Tom Doshi: Do t'i votoj të gjitha pr/ligjet e mazhorances, zëri im kritik u dëgjua në Komisione
Deputeti socialist Tom Doshi, edhe pse sot nuk ishte i pranishëm në fillim të mbledhjes të Komisionit të Ligjeve ku u diskutua dhe miratua projektligji për Policinë e Shtetit, tha se do të bëhet pjesë e seancës parlamentare të së enjtes dhe do të votojë projektligjet e qeverisë.
Deputeti i mazhorancës tha se zëri i tij kritik është marrë parasysh dhe është pasqyruar me ndryshime në projektligj.
“Do të jem në seancën e së enjtes dhe do të votoj pro. I bëj thirrje dhe opozitës të marrë pjesë për të votuar për të gjitha ligjet e rëndësishme, sic janë reforma terrotiriale dhe pr/ligji i KLD-së. Të gjitha ligjet e mazhorancës do t’i votoj, ato pakënaqësi që kisha i shfaqa në komision dhe janë rregulluar”, - u shpreh deputeti i mazhorancës për gazetarët, pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.
Pjerin Ndreu: Të enjten në Parlament, do të votoj projektligjet e rëndësishme
Sakaq, edhe deputeti tjetër socialist Pjerin Ndreu, i cili gjithashtu ka pasur rezerva në lidhje me projektligjin për Policinë e Shtetit tha se do të marrë pjesë në parlament për të votuar projektligjet e rëndësisshme që pritet të diskutohen më 31 Korrik.
Doshi, Ndreu, Prenga, Frroku, Cara "rebelët" që munguan në seancën e shkuar plenare..."shtynë" KLD-në
Deputeti i Partisë Socialiste prej 3 mandatesh, Tom Doshi si dhe deputetët e tjerë socialist Armando Prenga, Mark Frroku, Pjerin Ndreu dhe Parid Cara si dhe deputeti i PBDNJ-së Vangjel Dule (i cili ndodhej në Athinë ku takoi ministrin e Jashtëm grek, Evangelos Venizellos) nuk ishin të pranishëm në seancën e shkuar parlamentare, çka çoi në shtyrjen e projektligjit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi kërkonte miratim me 84 vota. Mungesa e tyre në këtë seancë u argumentua me faktin se morën pjesë në ditëlindjen e Mark Frrokut.
Seanca e së enjtes, mbyll këtë sesion parlamentar, miratohet reforma territoriale, KLD, e Kodi Doganor
Seanca e kësaj jave në Kuvend, që është dhe e fundit për këtë sesion, pritet të miratojë disa çështje të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar, mes tyre reformën e re terrioriale të vendit, por dhe ndryshimet në ligjin për KLD-në, apo kodin doganor.
Sot në Komisionin e Ligjeve, Doshi, Marku e Prenga, nuk morën pjesë në votimin e pr/ligjit të Policisë së Shtetit
Ligji për Policinë e Shtetit u votua në tërësi në Komisionin e Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës. I vetmi deputet i opozitës që merr pjesë në komision, Nard Ndoka i Partisë Demokrtistiane votoi kundër, ndërsa gjatë votimit munguan në sallë deputetët e majtë Tom Doshi, Armando Prenga dhe Mark Frroku.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve u votua kërkesa e ILDKPKI për strukturën e re, në bazë të së cilës shtohet numri i punonjësve të Inspektoriatin e Deklarimit të pasurive. Po kështu u votua edhe vendimi i qeverisë për marrëveshjen e arritur me kompaninë çekë të energjisë CEZ-Group.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)