Historiani dhe studiuesi i njohur Romeo Gurakuqi rrëfen për “Shqiptarja.com” se kjo masakër është paraprirë edhe me dy masakra të tjera që kanë ndodhur ndaj ushtarëve italianë. Nga dokumentacioni arkivor, Gurakuqi ka në dispozicion fakte për një masakër të kryer në Burrel nga partizanët shqiptarë të komanduar nga Mehmet Shehu.
Pas një deklarate që u bë për pushkatimin e 130 karabinierëve italianë, robër lufte, në Lushnjë, është hapur një debat i madh për të parë, kuptuar, ndriçuar detaje të tjera, si ka ndodhur vrasja e këtyre robërve të luftës, në ç’përmasa ka qenë dhe cili ka qenë autori i këtyre masakrave ose autorët më saktë?
-Është e vështirë për të dhënë një pamje të përgjithshme, por dihet që ka një urdhër për goditje pa asnjë lloj kompromisi kundër Ballit Kombëtar dhe kundër atyre që, në këndvështrimin e liderit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të asaj kohe, që ishte njëkohësisht edhe komisar politik i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ishte njëkohësisht de facto kryetar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha, për t’i goditur të gjithë pa kompromis, d.m.th. ky urdhër duhet të jetë dhënë dhe sipas dokumentacionit rezulton në shtator dhe duhet të jetë dhënë që nga Konferenca II Nacionalçlirimtare, e Labinotit, më 4-9 shtator 1943. Një prej këtyre krimeve është masakra për të cilën bëhet fjalë konkretisht, masakra e Lushnjës, e 21 tetorit të vitit 1943. Por kjo është paraprirë, të paktën, edhe me dy masakra të tjera që kanë ndodhur ndaj ushtarëve italianë. Nga dokumentacioni arkivor që unë kam në dispozicion dhe që do t’ju bëj të njohur edhe juve, rezulton edhe një masakër e kryer në Burrel nga partizanët shqiptarë. Raporti i përket Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme. Është transferuar nga Roma në Londër nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, i asaj kohe, në Foreign Office. Dokumentacioni i përket vitit 1946, por bën fjalë për fatin e italianëve nga 8 shtatori i vitit 1943 deri në procesin e riatdhesimit, proces i cili ka ndodhur në rrjedhën e vitit 1945 dhe nuk ka qenë një sipërmarrje e lehtë. Mes rreshtave, në faqen 22 të këtij raporti, tregohet edhe për masakrën e 110 karabinierëve dhe 8 oficerëve të lartë të drejtuar nga kolonel Gamuçi, të cilët janë ekzekutuar nga 2 komandantë partizanë. Italianët janë dorëzuar te partizanët, janë zhveshur, u janë marrë të gjitha pajisjet. Janë ekzekutuar thjesht për t’u marrë veshjet dhe pajisjet, të cilat i kanë marrë partizanët shqiptarë. Është i panjohur si fakt, të paktën në literaturën shqiptare ky fakt nuk ekziston.
Siç duket, pra, në këtë periudhë kuptohet që ka një urdhër, ka një goditje jo vetëm ndaj nacionalistëve, por edhe ndaj ushtarëve italianë të mbetur pa përkrahje, të goditur midis dy zjarreve, zjarrit të gjermanëve dhe zjarrit të partizanëve shqiptarë. Ndoshta kjo përbën një ndër shfaqjet më të dhimbshme, ndër faktet më tragjike, të cilat e njollosin rëndë jo luftën e partizanëve, jo aspiratën për liri të shqiptarëve në kohën e Luftës II Botërore, por të udhëheqësve komunistë, të cilët merrnin urdhra nga Partia Komuniste Jugosllave. Dy emisarë ishin të përhershëm: Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Bashkëpunimi i tyre është më se i provuar, mjafton të shkoni në Arkivin e Shtetit të Republikës së Shqipërisë. Mund t’ju jap dhe indikacionet e dosjeve respektive. Urdhrat vinin drejtpërdrejt në linjën e komandës nga shtabi i Titos në drejtim të shtabit të Enver Hoxhës.
Si ka mundësi i gjithë ky guxim i udhëheqësve komunistë për të ekzekutuar, kur ishte një situatë e paqartë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali edhe në Evropë kur nuk dihej se cilët do të ishin aleatët e ardhshëm dhe nuk dihej nëse do të ndëshkohej gjesti i tyre në konventat ndërkombëtare apo jo, kur pritshmëria ishte më e madhe se ata do të ndëshkoheshin për këto sipas ligjeve të luftës. Kishte një frymëzim tjetër, një nxitje tjetër, një ndikim si të thuash të dirigjuar apo një siguri që dikush ua jepte?
