Pesë shtetas të Maqedonisë së Veriut janë arrestuar nën dyshimin se po përgatisnin vrasjen e një personi në Greqi, me urdhër të një shtetasi iranian që dyshohet se ka lidhje me shërbimet e inteligjencës së Teheranit. Të dyshuarit kishin nisur përgatitjet për atentatin, por plani u zbulua pas një hetimi disamujor të shërbimeve sekrete greke, maqedonase dhe disa vendeve perëndimore.

Sipas gazetës greke “To Vima”, hetimet nisën në fund të shkurtit ose në fillim të marsit 2026, nën drejtimin e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së Greqisë (EYP), në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe agjenci të tjera perëndimore.

Gjatë operacionit u arrestuan pesë persona, të gjithë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Katër prej tyre u ndaluan në vendin e tyre, ndërsa i pesti u lokalizua dhe u arrestua në Greqi, për t'u transferuar më pas në Maqedoninë e Veriut më 12 nëntor.

Hetuesit dyshojnë se pas planit për atentat qëndron shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh, i cili dyshohet se drejtonte veprimtarinë e grupit. Sipas raportimeve, të pesë të arrestuarit kanë pranuar se punonin për të.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se Mavaneh ka lidhje me persona brenda strukturave të sigurisë dhe inteligjencës iraniane, si dhe me trafikantin iranian të drogës Naji Sharifi Zindashti.

Ky i fundit dyshohet se përdor organizata kriminale në vende të treta për të realizuar operacione në interes të shërbimeve të inteligjencës së Iranit.

Sipas hetimeve, rrjeti i zbuluar mbështetej te persona me lidhje me botën e krimit në Maqedoninë e Veriut. Nën udhëzimet e Mavaneh, anëtarët e grupit kishin marrë përsipër përgatitjet dhe organizimin logjistik për kryerjen e atentatit në territorin grek.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë zbuluar se kush ishte personi që do të vritej. Dihet vetëm se shënjestra ndodhej në Greqi, ndërsa nuk është sqaruar nëse bëhet fjalë për një shtetas grek apo të huaj.

Shërbimet e sigurisë dyshojnë se rasti është pjesë e një mënyre më të gjerë veprimi të inteligjencës iraniane, e cila përdor rrjete kriminale dhe ndërmjetës në vende të tjera për të fshehur përfshirjen e saj në sulme të planifikuara.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Maqedonisë së Veriut njoftoi se hetimet do të vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet dhe për të parandaluar kërcënime të mundshme terroriste.