Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka dërguar një letër Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke e paralajmëruar atë për mungesën e madhe të sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë, veçanërisht kundër raketave balistike.

Lajmin e raportoi gazeta Kyiv Independent, e cila thekson se thirrja e Zelenskyt për më shumë sisteme mbrojtëse vjen ndërsa Moska ka intensifikuar sulmet e saj ajrore kundër Ukrainës dhe ka kërcënuar me një valë të re sulmesh ndaj Kievit, duke përfshirë sulme kundër asaj që Moska i quajti "qendrat e vendimmarrjes" të vendit.

"Kur bëhet fjalë për mbrojtjen ajrore kundër raketave, ne mbështetemi te miqtë tanë", thuhet në letër, të parë nga gazeta Kyiv Independent. "Kur bëhet fjalë për mbrojtjen tonë kundër raketave balistike, ne mbështetemi pothuajse ekskluzivisht te Shtetet e Bashkuara". Autoritetet ukrainase kanë frikë se furnizimi i kufizuar i vendit me interceptorë Patriot dhe sisteme të tjera të prodhuara nga Perëndimi mund të mos jetë i mjaftueshëm për t'i bërë ballë bombardimeve ruse.

"Është vërtet e vështirë kur bëhet fjalë për mbrojtjen nga raketat antibalistike", i tha gazetës Kyiv Independent një person i njohur me çështjen. Sipas burimit, ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olha Stefanishyna, ia shpërndau letrën Shtëpisë së Bardhë, kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe anëtarëve të tjerë të Kongresit.

Mesazhi pasqyron gjithashtu shqetësimin në rritje të Kievit për vështirësitë në sigurimin e armëve përmes programit të Listës së Kërkesave me Prioritet për Ukrainën (PURL), i cili u lejon aleatëve të NATO-s të financojnë blerjet e armëve amerikane për Ukrainën. "Ritmi aktual i dërgesave përmes programit PURL nuk është më në përputhje me kërcënimin e vërtetë me të cilin përballemi", shkroi Zelensky në letrën e tij. "Kërkoj ndihmën tuaj në mbrojtjen e qiellit të Ukrainës nga raketat ruse."