-Bëhet fjalë për një grup terrorist, i cili më pas, pas ardhjes në pushtet, pas shfrytëzimit të këtij momenti shumë delikat, për fat të keq edhe të mungesës së orientimit shumë të qartë të elitës tradicionale shqiptare, ata arritën që të shfrytëzojnë gjendjen e mjeruar të Shqipërisë nën dy pushtime, e mbi të gjitha, situatën shumë të vështirë të Shqipërisë së Jugut për shkak të kthimit të kësaj hapësire në harkun kohor fundi i vitit 1940 – fillimi i vitit 1941 në një front lufte midis Italisë dhe Greqisë. Nuk ka qenë një luftë e lehtë, ka qenë një luftë frontale, e cila popullatës së Shqipërisë së Jugut i la plagë shumë të rënda dhe gjendja e mjeruar e fshatarësisë sidomos të Shqipërisë së Jugut shërbeu si një bazament social shumë i rëndësishëm për terroristët e ardhshëm komunistë. Kështu që ju mjaftoni të shihni se çfarë ndodhi me Shqipërinë menjëherë pas 29 nëntorit 1944. Erdhi liria? Populli gëzoi paqen? U vendos një rend demokratik apo një rend diktatorial? Mund të them që duke filluar nga shtatori i vitit 1943 e më pas ndaj çdo kundërshtari politik të këtij grupi terrorist me veshje komuniste, me frymëzim jugosllav fillimisht e më pas sovjetik (nuk po vazhdoj më gjatë se kaq), ata kanë ndërmarrë eliminime fizike në masë ndaj shqiptarëve.
Për sa i përket ngjarjes që ka ndodhur në Lushnjë, ka qenë një lojë si të thuash, e stërholluar, e dyfishtë edhe me nacionalistët, që ata dhe u përdorën në aleancat me partizanët, komunistët, për të luftuar italianët dhe pastaj përfunduan të ekzekutuar, të vrarë së bashku me robërit italianë. Si është komplikuar kjo ngjarje?
-Ka një dezinformim gati të plotë, d.m.th. duhet të kemi parasysh disa elementë kryesorë në ngjarjet shqiptare dhe gjëja e parë që duhet të kemi parasysh është kronologjia, d.m.th. duhet të jemi të saktë kronologjikisht. Jemi në shtator-tetor-nëntor të vitit 1943. Duhet të kemi parasysh se deri në Marrëveshjen e Mukjes dhe një muaj pas saj, pra deri në datën 4-9 shtator, dy forcat kryesore politike dhe ushtarake që kishin reparte ushtarake, d.m.th. LNÇ-ja e komanduar në një masë të madhe kryesisht nga Partia Komuniste e Shqipërisë, dhe Balli Kombëtar pas saj, për të qenë korrektë, kanë goditur, nuk mund të them në mënyrë të njëllojtë, por në mënyrë paralele njëra me tjetrën, okupatorin në harkun kohor të paktën nga marsi i vitit 1943 deri në momentin e kapitullimit të Italisë. Në muajin gusht, në Tapizë dhe në Mukje, janë zhvilluar bisedime midis këtyre dy organizatave në rrethanat në fakt, kur Italia pritej të kapitullonte. Janë zhvilluar bisedime për të krijuar një komitet politik dhe ushtarak të përbashkuar për t’i dhënë Shqipërisë një organizatë politike dhe ushtarake që do të mund të ishte në kahun e fitimtarëve të luftës, d.m.th. të aleatëve perëndimorë kryesisht, por në aleancë me anglo-amerikanët kanë qenë edhe rusët. Normalisht marrëveshja në Mukje është nënshkruar për lëvizjen nacionalçlirimtare nga elementë të moderuar të LANÇ-it që përfshinin Ymer Dishnicën, Mustafa Gjinishin dhe Abaz Kupin, ndërsa për Ballin Kombëtar kanë qenë disa prej udhëheqëse kryesorë të tij. Mirëpo, një ndër pikat kryesore ka qenë e ardhmja e Shqipërisë, d.m.th. jemi në vitin 1943, Shqipëria nuk ishte në përmasat e Shqipërisë aktuale, pra Shqipërisë së 1913-ës. Bëhet fjalë për një Shqipëri