Një dokument që, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, përshkruan një plan të shërbimit sekret serb për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit është një nga provat më të forta të përfshira në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh dhe shantazh.

Dokumenti, i emërtuar "Leptiri", është gjetur në telefonin e Shehollit krahas shumë dokumentave të tjera 'top secret'. Sipas aktakuzës, ai ishte hartuar nga strukturat e Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001 dhe përshkruante një plan operativ që synonte komprometimin dhe rekrutimin e Kurtit gjatë kohës kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë.

Në dosje thuhet se dokumenti përmend edhe një burim operativ me nofkën "Leptiri", i cili do të përdorej për sigurimin e materialeve komprometuese me qëllim ushtrimin e presionit ndaj Kurtit për ta detyruar të bashkëpunonte me RDB-në.

Sipas Prokurorisë, analiza e komunikimeve të nxjerra nga telefoni i Shehollit tregon se ai ua kishte përcjellë dokumentin personave të ndryshëm dhe kishte kërkuar që ai të përkthehej nga gjuha serbe në shqip.

Aktakuza pretendon se këto komunikime dhe materiale janë pjesë e provave që synojnë të dëshmojnë lidhjet e Shehollit me persona dhe struktura të lidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si edhe rolin e tij në shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura.

Gjatë marrjes në pyetje, sipas aktakuzës, Sheholli ka deklaruar se dokumentin "Leptiri" ia kishte dërguar në telefon Bojan Dimiq. Ai ka thënë gjithashtu se dokumentin ia kishte përcjellë Milazim Gashit, të cilin e ka përshkruar si mik të tij në SHISH-in e Shqipërisë, si dhe Blerim Canajt dhe një personi tjetër të quajtur Bashkim Pushkolli.

Ndërkohë mediat në Kosovë, raportojnë se në dokument  Albin Kurti përshkruhet si një person "mjaft i tërhequr dhe skajshmërisht i mbyllur", duke ngritur edhe pretendime për orientimin e tij seksual. Dokumenti thotë se këto të dhëna janë siguruar përmes personave përgjegjës në Burgun e Quprijes dhe burimeve operative me nofkat "Leptir", "Robi" dhe "Metar".

Po sipas mediave, burimi operativ "Leptir" pretendon se kishte krijuar marrëdhënie të afërta me Kurtin dhe se përmes këtyre kontakteve mund të siguroheshin materiale komprometuese, me qëllim ushtrimin e presionit ndaj tij për bashkëpunim me shërbimin sekret serb.

Dokumenti përmban gjithashtu pretendime se Kurti i konsideronte si serbët ashtu edhe shqiptarët "patriarkalë dhe të prapambetur", se fliste për rrezikimin e të drejtave të njeriut dhe të homoseksualëve, si edhe se shprehte qëndrime kritike ndaj drejtuesve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin.

Në një pjesë tjetër të dokumentit mediat pretendojnë se shkruhet që Kurti nuk e shihte të ardhmen e tij në Kosovë pas daljes nga burgu dhe planifikonte të udhëtonte drejt Norvegjisë për të siguruar leje qëndrimi të përhershme.


Lajmi kryesor:

Akuzohet se spiunoi për BIA-n serbe, analisti Fatmir Sheholli merret i pandehur! Dokumenti 'Top Secret' në celularin e tij zbardh planin për radikalizëm Islamik në Kosovë