Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se forcat ukrainase do të synojnë çdo ushtar rus që qëllon në centralin bërthamor të Zaporizhjas, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për incidentet e fundit të bombardimeve në të.
“Çdo ushtar rus që ose qëllon në uzinë, ose qëllon duke përdorur uzinën si mbulesë, duhet të kuptojë se ai bëhet një objektiv i veçantë për agjentët tanë të inteligjencës, për shërbimet tona speciale, për ushtrinë tonë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës më 13 gusht.
Situata në këtë central bërthamor shkaktoi alarm të shtuar këtë javë në Kombet e Bashkuara dhe vëzhguesin e energjisë bërthamore të OKB-së, Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Kievi dhe Moska vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për rreziqet e luftimeve pranë centralit bërthamor të Zaporizhjas, për të cilin Kombet e Bashkuara thanë se duhet të çmilitarizohet zona rreth tij.
Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë dhe në të gjenden gjashtë nga 15 reaktorët që gjenden në Ukrainë. Forcat ruse e kanë nën kontroll këtë central që nga ditët e para të pushtimit në Ukrainë.
Agjencia e inteligjencës mbrojtëse e Ukrainës më 13 gusht paralajmëroi për "provokime" të reja ruse rreth uzinës, ndërsa kryetari i bashkisë së qytetit ku ndodhet uzina tha se kishte granatime të reja ruse. Rusia ka kundërshtuar pretendimet, duke thënë se forcat ukrainase qëlluan nëntë predha artilerie në zonën pranë uzinës. Në fushëbetejë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi më 13 gusht se kishte marrë kontrollin e plotë të Pisky, një fshat në periferi të Donjeckut, ndërsa komanda ushtarake e Ukrainës tha se "luftimet e ashpra" vazhduan në fshat./ REL
Lajmi kryesor: