TIRANË- Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina ka bërë një reagim në rrjetin social Facebook, ku akuzon kryeministrin Edi Rama dhe Sali Berishën se janë bashkëpunëtorë. Sipas Karabinës, të dy sulmojnë Partinë Demokratike dhe bëjnë sikur zihen më njëri-tjetrin, ndërsa natën Berisha merr leje ndërtimi. Karabina shkruan se Berisha dhe Rama ndajën së bashku pushtetin dhe pasuritë e vëna përmes pushtetit.
Ndërsa i akuzon se shigjetojnë Lulzim Bashën, Karabina shkruan se PD e ka dërguar kullën 'Mali i Tiranës' në SPAK, ndërsa thekson se ishin britanikët dhe amerikanët ata që vendosën vulën e non-gratës ndaj ish-kryeministrit.
"Sali Berisha dhe ortaku i tij në Aleancën e kullave, Edi Rama, paskan vazhduar avazin e sulmeve ndaj PD dhe kryetarit të saj. Sali, kullën e ke në SPAK, po hetohet pastrimi i parave në të. Lulzim Basha dhe PD e dërguan në SPAK sepse Lulzim Basha nuk është si ti që ditën sulmon e natën merr leje ndërtimi.
Se sa i zhytur je, ta thanë britanikët dhe amerikanët, ata që të vunë vulën e non gratës. Lëvizjet e tua thjesht tregojnë frikën tënde, atë frikën që ti e di mirë se kush ta shkakton ty dhe ortakut tënd Edi Rama, që bëni sikur ziheni për sy e faqe, por në fund mbroni njëri-tjetrin që të mbani dhe ndani pushtetin dhe pasuritë e vëna përmes pushtetit", shkruan Karabina.