e cila përfshinte tokat e liruara brenda territorit, d.m.th. një pjesë të madhe të Kosovës, pjesën perëndimore të Maqedonisë, malësinë deri në Tivarin e vjetër. Nuk kishte arritur të përfshihej për arsye të situatës së komplikuar në Epirin e jugut, respektivisht në Thesproti ose në Çamëri, i gjithë territori i Çamërisë për shkak të situatës së ndërlikuar sociale, politike dhe ushtarake atje, të komplikuar në rrethanat shqiptaro-greke dhe të balancës së Fuqive në këtë pjesë, në këtë periudhë. Mirëpo, bëhej fjalë edhe për një pikë të caktuar, se cili do të ishte fati i këtyre tokave të inkluduara në shtetin shqiptar nën okupacion, në periudhën pas Luftës II Botërore. Dhe kjo ka qenë pika e konfliktit themelor. Balli Kombëtar, siç mund ta kuptoni, përfaqësonte një organizatë e cila deri në këtë moment nuk ka pasur as akuzë për komunistët për bashkëpunim. Ndërkohë Partia Komuniste Shqiptare, e cila ishte në komandë të LANÇ-it, ka qenë e drejtuar praktikisht nga dyshja Hoxha-Mugosha. Dushan Mugosha, një përfaqësues i Partisë Komuniste Jugosllave, serb i Kosovës, i cili as që mund ta pranonte një gjë të tillë. Pra, i diktuar nga këto rrethana, pak javë pas Marrëveshjes së Mukjes, e cila parashikonte edhe krijimin e strukturave krahinore bazuar në Marrëveshjen e Mukjes, bashkëpunimit midis LANÇ-it dhe Ballit Kombëtar, d.m.th. pikërisht për këto arsye, Enver Hoxha dhe Mugosha e hodhën poshtë Marrëveshjen e Mukjes dhe në mënyrë zyrtare definitive, më 4-9 shtator në Labinot, pasi u dënuan dhe Ymer Dishnica e Mustafa Gjinishi për oportunizëm (Abaz Kupi po që po dhe që nga ky moment ai do të shkëputet nga LANÇ-i), urdhri u dha që të goditet pa mëshirë Balli Kombëtar. Pra ky është urdhri i fillimit të luftës.
Kjo ngjarje, sikurse dy ngjarjet me italianët, që unë ju thashë pak më sipër, pra ngjarja e Lushnjës (Mehmet Shehu bën fjalë për shumë më tepër se kaq, jo 67 por shumë më tepër se sa kaq), është një prej incidenteve...
Duhet të kemi parasysh një gjë, edhe dy elementë të tjerë shumë të rëndësishëm: nuk mund të them se nuk ka pasur ballafaqime midis forcave të LANÇ-it dhe trupave gjermane, por gjermanët sapo kishin ardhur në Shqipëri. Përveç aspektit politik ishin vënë në zotërim të disa qyteteve kryesore të Shqipërisë dhe kishin kontrolluar disa arterie rrugësh, d.m.th. ata kanë qenë në kontroll të rrugës që lidhte Podgoricën me Shkodrën, në drejtim të Gjirokastrës për në Kakavijë dhe në drejtim të bregut të detit nga Vlora në drejtim të Sarandës për t’u lidhur përsëri me Greqinë, njëri arter. Arteri tjetër ka qenë rruga përmes luginës së Shkumbinit që ka lidhur pjesën perëndimore me pjesën lindore të Shqipërisë dhe rrugën nga Shkodra në drejtim të Pukës, Kukësit dhe Prizrenit. Pra, këto kanë qenë arteriet kryesore dhe një arter tjetër kryesor, në fakt rruga që ka lidhur Igumenicën me pjesën e brendshme, d.m.th. me pjesën e Follorinës, ka kaluar përmes territorit shqiptar. Edhe ky segment ka qenë i kontrolluar nga gjermanët dhe këtu madje ka ndodhur incidenti para fillimit të pushtimit gjerman, incidenti në Barmash, për shkak të pritës që u është bërë dhe i përket pikërisht kësaj rruge komunikuese që gjermanët kishin, por që kalonte brenda territorit të Shqipërisë. Në fakt, ata zotëronin gjithçka në pikëpamje ushtarake. Kjo është gjëja e parë.
