogue.html
Ze’ev Goldmann na informon se në dyshemenë e zbukuruar me mozaik në Neo-Paphos, pranë bregdetit në jug perëndim të Qipros gjenden një grup prej pesë simbolesh në medaljone të mëdhenj (fig.9) që kanë në qendrën e saj sferike oktagonale Yllin e Davidit, simboli kryesor judeo-kristian (a), i shoqëruar nga dy medalione sipër e dy poshtë. Në të djathtë, sipër, përmban katrorin e dyfishtë, shenjën simbolike të krishterëve johebrenj (b) dhe Samaritanëve (siç e pamë); në të majtë ka një kryq grek të Kishës Perandorake Romane (c), ndërsa, poshtë, në të djathtë ka shenjën me 3 të lakuara të Neo-Samaritanëve (d), dhe në të majtë, poshtë, ka simbolin e Svastikas gjithashtu me origjinë samaritane.
http://zeevgoldmann.blogspot.com/2008/08/special-star-of-david-artifacts.html
Çfarë është befasues është fakti se simbolet kryesore fetare të neo-krishterëve në qendrën e tyre ku rrethojnë simbolin “Mburoja e Davidit” shfaqen në Paphos në ishullin e Qipros. Sipas Ze’ev Goldman, kjo mund të shpjegohet vetëm, nga fakti i njohur, se Neo-krishterët nuk kanë marrë pjesë në luftën kundër romakëve dhe për këtë arsye duhet të largoheshin nga vendi siç bënë të krishterët e Jerusalemit, për të gjetur strehim në Pella dhe qytete të tjera të Dekapolit. Me sa duket, grupi i neo-krishterëve së bashku me Samaritanët ikën në ishullin e Qipros, për të gjetur strehim në Neo-Pahpos, kryeqytet.
http://zeevgoldmann.blogspot.com/2008/08/special-star-of-david-artifacts.html
Këtë simbol e gjejmë të punuar në një prej mozaikëve të ekspozuar në Muzeun e Samaritanit të Mirë (fig.10) në autostradën kryesore midis Jeruzalemit dhe Jerichos. Aty është siti Inn i cili i identifikohet Samaritanit të Mirë (përmendur në shëmbëlltyrën tek Luka 10: 25-37).
Shumë pyetje mund të lindin natyrshëm, por një gjë është e sigurt që “shenja me tre të lakuara” nuk mund të jetë i rastësishëm dhe as thjesht dhe vetëm dekorativ në zbukurimoren e dy kishave tona.
Pavarësisht se “shenja me tre të lakuara” mund të jetë përdorur nga mjeshtri Kosta si firmë (shenjë identifikuese) e punimeve të tij që realizonte në zbukurimoren e gdhendjes në dru, por nga faktet, analiza krahasimore, kuptimi dhe historia e tij del se ai është një simbol i lashtë hebre. Ky simbol na nxiti në rishikimin e simboleve hebraike në qytetin e Beratit, pasi siç e kemi përmendur edhe në studimet e mëparshme (Dritan Çoku, “Një sinagogë në kalanë e Beratit?”, Gazeta Shqiptare, suplementi “Milosao”, 26 Qershor 2011, Dritan Çoku, “Gjurmë e një sinagoge në kalanë e Beratit”, bocet, 2012) në fondin e zbukurimoreve në monumente të gjinive të ndryshme në Berat ka një prani të konsiderueshme të tyre.
Afër 25-vjet më parë Fatbardha Shkupi ka evidentuar praninë e vulës së Solomonit në dy objekte në Berat, në hyrjet e Teqesë së Helvetive (rindërtim i vitit 1782-83) dhe Xhamisë Mbret (punimet e rindërtimit në hajat fillim shek.XIX), por edhe mbi murin e një kulle në Gjonbabas të Oparit, që sipas kodeve sekrete të mjeshtërve është zgjedhur si firmë e grupit të punës (fig.11- skicuar nga Dritan Çoku). (Fatbardha Shkupi, Mjeshtrit popullorë në Berat gjatë shekujve 18-19 dhe fillimit të shek 20, Mihal Duri, “Monumentet”, 2/1990, Tiranë, 1991, f.57) Por po t’a vështrojmë me kujdes duke vlerësuar edhe dy simbolet e tjera që shoqërojnë Yllin e Davidit nuk mund të themi se është thjesht dhe vetëm një firmë (shenjë identifikuese) e këtyre mjeshtrave.
