Pas 26 vitesh, është zbuluar një tjetër varrezë masive në Kosovë, ku janë gjetur trupat e 11 personave të zhdukur nga masakra e Kralanit gjatë luftës. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka dhënë detaje tronditëse për krimet e kryera nga forcat serbe dhe përpjekjet për fshehjen e tyre.
Sipas Kurtit, pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë kishin rrëmbyer trupat e viktimave dhe i kishin groposur në varreza masive, me qëllim zhdukjen e gjurmëve dhe provave të krimeve.
“Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Disa prej tyre ishin gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë. Pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i rrëmbeu kufomat”, shkruan Kurti.
![]()
Në varrezën masive të zbuluar këto ditë në Bishtazhin janë identifikuar trupat e 11 personave:
- Adem Gashi
- Sahit Gashi
- Bekim Hasani
- Sheremet Ismajli
- Mentor Myrtaj
- Osman Fejza
- Shkelzen Hajdaraj
- Bekim Gashi
- Sabedin Kryeziu
- Mentor Kryeziu
- Vehbi Halilaj
“Plagët e hapura të zhdukjeve me dhunë janë e vërteta e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia gjatë luftës në Kosovë”, thekson Kurti në reagimin e tij.
Zbulimi i kësaj varreze masive hedh dritë mbi një tjetër kapitull të errët të historisë së luftës në Kosovë dhe njëherësh rikthen në qendër të vëmendjes kërkesën për drejtësi dhe llogaridhënie për krimet e kryera.
Komente