Gjëja e dytë që duhet të kuptojmë është e lidhur me kontekstin e shtatorit-tetorit-nëntorit të vitit 1943, në pikëpamje të situatës ushtarake në Adriatik. Kishte ndodhur zbarkimi i trupave anglo-amerikane në Itali dhe në fakt, kapitullimi i Italisë erdhi për shkak të kësaj gjëje. Dhe në klimën e përgjithshme politike në Shqipëri pritej një zbarkim i dytë i anglo-amerikanëve edhe në Ballkan, respektivisht në Shqipëri. Dhe, edhe LANÇ-i, edhe Enver Hoxha, edhe Balli Kombëtar, por edhe ata që, sipas meje, me pa të drejtë konsiderohen kuislingë klasikë, si Qeveria e Rexhep Mitrovicës, por qe kryesia e shtetit kolektiv ka qenë i përbërë së paku, nga katër figura të spikatura të nacionalizmit të shtetformimit shqiptar: Mehdi Frashëri, Lef Nosi dhe Patër Anton Harapi, d.m.th. një gjë që as mund të mendohej se ata mund të shisnin interesat.
Bëhet fjalë për një pritje. Prisnin një zbarkim dhe secila nga palët donte që të ishte me një strukturë shtetërore dhe ushtarake të ngritur më përpara se të vinte zbarkimi anglo-amerikan, sepse e përjetonin lëvizjen gjermane si një lëvizje taktike të përkohshme, shumë të shkurtër, gjë që nuk ndodhi praktikisht. Nuk ndodhi as zbarkimi, gjermanët vazhduan ta mbanin Shqipërinë vetëm si një rrugë komunikimi.
Para se të pyes edhe një herë për masakrën e Burrelit, dua të më thoni konkretisht dhe dokumentet e gjithçka ka ndodhur, që supozon se ka edhe masakra të tjera që mund të jenë të panjohura, do të pyes konkretisht pse pikërisht në këtë situatë Italia ka një mungesë vëmendjeje për bijtë e vet që i kishte ushtarë këtu në Shqipëri, sepse mendoj se fatkeqësia e italianëve nuk ka qenë vetëm se mbetën në dorën e këtyre udhëheqësve komunistë, por edhe nga ana tjetër, nga shteti i tyre duhet të ketë pasur një mungesë vëmendjeje. Për cilën arsye?
-Shteti përfundoi. Me kapitullimin shteti italian përfundoi. Një pjesë e territorit u okupua. U krijua një qeveri e përkohshme, e cila nuk arriti dot. Bëhet fjalë për një situatë të çintegrimit edhe të autoritetit politik edhe në Itali. Kështu që nuk bëhej fjalë për një vëmendje në këtë kohë. Ato janë shumë urdhra. Vetëm të keni parasysh, unë i kam të detajuara praktikisht edhe sjelljet e ndryshme të komandave italiane nga veriu në jug të Shqipërisë, d.m.th. trupat italiane janë gjendur të tradhtuara nga komanda e tyre. Vetëm një numër shumë i vogël trupash italiane është arritur që të transferohet drejt Italisë, madje më duket, drejt Korfuzit. Kjo ka qenë skema e parë. Pjesa më e madhe e tyre janë lënë në mëshirë të fatit. Kush nuk i është bindur urdhrit të komandës gjermane është ekzekutuar. Vetë gjermanët kanë shkelur rregullat e luftës. Një pjesë janë futur në brendësi të territorit, janë strehuar nga shqiptarët, banorët e thjeshtë. Familja ime në Tiranë ka pasur një ushtar italian, të cilin e ka mbajtur për një periudhë kohe dhe më pas e ka strehuar në Shqipërinë e Veriut te një prift shqiptar në Fushë-Arrëz. Atje e kanë çuar prindërit e mi, d.m.th. gjyshërit e mi bashkë me babanë tim për ta strehuar. Edhe shumë familje të tjera shqiptare kanë strehuar, por një pjesë e tyre kanë arritur të jetojnë me shumë vështirësi. Janë gjendur para goditjes kryesisht të gjermanëve, por për fat të keq, të paktën edhe dy masakra janë të evidentuara: një nga vetë italianët dhe një e gjeni në Arkivin e Shtetit, mund t’ju jap indikacionet që të shkoni t’i merrni. E ka raportuar vetë Mehmet Shehu.
