Një suplement ushqimor me origjinë nga Gjermania ka ngritur alarmin tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pasi u konstatua prani e bakterit “Salmonella spp”, që konsiderohet i rrezikshëm për shëndetin e njeriut. Bëhet fjalë për produktin “Moringa organic”, pjesë e kategorisë së suplementeve ushqimore dhe ushqimeve dietike, për të cilin Shqipëria ka marrë njoftim nga sistemi europian RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed).
Sipas të dhënave të publikuara, produkti i identifikuar mban lotin “C 12105” dhe datë skadence 28.06.2028. Sasia e importuar në Shqipëri ka qenë 12 njësi me peshë 125 gram secila. Operatori eksportues është DRASANVI, SL, ndërsa importues në vend rezulton kompania “Espana Pharm” sh.p.k.
Nga verifikimet në terren është konstatuar se në subjekt ndodheshin ende 6 njësi, të cilat janë bllokuar për asgjësim. Ndërkohë, pjesa tjetër e produktit rezulton të jetë shitur tek konsumatorët. AKU u bën thirrje qytetarëve që nëse e kanë blerë këtë produkt, të mos e përdorin dhe ta kthejnë pranë pikave ku e kanë marrë.
Sipas institucionit, operatori i biznesit ushqimor ka afishuar njoftimet përkatëse në pikat e tregtimit të suplementit.
Njoftimi i plotë i AKU
Në vijim të njoftimit ALERT të kategorisë, për ndjekje, Shqipëria është njoftuar nga sistemi RASFF (Rapid Alert Sistem for Food and Feed) me temë “Salmonella spp në suplemente ushqimore me origjinë nga Gjermania”, duke përbërë risk serioz për shëndetin e njeriut.
Të dhënat e produktit:
- Lloji i produktit: suplemente ushqimore
- Kategoria e produktit: ushqime dietike dhe suplemente
- Emri i produktit në etiketë: Moringa organic
- Lot: C 12105
- Datë skadence: 28.06.2028
- Sasia e importuar: 12 njësi x125 g
- Operatori eksportues në Shqipëri: DRASANVI, SL/
- Operatori importues në Shqipëri: Espana Pharm Sh.p.k
Nga verifimet e kryera në terren ka rezultuar se sasia e importuar është 12 njësi x125 g, nga të cilat në momentin e kontrollit janë gjetur gjendje në subjekt 6 njësi x125 g, të cilat u bllokuan me destinacion asgjësimin e tij, ndërsa sasia tjetër rezultoi e shitur te konsumatori final. Nga ana e operatorit të biznesit ushqimor është kryer afishimi i njoftimit për konsumatorët në pikat e tregtimit të këtij produkti. AKU bën thirrje që nëse konsumatorët e kanë në gjendje këtë produkt ta kthejnë pranë pikave ku e kanë blerë.
Komente