Simboli i Yllit të Davidit në të gjashtë cepat e dy trekëndorëve të ndërthurur është i shoqëruar nga simboli Fleur de Lys (zambaku). Ky simbol me një formë të shpeshtë të stilizuar, tregon tre petale me dy thekë të përfaqësuara si linja të kthyera ndërsa në krye me trekëndorin në formë “anthers” (pjesë e një theke që përmban polen). (Cynthia M. Creëe, Plant motifs on jeëish ossuaries and sarcophagi in Palestine in the late second temple period: their identification, sociology and significance, Biblical studies, 2005, f.18) Fleur de Lys është adoptuar si emblemë mbretërore nga ana e mbretërve të Francës, zambaku i trefishtë përfaqëson madhështinë e trefishtë të Perëndisë, krijimin e tij, dhe familjes mbretërore. Zambaku gjithashtu paraqet trinitetin e mendjes, trupit dhe shpirtit, të cilat vijnë së bashku vetëm për njerëzimin. (David Fontana, The secret language of symbols: A visual key to symbols and their meanings, Chronicle Books, San Francisko, 1994, f.71)
Në studimin e Ze’ev Goldmann “Simboli i zambakut, rrënjët e tij, kuptimi dhe historia në antikitet”, (See Dr. Ze’ev Goldmann, Shnaton, Annual for Biblical and ancient Near-Eastern Studies, Part I (ed. By Moshe Ëeinfeld) Vol.XI. The Magnes Press, The Hebreë University, Jerusalem 1997, pp. 197-221) na informon se Shoshan (zambaku) ishte simboli i Torah. Në Bibël, termi “Shoshan” shfaqet për herë të parë në lidhje me Tempullin e Solomonit shek.X p.e.s., mbi dy shtyllat e lira në këmbë, Jakini dhe Bo'az (I Mbretërve 7: 21-22)…
Shoshani duhej të jetë i plotë me gjashtë petale, si në shtyllat e lira që qëndronin para tempullit, ndërsa në kapitelet e dy shtyllave në portik duhet të jenë me tre-petale. Zhytur në traditën judeo-kristiane, ai u bë një shoqërues i vazhdueshëm për Yllin e Davidit dhe, më pas, te Kryqi. (Zeev Goldmann, Magen David Symbol Research from the 1st to the 11th century C.E., 2008) http://zeevgoldmann.blogspot.com/2008/08/ii-star-of-david-on-mosaic-floor-at-ein.html
http://ëëë.biblestudy.org/bibleref/meaning-of-numbers-in-bible/5.html
Shoqërimin e simboleve, “Ylli i Davidit” dhe “Fleur de Lys”, e shohim të përdorur edhe tek kutia (fig.12) që i dhuruan familjes së Mehmet Xhezos, në Berat, hebrenjtë Samuel dhe Joakim, familjet e të cilëve u strehuan aty në vitet 1943-1944, gjatë pushtimit nazist. Po pse pikërisht këto simbole të Orientit Antik janë përzgjedhur dhe përdorur nga mjeshtrat si firmë e tyre? Kjo nuk dihet. Megjithatë këto motive të pastra hebreje kërkojnë një vëmendje të veçantë.
Studimet më të thelluara mbi elementët përbërës të arkitekturës në drejtim të zbukurimores, gdhendjes dhe sidomos simboleve të cilat janë shumë pak të studiuara, me kalimin e viteve do të bëhen trashëgimi e shkencës dhe e shoqërisë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Shtator 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)