Përveç të mbijetuarve që u mbështetën te fshatarët dhe banuan aty, d.m.th. që zgjodhën këtë rrugë, patën këtë fat, në mënyra të tjera ka pasur të mbijetuar italianë apo mos ka ndodhur që të gjithë të jenë ekzekutuar?
-Kanë mbijetuar mjaft, por duhet të keni parasysh që në rrethanat e një vendi të pushtuar, në rrethanat e të paktën dy autoriteteve, autoritetit pushtues gjerman nga njëra anë dhe autoriteti shtetëror shqiptar, i Qeverisë së Rexhep Mitrovicës, dhe ana tjetër ka qenë pjesa e brendësisë së Shqipërisë e kontrolluar në zonat e brendshme nga forcat partizane. Këta janë gjendur në një situatë të tillë. Një pjesë e tyre ka arritur që të organizohet në batalionin “Antonio Gramshi” dhe ka arritur të mbijetojë, i janë bashkuar Lëvizjes Nacionalçlirimtare, një pjesë tjetër është strehuar në popull, një pjesë tjetër është lënë në mëshirën e fatit. Edhe raportet e britanikëve të dhe amerikanëve tregojnë që në bregun italian të detit ka pasur me dhjetëra e qindra ushtarë italianë të lënë në mëshirën e fatit. Edhe fotot që do t’ju tregoj më pas, tregojnë situatën e tyre të mjeruar. Ata kishin dalë në breg të detit dhe prisnin anijet që t’i merrnin dhe t’i transportonin për në Itali, gjë që nuk është bërë. Edhe procesi i transferimit ka zgjatur disa muaj pas datës 29 nëntor 1944, për të mbijetuarit. Janë të paktën dy vizita të gjeneralëve italianë të cilët kanë ardhur. Pra në momentin kur u ripërtëri autoriteti shtetëror italian në rrethanat e zotërimit nga forcat aleate të pjesës më të madhe të Italisë qendrore dhe jugore.
Të kthehemi te të ekzekutuarit italianë të Burrelit. Çfarë faktesh, çfarë dokumentesh ju janë ofruar dhe si arritët ju te këto burime?
-Këto janë burime të Arkivit të Londrës. Atje ka me mijëra dokumente. Ka mbi dhjetë vjet që i kam marrë dhe në fakt kam 20 vjet që shkoj tek ai arkiv. Pra kam rreth 20 vjet që unë punoj me këto dokumente. Për fat të mirë, sot, që nga viti 2005 në këtë arkiv, ndryshe nga Arkivi i Republikës së Shqipërisë ku hyrja është pak më e vështirë për të fotografuar nga pikëpamja digjitale, në Arkivin e Londrës është e mundshme që të fotografosh falas, mjafton që të mos dëmtosh dokumentin, çdo dokument që është i lirë për publikun. Unë i kam fotografuar, i kam në kompjuter, janë pjesë e punës sime të përditshme. Është pasuria më e madhe që unë kam në aspektin intelektual. Është një arkiv i tërë, i përbërë nga 60-70 mijë faqe dokumentacioni që kam në kompjuterin që ju shikoni këtu.
Na u dha një panoramë e qartë për mënyrën se si kanë ndodhur këto krime, këto ekzekutime. Ndërkohë edhe një herë, ju lutem, na përshkruani sipas dokumentit ngjarjen si ka ndodhur në atë kohë me ekzekutimet në Burrel?
Nuk ka një përshkrim. Është një paragraf. Jepet numri: janë 110 karabinierë plus 8 oficerë, 1 kolonel në krye të tyre. Ata kanë qenë në procesin e ikjes nga pjesa perëndimore e Shqipërisë në drejtim të pjesës së brendshme malore dhe sepse ishin në ndjekje prej gjermanëve. Pra është një përpjekje për të shpëtuar nga gjermanët dhe kanë rënë në duart e kësaj komande të drejtuar nga dy partizanë shqiptarë. Ata janë ekzekutuar për t’iu marrë çdo gjë, të gjitha veshjet. Pra janë zhveshur, u janë marrë pajisjet dhe janë ekzekutuar. Rastin e Burrelit e kanë zbuluar autoritetet italiane dhe e kanë raportuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Jashtme ka një cirkular prej gati 45 faqesh, të cilin unë mund t’jua vë në dispozicion, të paktën pjesë të caktuara të saj, që ju ta keni edhe dokumentacionin për ta parë. Mund t’ju jap dhe indikacionin se ku gjendet në Arkivin Kombëtar Britanik
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com