Një koleksion me bizhuteri të çmuara dhe ora luksoze, me vlerë që llogaritet mes 2 dhe 3 milionë eurosh. Rubinë, smeraldë dhe safirë; gjerdanë, vathë e varëse të punuara me finesë; një gjerdan me 14 rubinë cilësorë; unaza dhe byzylykë me diamantë.

Mes sendeve të sekuestruara kishte edhe ora luksoze të markave Omega dhe Longines. Sipas hetuesve, kjo është vetëm një pjesë e pasurisë që dyshohet se lidhet me ish-kryeministrin spanjoll José Luis Rodríguez Zapatero (2004-2011), tashmë në qendër të një skandali politik dhe gjyqësor që rrezikon të tronditë më tej qeverinë socialiste të Pedro Sánchez.

Ky i fundit ndodhet sot në Romë — megjithëse pa një takim me kryeministren Giorgia Meloni — dhe vazhdon të mbrojë paraardhësin e tij. “Jam i qetë”, u tha ai gazetarëve.

Dikur shihej si simbol i reformave progresiste, mbrojtës i të drejtave civile dhe kundërshtar i korrupsionit. Ligjet e tij kundër dhunës në familje, për martesat homoseksuale dhe barazinë gjinore u konsideruan model në shumë vende.

Por sot, Zapatero përballet me akuza të rënda për trafik influence, ryshfet, kontrata fiktive dhe pastrim parash, në bashkëpunim me regjimin venezuelian.

Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Fiskale i ka dorëzuar gjyqtarit hetues José Luis Calama një dosje me mbi 4 mijë faqe, në kuadër të hetimit për çështjen “Plus Ultra”, që lidhet me shpëtimin kontrovers me para publike të kompanisë ajrore Plus Ultra Líneas Aéreas dhe lidhjet e saj të dyshuara me Venezuelën.

Sipas hetuesve, ish-kryeministri socialist dyshohet se ka drejtuar një rrjet të paligjshëm me shtrirje nga Spanja në Amerikën Latine dhe deri në Kinë, ndërsa mendohet se ka përfituar të paktën 2.6 milionë euro gjatë pesë viteve të fundit nga kompani nën hetim ose me kapital kinez.

Në kasafortën e zyrës së tij, policia gjeti 103 artikuj luksi: 41 palë vathë, 15 varëse, 11 byzylykë, 8 ora dore dhe rreth 20 aksesorë të tjerë, origjina e të cilëve mbetet ende e paqartë.

Sekretarja e ish-kryeministrit deklaroi se kasaforta “i përket familjes Zapatero” dhe se disa prej bizhuterive ishin trashëgimi familjare ose dhurata nga udhëtimet, sipas televizionit publik RTVE.

Javën e kaluar, policia ndërmori “Operacionin Tibet”. Agjentët mbërritën në banesën e Zapateros në orët e para të mëngjesit për ta njoftuar mbi akuzat në çështjen Plus Ultra, ndërsa një ekip tjetër kontrolloi zyrën e tij në Calle Ferraz — aty ku ndodhet edhe selia e Partisë Socialiste — si dhe zyrat e kompanisë Whathefav S.L., agjencia e komunikimit në pronësi të vajzave të tij, Laura dhe Alba Rodríguez Espinosa.

Sipas mediave spanjolle, ish-kryeministri mund të ketë qenë duke planifikuar largimin nga vendi. Në ditët para operacionit, kur emri i tij kishte nisur të përmendej në qarqet gjyqësore, ai kishte prerë një biletë drejt Santo Domingos, prej nga do të vazhdonte me avion privat drejt Karakasit.

Sipas El Confidencial, bëhej fjalë për një udhëtim privat, të organizuar me nxitim dhe jashtë çdo axhende zyrtare.

Hetimi ndaj Zapateros nisi pas një kallëzimi të paraqitur nga Zyra Spanjolle Kundër Korrupsionit në tetor 2024 ndaj shtatë personave të dyshuar për përfshirje në një skemë pastrimi parash me origjinë nga Venezuela, pas informacioneve të ardhura nga autoritetet zvicerane dhe franceze.

Hetimi i Gjykatës Qendrore të Hetimit nr. 4 në Madrid u fokusua te dyshimet për keqpërdorimin e 53 milionë eurove të akorduara nga qeveria për shpëtimin e kompanisë ajrore Plus Ultra, në pronësi të biznesmenit Julio Martínez, i arrestuar më 11 dhjetor 2025.

Sipas hetuesve, Martínez ka përfituar mbi 300 mijë euro nga fondet e Plus Ultra përmes kompanisë konsulente Analisis Relevante. Nga ana tjetër, ai dyshohet se ka transferuar 490,780 euro për Zapateron dhe 239,755 euro për kompaninë e vajzave të tij,

Whathefav, mes viteve 2020 dhe 2024, përmes faturave fiktive. Avokatët e Zapateros pretendojnë se pagesat lidhen me shërbime reale konsulence të kryera prej tij dhe vajzave të tij.

Hetuesit po shqyrtojnë edhe aktivitetin e kompanisë Inteligencia Prospectiva, e themeluar në janar 2020 nga dy vëllezër venezuelianë. Sipas dyshimeve, Amaro Chacón ka transferuar rreth një milion euro drejt kompanisë së vajzave të Zapateros, kompanisë së Martínez, Analisis Relevante dhe qendrës kërkimore Gate Center.

Sipas Njësisë së Krimeve Ekonomike dhe Fiskale, Inteligencia Prospectiva kishte lidhje me Partinë Komuniste dhe biznesmenë kinezë, me synimin për të bindur Zapateron — zyrtarisht i angazhuar si ndërmjetës për tranzicion demokratik në Venezuelë — që të vepronte në të vërtetë si përfaqësues i interesave të qeverisë venezueliane.

Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez vazhdon të mbrojë paraardhësin e tij dhe deklaron se është “i qetë”, ndërsa kampi progresist akuzon drejtësinë për përdorim politik të hetimeve, njësoj si në rastin e bashkëshortes së Sánchez, Begoña Gómez Fernández.

Megjithatë, pas deklaratave publike të unitetit, shqetësimi po rritet edhe mes aleatëve të qeverisë, sidomos te partitë nacionaliste që mbështesin shumicën e brishtë parlamentare të Sánchez, përfshirë Partinë Nacionaliste Baske të drejtuar nga Aitor Esteban./ CorrieredellaSera