Zbulohet një vizatim i panjohur
i Gjergj Fishtës

Zbulohet një vizatim i panjohur<br />i Gjergj Fishtës
Në kishën e Zymit, ku ka shërbyer At Shtjefën Gjeçovi gjatë viteve të fundit të jetës, është dhuruar një vizatim në karton (41 x 31 cm) që mban firmën e Gjergj Fishtës. Në atë vizatim shohim një portret të  Gjeçovit në moshë të re, ndoshta në vitet e para kur shërbente si famullitar e mësues në trekëndëshin: Troshan, Zarë, Shkodër. Në Troshan e Shkodër ka shërbyer edhe Fishta, që i bie të kenë pasur (së bashku me Gjeçovin) qëndrimin e tyre më të afërt, pas periudhës studentore.

Pavarësisht këtij fakti, duhet thënë se portreti i firmosur prej Fishtës (Gfishta) nuk duket të jetë bërë nga natyra, d.m.th., Gjeçovi të ketë pozuar (një apo disa seanca) për t’u vizatur a pikturuar. Ne sot kemi një foto të Gjeçovit të ri, riprodhimi i të cilës duhet të jetë vizatimi i Fishtës. Madje kemi gjetur edhe një grafikë tjetër anonime, që duket të jetë riprodhim nga e njëjta fotografi (shih figurën: 1. Gjeçovi meshtar i ri (fotografi), 2. Portreti i firmosur nga Fishta, 3. Firma dhe 4. Grafika e mëvonshme e një anonimi). 

Vizatimi i firmosur prej Fishtës është “dhuratë nga Luigj Preklushaj nga Zymi me punë në Kroaci, i cili e ka blerë nga familjarët e Gjeçovit”, na pohon famullitari i Zymit, Don Ndue Ballabani, duke na dhënë të drejtën e publikimit. “Këtë portret,- vazhdon ai,- e ka pasur tezja e Pater Shtjefnit. Më pas e kanë trashëguar familjarët e saj deri sa është bërë pronë e Preklushajve.

Në “Takimet e Gjeçovit”, që organizohen çdo vit në Zym, ai vizatim do të jetë një relikte me vlerë të veçantë për të dëshmuar bashkëpunimin e të dy fretërve të përkushtuar shqiptarizmit, duke vënë themëlet e albanologjisë: Gjeçovi me “Kanunin e Lekë Dukagjinit” e studimet tij iliro-arbërore dhe Fishta me “Lahutën e Malcis”, “Mrizin e Zanave”, “Vallen e Parrizit”, “Anzat e Parnasit”, “Judën Makabe”…

Ndoshta Don Ndoit nuk i kishte shkuar ndonjëherë në mendje se do të vinte një ditë që në kishën e tij në Zym, në oborrin e së cilës po ndërtohet qela e Gjeçovit (muzeu dhe biblioteka, që do të jenë gati vitin e ardhshëm), të kishte ndër të tjera edhe një portret të Gjeçovit të punuar prej Fishtës.

Por ai për Gjeçovin dhe Kanunin e tij ka organizuar veprimtari shkencore edhe më heret, qyshkur ishte famullitar i kishës shqiptare në Zagreb e Zarë. Përmendim këtu botimet “At Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni” (Zagreb, 2017), Imzot Lazër Mjeda mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar (Prishtin-St.Gallen, 2011) etj., ku Don Ndue Ballabani është editor.

Nga ana tjetër është vendi të kujtojmë se Gjergj Fishta ka qenë i njohur në artet pamore. Një ish nxënës i tij, frati dhe piktori i diplomuar në Akademinë e Arteve të Sienës, Leon Kabashi, e kujtonte mësuesin e vet të vizatimit, Gjergj Fishtën, që e kalonte kohën e tij të lirë me vizore e lapës në dorë “tue endë studime arkitekture e pikture”.

Leon Kabashi na dëshmon, gjithashtu, edhe pjesëmarrjen e Fishtës në ekspozitën kombëtare të pikturës (me 24 punime origjinale), organizuar prej shoqërisë “Rozafat” (Shkodër, 1923), me ç’rast Akademia e Vjenës e shpalli anëtar nderi, duke i akorduar edhe një, të cilën Fishta nuk e shfrytëzoi.

Ne nuk e dimë sot ku kanë përfunduar vizatimet dhe pikturat e Fishtës, të cilat përveçse në mjediset e Liceut Illyricum (dy peizazhe), ruheshin edhe në arkivin e Provincialiatit (arkivi i françeskanëve). Por sot e dimë me siguri se një punim figurativ (portreti i Shtjefën Gjeçovit), që mban firmën e Gjergj Fishtës, është në kishën e Zymit, në saje të Luigj Preklushajt (që e dhuroi) dhe të Don Ndue Ballabanit, që e koleksionoi. Urojmë të mos mbetet i vetëm.

fishta

(Vizatimi i Gjergj Fishtes)

(er.nu/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Mandati i Xhaçkës, më 27 gusht mblidhet jashtë sesionit Këshilli për Legjislacionin

Mandati i Xhaçkës, më 27 gusht mblidhet jashtë sesionit Këshilli për Legjislacionin