Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ishte i pranishëm sot në protestën e opozitës, e teta që zhvillohet kundër qeverisë Rama. Mungoi edhe lideri demokrat Lulzim Basha. Por ndërsa kryedemokrati ishte në takime zyrtare me përfaqësues të CDU-së në Gjermani, asgjë nuk dihej për ish-deputetin Sali Berisha. E vetmja 'pjesëmarrje' e tij në protestë, ishte përmes rrjetit social Facebook, teksa Berisha postonte momentet më pikantë të protestës, ku nuk la pas edhe akuzat për policinë karshi protestuesve.

Shqiptarja.com mëson se ditët e fundit Berisha ka qenë në Itali, në takime politike atje, dhe nga sa mësohet, lodhjen e ka shfaqur qëkur është kthyer nga ky udhëtim. Ish-kryeministri ka rreth 10 ditë që është i sëmurë me antibiotikë, - mëson Shqiptarja.com. Nuk është ndjerë gati për të qenë sot në protestën e radhës të mbajtur për rrëzimin e qeverisë dhe kërkesën kryesore të opozitës tashmë joparlamentare, zgjedhjet e parakohshme. Edhe në protestat e fundit ku ka marrë pjesë, Berisha nuk është parë aktiv.

Është shfaqur vetëm në disa momente të saj, dhe më tej është tërhequr. Njëjtë ndodhi edhe në protestën e shtatë, ku kamerat fiksuan momentin teksa Berisha nuk ndoqi itinerarin e grupit të protestuesve që udhëhiqeshin nga Lulzim Basha, por i ra një rruge më të shkurtër për të mbërritur më herët në selinë e PD-së, stacioni i fundit ku opozita përmbyll protestën.

Lideri historik i Partisë Demokratike vijon të marrë brohorimat e protestuesve, ndërsa sot në shumë rrugë të Tiranës ishin vendosur letra që kërkonin rikthimin e tij. "Kthehu legjendë". "O Sali o hero gjithë Shqipëria ty të do", ishte përmbajtja e tyre.

Në mungesë të Bashës dhe Berishës protesta u udhëhoq nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ish-deputetët e PD dhe LSI, dhe aleatët e djathtë. Por në mungesë të udhëheqësve protesta degjeneroi në dhunë mes vetë protestuesve, ku për arsye nga më banalet, protestuesit nisën duke rrahur dhunshëm njëri-tjetrin. Nga përfaqësues të PD-së, u tha se protestuesit dhunuan personat e tjerë me dyshimet se janë të infiltruar nga policia.